E Diel, 1 Nëntor 2026

Dilaver Bengasi: Shpërthimi në ambasadë, degjeneruam UDB

TIRANE-Si sot, plot 31 vjet më parë, Tirana u trondit nga një shpërthim i tmerrshëm, sa që zhurma e tij shokoi jo vetëm banorët e kryeqytetit, por mbarë kancelaritë diplomatike të Evropës. Ambasada e Jugosllavisë ishte prekur rëndë. Mbi ambientet e saj kishte ndodhur ajo që quhej akti më terrorist që mund të njihej për atë kohë, pasi eksplozivi kishte shpërthyer pikërisht mbi ambientet e saj. Ishte momenti kur mbarë Jugosllavia, sigurisht dhe trupi diplomatik i saj në Shqipëri, po festonte Ditën e Stafetës së Rinisë, siç e quanin ata ditën e lindjes së udhëheqësit të tyre Josip Broz Tito. Pas atij akti, Tirana zyrtare u ngrit në këmbë e alarmuar, dhe duke filluar që nga Enver Hoxha dhe deri te hetuesi i atij akti kriminal, Dilaver Bengasi, nuk flinin gjumë. Pikërisht siç dhe u shpjegua në intervistën e numrit të kaluar të vetë zotit Bengasi, ai u caktua në krye të grupit hetimor, me specialistët më të mirë të vendit në të gjitha fushat e ekspertimit të një ngjarjeje të tillë. Nuk do të kalonin veçse pak minuta nga ndodhia e ngjarjes, kur grupi i porsa krijuar i ekspertëve nën kryesimin e Dilaver Bengasit, do të fillonte menjëherë nga puna. Do të duheshin orë pa gjumë dhe situata tepër të tensionuara, që grupi i ekspertëve të përjashtonte një e nga një të gjitha versionet që na akuzonin ne si atentat mbi ambasadën në fjalë. Personeli i njerëzve të UDB-së, të ndodhur aty nën petkun e diplomatit, do të ngeleshin të shokuar nga ajo që do të ndodhte atë natë dhe të nesërmen paradite, në selinë e tyre dhe në laboratorin special të ekspertizës në Mjekës të Elbasanit, pasi ata nuk do t'i jepnin dot "armën" që kërkonte Beogradi, që të akuzohej Shqipërinë. Këtë 'do ta hidhte në erë' vetë Dilaver Bengasi me grupin e ekspertëve, të cilët do të rrëzonin të gjitha mundësitë e akuzimit të veprimit nga jashtë. Në fund të atij ekspertimi, Dilaver Bengasi fillimisht, dhe më mbrapa Tirana zyrtare, do të akuzonin personelin e ambasadës, se ajo e kishte vënë vetë eksplozivin për të tërhequr vëmendjen nga demonstratat e Kosovës dhe të krijonin pasiguri te ambasadat e tjera në Tiranë. UDB-ja ishte në veprim. Por le të ndjekim intervistën e vetë Dilaver Bengasit se çfarë thotë për ato momente.

Nga e filluat hetimin, zoti Begasi, në momentin që ju u ngarkuat të drejtonit grupin e ekspertëve më të mirë të vendit, për të hetuar ngjarjen e shpërthimit në ambasadën jugosllave të ndodhur në atë mbrëmje të 23 majit të vitit 1981?
Si u mblodhëm dhe u bë e qartë detyra, shkuam menjëherë të gjithë së bashku dhe hymë në selinë e ambasadës jugosllave ku kishte ndodhur ngjarja. Konstatuam se vendi i shpërthimit të eksplozivit ishte tarraca e kuzhinës së ndërtesës së ambasadës.
Pra, ajo ishte epiqendra e vendngjarjes?
Po, ajo ishte. Ne pamë dhe vëzhguam me sy të hollë prej eksperti si vendin e ngjarjes ashtu dhe mjediset rrethuese. Ekspertët filluan punën për të bërë matjet e nevojshme: Fotografimet, fiksimet e përmasave të gërvishtjeve apo dëmtimeve. Pas kësaj, u mbajt procesverbali i nevojshëm për ngjarjen.
