E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Himarë, Topalli: Vijojnë ende hetimet

Kreu i policisë rrugore Vullnet Topalli ka bërë me dije se po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Në një konferencë për shtyp, Topalli theksoi se rruga ishte e thatë me sinjalistën e nevojshme duke rrëzuar kështu çdo hipotezë se shkak për aksidentin mund të jetë rruga.
 

“Aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalitikën e duhur paralajmëruese. Po kështu ishte i pajisur dhe me mbrojtësen anësore metalike standarde, ndriçues fosforeshent anësor përgjatë gjithë kthesës në të dy anët e rrugës, asfalti ishte i thatë, i pastër dhe pa mbetje. Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi Pëllumb Çela ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse, të klasit DE, që në vitin 1999 dhe kjo leje drejtimi ishte rinovuar deri në vitin 2014. Ndërkohë që automjeti në fjalë ka rezultuar të ketë kryer kontrollin e fundit teknik me datë 26.04.2012.” theskoi Topalli.

Sipas tij nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e saj.

Topalli ka shtuar gjithashtu se janë identifikuar edhe 13 viktimat e aksidentit ndërsa ka dhënë edhe emrat e tyre.

1. Denisa Flamur Guzi, vjeç 21, banuese në fshatin Mashan, Komuna Kodovjat, Gramsh
2. Ermira Idriz Mana, vjeç 22, banuese në fshatin Shelcan, Elbasan
3. Aurora Artan Molla, vjeç 21, nga fshati Verdove i Pogradecit
4. Lindita Hekuran Kabashi, vjeç 21, banuese në fshatin Shtermen, Komuna Gostime, Elbasan
5. Joana Flamur Debinja, vjeç 22, nga fshati Çermë Sektor, Komuna Tërbuf, Lushnjë
6. Elsa Gëzim Daka, vjeç 22, nga Elbasani banuese në fshatin Kuqan,
7. Juliana Dilaver Tola, vjeç 21, banuese në fshatin Mirak, Librazhd,
8. Fabiola Mustafa Shehi, vjeç 22, nga Bërxulla Tiranë
9. Eriola Sajmir Xhoi, vjeç 28, nga Elbasani,
10. Eranda Kristaq Baloshi, vjeç 22, banuese në fshatin Katundi i Ri Bradashesh, Elbasan
11. Dorina Hasan Stafa, vjeç 21, nga Kruja
12. Armand Halilaga, vjeç 23, nga Kavaja
13. Pëllumb Çela, drejtuesi i mjetit, nga Elbasani
 

Sipas tij aktualisht po kurohen në Spitalin Ushtarak Tiranë 15 shtetase, të cilat mbetën të dëmtuara nga ky aksident i rëndë ndërkohë që në spitalin e Vlorës po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore 10 studente të tjera ndërsa studentja e dëmtuar që gjendej në spitalin e Himarës, pasi ka marrë ndihmën e nevojshme është larguar nga ambientet e spitalit.

Topalli ka shtuar më tej se për menaxhimin e kësaj ngjarje të rëndë dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme personave të dëmtuar, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat e administratës shtetërore, të angazhuara në këtë operacion, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Mbrojtjes, Drejtoria e Emergjencave Civile, si dhe Organet e Qeverisjes Vendore.

Gjithashtu sipas Topallit në operacionin e shpëtimit të pasagjerëve të dëmtuar nga strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore Vlorë, të Repartit Delta Force, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Po ashtu në dhënien e ndihmës u përfshinë dhe banorët e zonës.

“Për transportin e menjëhershëm të të dëmtuarve dhe viktimave të këtij aksidenti të rëndë u vunë në dispozicion helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu dhe ambulancat e rretheve Vlorë, Sarandë dhe Himarë. Njëkohësisht Policia Rrugore dhe ajo e Rendit organizuan punën për mbajtjen hapur të të gjitha akseve rrugore dhe për dhënien e ndihmës së shpejtë. Në Drejtorinë e Përgjithshëm të Policisë u ngrit një grup pune, i cili koordinoi gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje. Në vendin e ngjarjes për menaxhimin dhe drejtimin e operacionit të shpëtimit ka qenë prezent Ministri i Brendshëm dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Krahas veprimeve të kryera për dhënien e ndihmës dhe transportimin e të dëmtuarve, nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, në përbërje të të cilit janë dhe ekspertë të strukturave qendrore të Policisë Rrugorë, Ekspertë Kriminalistë, si dhe Ekspertë mjeko ligjorë, ka vazhduar punën për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të këtij aksidenti të rëndë” shtoi Topalli.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›