Thikë në zemër për parkimin
DURRES/ OERD ULQINI
E godet me thikë në zemër për vendin e parkimit të furgonit. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Durrës, viktimë e së cilës mbeti një 35-vjeçar. Sipas policisë, Dritan Neza mbeti i vrarë me thikë rreth orës 07:45 në sheshin "Pranvera" të këtij qyteti. Ndonëse ngjarja nuk kishte lidhje me ndonjë motiv të mundshëm politik, dhjetëra qytetarë të cilët ishin nisur për të votuar janë terrorizuar nga kjo skenë që ndodhi në mes të qytetit. Autori i krimit, për shkak të angazhimit të policisë më së shumti në qendrat e votimit, ka arritur të largohet pa lënë gjurmë. Gjithsesi, blutë pas hetimeve paraprake arritën ta identifikonin, por për efekt hetimi nuk është publikuar emri i tij. Mësohet se viktima Dritan Neza punonte si shofer në linjën e automjeteve private 8 + 1, nga Durrësi në Tiranë. Burime të policisë bënë të ditur se 35-vjeçari Neza dhe autori i krimit janë konfliktuar fillimisht mbrëmjen e së shtunës po në sheshin "Pranvera". Debati mes tyre kishte lindur për vendin e parkimit, pasi edhe autori kryente linjën e transportit të pasagjerëve, Tiranë-Durrës. Por kur dukej se sherri kishte përfunduar aty, të nesërmen agresori, me një thikë të mprehtë në brez, i ka zënë pritë kolegut të tij në sheshin ku ai e niste përditë punën. Një goditje e vetme, në gjoks e cila i ka prekur edhe zemrën ka qenë fatale për 35-vjeçarin. Kolegët e tjerë të tyre kanë nxituar t'i japin ndihmë viktimës, duke e nisur menjëherë në spitalin rajonal, por nga humbja e madhe e gjakut ai nuk ka arritur dot të mbërrijë i gjallë aty. Mjekët bënë të ditur se Neza kishte mbërritur pa jetë. Policia e cila arriti ta zbardhë shumë shpjet ngjarjen, motivin dhe identitetin e autorit bëri të ditur se dy personat fillimisht janë futur në sherr për parkimin e furgonave. Sipas policisë, autori, një njeri me trup më të vogël, ia ka ngulur befasisht thikën të ndjerit Neza. Më pas ai është zhdukur me shpejtësi nga vendi i krimit. Ngjarja ka kapur në befasi edhe policinë e Durrësit, pasi 271 efektivë të saj, mes të cilëve edhe 25 oficerë ishin në funksion të zgjedhjeve. Ata kishin marrë dje në ruajtje objekte të veçanta zgjedhore, duke lënë shumë postblloqe pa u mbuluar me shërbimet e tyre policore. Vrasësi ka mundur të arratiset në drejtim të paditur, ndonëse identiteti i tij është tashmë i njohur dhe është shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes me paramendim.