Doja të dija dhe të ndaleshim pak më konkretisht zoti Bengasi në lidhje me këqyrjen e vendit të ngjarjes. Le të jemi sa më konkretë dhe të mos flasim gjëra të përgjithshme. Kush ishte i pranishëm konkretisht në këqyrjen e vendit të ngjarjes?
Patjetër që do të jemi konkretë, sepse edhe ngjarja që po të shpjegoj është jo vetëm konkrete por dhe shumë e bujshme, sa që kishte kaluar në gjendje Shoku të gjithë udhëheqjen e atëhershme.
Siç të thashë, dhe bëj mirë që të ta përsëris edhe një herë, ngjarja ndodhi në orën 21.17 minuta. Data, të thashë që ishte 23 maj i vitit 1981.
Pak më mbrapa m'u ngarkua nga kryetari i hetuesisë së Tiranës, Koço Josifi, që të kryesoja grupin e hetimit, në të cilin do të bënin pjesë ekspertët më të mirë të disa fushave. S'kishte kaluar as një orë dhe pikërisht në orën 22.00 grupi hetimor ishte gati për fillimin e punës. Ekzaktësisht në orën 22.10 minuta ne ishim brenda selisë së ambasadës dhe filluam punën. Këqyrja e vendit të ngjarjes filloi në prani të prokurorit të rrethit, Isamedin Resmja, të shefit të protokollit të Ministrisë së Jashtme, Jovan Andoni, të ekspertëve xhenierë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, njëri prej të cilëve ishte vetë drejtori i drejtorisë së xhenios, Ramiz Feçorri dhe oficeri xhenier T. Bebeli, si dhe të dy ekspertëve kriminalistë.
Në kohën që unë po përpiloja procesverbalin, përbri më rrinte një nga "diplomatët", që quhej Xhemal Osiç, për të cilin mësova se ishte me banim në Malin e Zi. Ai për çudi kishte mbaruar gjimnazin e Shkodrës.
Sa vjeç ishte?
Ishte aty te 45 vjeç. Nuk tregonte për më shumë. Por që zbulimi ynë e kishte deshifruar herët atë person se s'ishte thjesht diplomat, por oficer i shërbimit të UDB-së jugosllave.
E pyetët personelin e ambasadës mbi ngjarjen në fjalë?
Pikërisht këtu do të dilja, se unë para se të hidhja në procesverbal dëmtimet e ndodhura sipas konkluzioneve të ekspertëve, duhej të dija dhe pretendimet e përfaqësuesve të ambasadës jugosllave.
E kishit këtë të drejtë me procedurë?
Me procedurë unë nuk mund të detyroja të pyesja si dëshmitar asnjërin prej diplomatëve.
Po si ia arritët?
Me takt. Kërkova se kush prej personelit të ambasadës do të përfaqësonte ambasadën gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, pasi emrin e tij do ta shënoja në procesverbalin përkatës që po përpiloja. Në këtë moment, njëri prej tyre më hedh kartëvizitën e vet mbi tavolinën ku po punoja për procesverbalin. Kjo do të thoshte se ishte pikërisht ai emër që do të përfaqësonte ambasadën. Lexova mbi kartëvizitë emrin Spassoe Tuniq, kuptohet me detyrën e të ngarkuarit me punë pranë ambasadës jugosllave. Pas kësaj unë shënova emrin e tij në procesverbal. Ai menjëherë më bëri përshtypje, se kur e pashë drejt në sy konstatova se kishte shumë emocion. Në fytyrë i dalloheshin qartë dy-tre bulëza djerse, të cilat, kur unë i ngula sytë, filluan t'i çurkonin poshtë faqeve. Veç këtyre, kur filloi të fliste e si e pyeta unë, vura re që edhe frymëmarrjen e kishte të shpeshtë, që të linte që në fillim të kuptoje se diçka e brendshme e ngacmonte, apo e digjte, si i themi ne. Kjo më bëri shumë përshtypje, pasi, pse kishte frikë nga ai hetim i plotë dhe i thellë që po nisnim?
