E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Himarë, policia: Shkak shpejtësia

Policia e shtetit ka deklaruar sot se shkak për aksidentin në Himarë është bërë shpejtësia me të cilin udhëtonte autobuzi. "Bazuar në konstatimet në vendin e ngjarjes dhe në provat e fiksuara nga hetimet paraprake të grupit të specialistëve është konkluduar se sistemi i frenimit dhe drejtimit të automjetit kanë qenë të rregullt në momentin e aksidentit dhe shkaku kryesor i këtij aksidenti ka qenë mosrregullimi i shpejtësisë në këtë aks rrugor nga drejtuesi i mjetit, duke bërë që mjeti të dalë jashtë kontrollit, mjeti nuk është komanduar në kthesë e për pasojë ka dalë nga rruga duke rënë në humnerë shtoi ajo.

Sipas zëdhënëses së policisë së shtetit,  rruga në të cilën ndodhi aksidenti është brenda parametrave të kërkuara dhe e pajisur me sinjalistikën e nevojshme.

“ Segmenti rrugor ku ka ndodhur aksidenti është një rrugë e rregullt me të gjithë parametrat, i pajisur me sinjalistikën e nevojshme horizontale dhe vertikale, si dhe me parmakët metalik anësor mbrojtës. Në bazë të sinjalistikës vertikale të vendosur nga Enti Pronar i Rrugës, shpejtësia e lejuar për këtë segment rrugor është 20 km/orë. Gjithashtu në këtë aks ka dhe tabela paralajmëruese që tregojnë se rruga ka një pjerrtësi 10%, si dhe tabela të tjera që paralajmërojnë drejtuesin e mjetit se në këtë aks kemi të bëjmë me kthesa të dyfishta” theksoi ajo.

Sipas policisë, nga këqyrja e automjetit nuk konstatohet ndonjë dëmtim tek sistemi i drejtimit të automjetit, nga ku rezulton se ky sistem ka qenë në rregull në momentin e aksidentit.  “Gjendja teknike e gomave të mjetit ishte e rregullt, ndërkohë goma e krahut të majtë rezulton të jetë çarë në momentin e kontaktit me bordurën mbrojtëse dhe nuk ka pasur një skopjim të gomës. Nga këqyrja e gjurmës së frenimit në vendin e ngjarjes rezulton se në momentin e aksidentit sistemi i frenimit të automjetit ka funksionuar, por nuk ka qenë i suksesshëm në eliminimin e aksidentit, pasi bazuar në provat e fiksuara në vendin e ngjarjes dhe gjurma e frenimit, shpejtësia ka qenë më e madhe se ajo e lejuar në këtë aks rrugor dhe drejtuesi i mjetit ka reaguar me vonesë për të ulur shpejtësinë e mjetit të mësipërm” shton zëdhënësja duke shtuar se vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje të rëndë.

Si pasojë e një aksidenti tragjik në Himarë humbën jetën 11 studente të Universitetit "Aleksandër Xhuvani, drejtuesi e mjetit, i fejuari i njërës prej studenteve dhe u plagosën 26 studente të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›