Aksidenti në Himarë, familjet e viktimave hapin dyert e mortit

Sot kanë hapur dyert e mortit 13 familje të viktimave që humbën jetën një ditë më parë në aksidentin tragjik në qafën e Vishës në Himarë. Dhimbja e familjarëve, të afërmëve dhe miqve të tyre ndihet menjëherë, sapo afrohesh drejt banesave të tyre, pasi njoftimi i vdekjes në shtyllë të sinjalizon humbjen e jetës së një të riu.
Kamera e “Ora News ka shkuar në banesën e Armando Halilagaj 24 vjeç nga Kavaja, i cili kishte shoqëruar të fejuarën e tij Besjana Xheneti për në ekspeditë, por që fatkeqësisht nuk mundi ti mbijetonte aksidentit, ashtu si e dashura e tij. Familjarët e tij shprehin dhimbjen dhe fatkeqësinë që ka mbuluar shtëpinë e tyre tashmë në zi.
Edhe familja e Dorina Stafës në Krujë ka hapur dyert e zisë për vdekjen e parakohshme të vajzës së tyre. Lotë dhe dhimbje kanë pushtuar shtëpinë e saj, ndërsa ato që nuk mund të përballojnë humbjen e 21- vjeçares janë prindërit dhe motra e vëllezërit e saj. Babai i Dorinës, Hasan Stafa shprehet dhimbje për vdekjen e vajzës së tij, por edhe fajëson organet shtetërore për mungesë të masave të nevojshme.
Edhe banorët e fshatit Çermë-Sektor në Lushnje kanë jetuar sot me tragjedinë e shpallur ditë zie kombëtare. Një prej viktimave të ngjarjes tragjike është edhe Joana Debinja, 21 vjeç, e cila ka humbur bashkë me 12 persona të tjerë. Sipas banorëve 21-vjeçarja ishte vajza e madhe e familjes Debinja, ndërsa mes dhimbjesh dhe lotësh, sipas të afërmëve të saj, babai i vajzës ishte shprehur kundër këtij udhëtimi, si pasojë e rrugës së gjatë dhe kthesave të shumta që e karakterizonin. Mëngjesin e sotëm vajza e tyre Jonana është kthyer në shtëpi e mbërthyer në arkivol për tu përcjellë më pas për në banesën e fundit.