Çfarë i thatë ju kur e pyetët?
E pyeta se çfarë pretendimi kishte lidhur me incidentin e ndodhur një orë më parë në godinën e ambasadës së tyre.
Dhe ai dha shpjegime rreth ngjarjes në fjalë sipas mendimit të tij, ndërkohë që unë i shënoja në procesverbal. Por siç të them, zëri i tij vazhdonte të ishte i mekur dhe i dridhej, ndërkohë që djersët i rridhnin çurk.
Pse e kishte atë situatë, e kuptuat?
Atë e kuptuam në fund të hetimeve, kur vërtetuam me prova të pakundërshtueshme se personeli i ambasadës jugosllave e kishte vendosur vetë eksplozivin.
Përse ta vendoste vetë?
Ky incident synonte të komprometonte politikën e brendshme zyrtare të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare, për të krijuar psikozë pasigurie në ambasadat e shteteve të tjera në Tiranë, ndërsa, nga ana tjetër, të spostonte vëmendjen nga ngjarjet e Kosovës që ato ditë kishin sensibilizuar gjithë Evropën e më gjerë.
Kur e pyetët përfaqësuesin jugosllav, të quajtur Spassoe Tuniqi, mbi pretendimet në lidhje me incidentin, çfarë ju shpjegoi konkretisht?
Konkretisht ai tregoi se, teksa ishin duke festuar Ditën e Rinisë, - këtu fjalën e kishte që ishte ditëlindja e Titos, të cilën ata e kishin kthyer në ditë feste për rininë, - ishin dëgjuar dy shpërthimet në soletën e ambienteve të kuzhinës së selisë diplomatike.
Por, siç ta theksova dhe më lart, vura re shumë qartazi se Tuniqi diçka kishte. Ndihej në të folurën dhe qëndrimin e tij. Pastaj bashkë me të nuk na ndahej hap pas hapi edhe Xhemal Osiçi, i quajtur diplomat, por që ne e dinim mirë që ishte oficer i UDB-së.
Unë i pyeta se në çfarë intervali kohe ishin larg dy shpërthimet. Tuniqi u përgjigj se ishin në një interval 2-3 sekondash larg. Por këtë pyetje unë ia bëra përsëri dhe ai të dyja herët u përgjigj me të njëjtin fakt, pra që bomba e parë kishte shpërthyer 2-3 sekonda më përpara. Unë pastaj e fiksova në procesverbal.
Pse e pyetët prapë?
Se unë këtu dyshova menjëherë. Sepse, siç do të shpjegoj më poshtë, nga të gjitha provat që u bënë dhe vetë eksperimentimi përjashtonte plotësisht mundësinë e hedhjes së dy eksplozivëve nga jashtë murit rrethues mbi tarracën e kuzhinës së ambasadës. Kjo, për faktin se hedhja e njëpasnjëshme e tyre, shpërthimin e bënte mbas 7-8 sekondash e jo pas 2-3 sekondash saç kishte pretenduar Spassio Tuniqi. Pra, me sytë e mi si profesionist ajo deklaratë ishte e dyshimtë, por unë e shënova në procesverbal për ta vërtetuar më vonë. Po ashtu, shënova gjithçka gjeta në ambientin e atentatit. Shënova thellësinë dhe gjerësinë e gropave të shkaktuara. Shënova ambientet rrethuese. Shënova se çfarë muri rrethues ishte, i cili po të them se ishte mbi 2.5 metra i lartë dhe ndërkohë që brenda tij kishte cerga merimangash, gjë që përjashtonte çdo dyshim se mund të kishte rrëshqitur kush. E pashë se dy diplomatët e ashtuquajtur, por që ishin oficerët e UDB-së, filluan të terrorizoheshin më shumë dhe të frikësoheshin, kur po shikonin se pistat tona po kalonin në drejtim të faktit që askush nuk kishte hyrë brenda.
Dhe deri në çfarë ore e keni vazhduar këtë lloj ekspertize?
Ndërsa vazhduam këto lloj hetimesh deri aty nga ora 24.40 minuta, na erdhi urdhri i prerë direkt nga ministri i Punëve të Brendshme Feçorr Shehu, që të niseshim me urgjencën më të madhe për në zyrën e tij. Kështu bëmë, u nisëm menjëherë. Megjithëqë edhe ministri sikur të mos na kishte thërritur, neve sërish do të iknim, pasi nuk mund të vëzhgonim më, në kushtet e errësirës së plotë, në ambientet e shpërthimit. U thamë përfaqësuesve të ambasadës se do të shkonim sërish të nesërmen për të vijuar vëzhgimin dhe hetimin.
Për çfarë ju donte ministri?
Sipas urdhrit, shkuam menjëherë në zyrën e ministrit Feçorr Shehu. Në zyrën e tij gjetëm edhe ministrin e Jashtëm, Nesti Nasen dhe drejtorin e hetuesisë së përgjithshme, E. Gjikën.
Sa ishte ora?
Po duhet të ketë qenë aty te 01.30 minuta, jo më shumë.
Dhe ishin në zyrë ministrat dhe zyrtarët e tjerë?
Nuk kishte gjumë Shqipëria nga ajo që kishte ngjarë. Ishte hedhur eksploziv në zyrat e diplomacisë së shtetit më problematik, që po shtypte me zjarr dhe hekur demonstratat e mëdha që kishin përfshirë mbarë Kosovën, dhe aq më shumë të vendit që shërbimi i tij i fshehtë, siç ishte UDB-ja, kishte drejtuar ndaj nesh të gjitha gjilpërat e helmatisura për të na paralizuar fare. Jam i sigurtë se në atë orë s'ishte në gjumë as Enver Hoxha dhe askush tjetër, se Mehmet Shehun e pamë që ishte në zyrë, se mori në telefon në kohën kur neve raportonim para ministrit, dhe i kërkonte llogari se ku kishim arritur. Duhet të keni parasysh se jemi në veprime rrufe, pasi ngjarja kishte veç tri orë që kishte ndodhur, ndërsa shteti ishte çuar i gjithi në këmbë.
Dhe për çfarë ju donte Feçorr Shehu me një urgjencë të tillë?
Ministri kërkoi me insistim konkluzionet e sakta mbi autorët apo mënyrën e shpërthimit. Kryetari i hetuesisë, Koço Josifi, shpjegoi në vija të përgjithshme mbi atë çka kishim konstatuar dhe ndërkohë i thamë se do të vazhdonim mbikëqyrjen edhe ditën e nesërme. Ai, kur i thamë se s'kishim arritur në një konkluzion të saktë dhe përfundimtar, sikur e pickoi miza dhe filloi të irritohej duke thënë: - Si ka mundësi që nuk keni arritur akoma në këtë konkluzion? Sa duhet të presim? Nuk jetoni ju me situatën? E mendoni se udhëheqja më e lartë e shtetit dhe vetë shoku Enver presin punën tonë?.
Por ne i shpjeguam me radhë se nuk mund të këqyrej saktësisht vendi i ngjarjes në kushtet e pamjes së kufizuar, as objektet e brendshme të ambasadës, pasi të nesërmen mund të ndeshim në elementë të rinj dhe në detaje të tjera rreth objekteve të ndodhura në vendngjarje.
Kështu i fola unë dhe kryetari, madje ndërhyri edhe Shefi i Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, J. Andoni. Ndërkohë, ekspertët e tjerë kriminalistë dhe ata të Ministrisë së Mbrojtjes, rrinin pa folur. Në këtë çast, ministri duke mos ditur si të vepronte, se dukej që ishte në një tension të papërballueshëm, iu drejtua ushtarakut Ramiz Feçorri, i cili siç ju shpjegova ishte anëtar i grupit të ekspertëve në atë çështje hetimi.
- Po ju ku punoni?, - i tha ai.
- Unë quhem Ramiz Feçorri dhe jam Drejtor i Drejtorisë së Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes, shoku Ministër, - iu përgjigj Ramizi.
- Atëherë ti qenke ekspert i mirëfilltë dhe me eksperiencë të madhe në këtë fushë, - vazhdoi ministri. - Si mendoni juve në lidhje me këtë çështje?
- Shoku Ministër,- ia ktheu sërish Ramizi, - edhe unë si kolegët me këtë mendim jam, që ta vijojmë nesër këqyrjen e vendit të ngjarjes. Të vlerësojmë faktorët dhe objektet si dhe rrethanat e çështjes në fjalë dhe pasi të bëjmë dhe ekspertizat përkatëse, të arrijmë në një përfundim të pjekur dhe të saktë për të cilin keni nevojë edhe ju edhe gjithë shteti ynë, që natyrshëm jeton momente akuzash nga të katër anët e diplomacisë europiane....
Në këtë kohë bie zilja e telefonit të zyrës së ministrit. Kur e mori, mësuam se ishte vetë kryeministri Mehmet Shehu, pasi Feçorri i tha: - Urdhëroni shoku Kryeministër!
Mehmet Shehu?
Po, po, Mehmet Shehu. Ishte një situatë nga më të rëndat që mund të mendoje në atë kohë. Kjo ndodhi, mund t'i jepte veç të tjerash edhe shkak Beogradit për të shtuar genocidin mbi popullsinë e pambrojtur të Kosovës. Por ndërkohë, mediat e mbarë Evropës prej atij minuti po qarkullonin lajmin e pabesuar, se ishte sulmuar dhe shpërthyer ambasada jugosllave në Tiranë, kështu që s'kish si të kishte qetësi për Mehmet Shehun. Në këtë çast, sa e mori telefonin Feçorri, i shpjegoi Mehmet Shehut ato që i thamë neve, se konkluzionet përfundimtare duhet të prisnim të nesërmen që t'i bënim, pasi ishin rrethanat që ia numëruam neve të cilat ai ia përsëriti kryeministrit. Si vijuan disa çaste dialogun, Feçorri uli receptorin. Pas pak na la të lirë dhe neve për të vijuar punën për të nesërmen.
Dhe vijuat?
Patjetër. Të nesërmen kemi ndenjur prej orës 09.00 deri në orën 12.00 duke vlerësuar edhe një herë gjithçka që rrethonte vendngjarjen, si dhe objektet që gjetëm aty. Kemi parasysh se data tashmë ishte 24 maj 1981. Vlerësuam çdo gjë. Përpiluam një procesverbal të hollësishëm.
Kuptova që këqyrët vendet ku ishin bërë gropat ku kishte ndodhur shpërthimi. Pastaj këqyrët oborrin e pasmë dhe murin rrethues. Jam kurioz nëse gjetët ndonjë objekt rrethanor që të lidhej me çështjen?
Gjatë këqyrjes gjetëm dhe mbajtëm dy prova materiale tip gëzhojash. Ekspertimi i mëvonshëm i tyre provoi se ishin kapsula të eksplozivit llokum dinamit. Po ashtu, pavarësisht se e kishim parë një natë më parë e fiksuam në prani edhe të palës jugosllave pamjen e brendshme të murit rrethues, sidomos sipërfaqen e brendshme të tij, ku rezultoi se nuk kishte asnjë lloj rrëshqitjeje nga jashtë dhe se aty kishte dhe cerga merimangash. Aq më shumë që muri rrethues ishte më shumë se 2.5 metra i lartë, gjë që përjashtonte kategorikisht ardhjen e ndonjë personi nga jashtë nëpërmjet atij muri. Por këtu kishim parasysh se edhe rojet e policisë që qarkonin ambasadën ishin nga më të ndërgjegjshmit dhe më të saktët, që nuk mund të lejonin të kalonte dikush për në ambientet e brendshme.
Pra, me një fjalë, që nga nata e kaluar kur ndodhi ngjarja dhe deri në orën 12.00 të ditës tjetër, pra të datës 24 maj 1981, ju u morët me vlerësimin e situatës në vendngjarje?
Po. Ashtu është. Në orën 12.00 kishim rreshtuar të gjitha rrethanat negative të vendngjarjes. Dhe ato i bëmë në prezencën e Spassoe Tuniqit dhe të Xhemal Osiçit, të cilët shikonin me kujdes çdo veprim që bënim.
Ishin të shqetësuar thatë?
Ne më vonë e mësuam të gjithë atë siklet që hiqnin ata, pasi e panë se ekspertiza jonë ishte futur me themel dhe dalëngadalë po përjashtonte me fakte dhe argumente bindëse atë që akuzonte gjithë media europiane dhe më shumë TANJUGU i Beogradit. Pra, ata e kishin hedhur vetë eksplozivin dhe panë se ne drejt atij argumenti po shkonim. Po të them me shumë seriozitet, jo vetëm se e përmenda dhe në numrin e kaluar por po ta them edhe sot, se ekipet tona të ekspertëve kanë qenë me një aftësi të jashtëzakonshme në fushën e zbulimit. Këtë e shikonin qartë edhe dy oficerët e UDB-së që të përmenda, të cilët na paraqiteshin si diplomatë. Pra, ata e filluan shqetësimin kur u provua se nëpërmjet murit rrethues nuk kishte kaluar askush brenda ndërtesës për të vënë eksplozivin. Atëherë ata hodhën idenë se mos eksplozivi ishte hedhur me dorë nga jashtë murit rrethues mbi soletën e kuzhinës së ambasadës. Unë i thashë që patjetër do ta shqyrtojmë dhe do ta studiojmë shkencërisht edhe këtë version.
Si do ta vërtetonit këtë version?
Për të përjashtuar hedhjen e bombave nga jashtë murit rrethues ne bëmë disa lloj matjesh në pika të ndryshme, nga ku këndvështrimi dhe mundësia e hedhjes ishte në kushtet më të mundshme. Rezultoi se vendi më i përshtatshëm dhe më i afërt ishte distanca 22.70 metra, që binte pikërisht në ballkonin e shkallëve të katit të dytë të pallatit në kufizim me ndërtesën e ambasadës, në drejtqëndrim me tarracën ku kishin rënë eksplozivët.
Ky ishte veprimi i fundit i këqyrjes së vendit të ngjarjes. Sipas procedurës, procesin e firmosën të gjithë personat e pranishëm që morën pjesë në procesin e këqyrjes së kësaj ngjarjeje. Por po ju them, se përfaqësuesit e ambasadës apo njerëzit e UDB-së t'i quaj, nuk kishin pështymë në gojë. Po analizohej hollësisht dhe me shumë profesionalizëm gjithçka. Aq më shumë që ata po kuptonin se do të zbardhej edhe identiteti i kapsulave të dinamitit që kishin bërë shpërthimin, të cilat siç të thashë ishin të prodhimit jugosllav.
Dhe pas kësaj këqyrjeje dhe këtyre provave që vlerësuat dhe latë për të ekspertuar, çfarë bëtë?
Ishte ora 12.30 minuta kur u nisëm si grup drejt laboratorit special të Mjekësit të Elbasanit, ku do të vlerësonim dhe ekspertonim shkencërisht të gjithë faktorët dhe kapsulat që kishim në dorë si objekte të krimit.
Pas kësaj do të ishte dhe çudia më e madhe. Surprizat e ekspertimit do të ishin befasuese. Jugosllavia do të shokohej nga kundërpërgjigjja e Tiranës. Pas atyre ekspertimeve, Beogradi do të shpërthente mbi ambasadorin tonë aty. Akuzat dhe kundërakuzat do të kalonin kontinentet.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›