E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti në Kërrabë, arrestohet shoferi, 4 në spital

Në pranga ra shtetasi Mithat Biçaku, menjëherë pas mjekimit të marrë në spital. Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, e cila dyshon se shkak i aksidentit ka qenë mos zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor.

Autobusi sipas ekspertëve nuk ka shenja goditjeje, ndryshe nga se u tha më parë nga drejtuesit e Aleancës Kuqezi, se aksidenti është shkaktuar nga një makinë fuoristradë. Ndërkohë, në spitalin e Elbasanit ndodhet të shtruar edhe 4 persona të plagosur. Mjeku reanimator, Behar Gjevori tha të dielën paradite se “nga 29 persona që u paraqiten të shtunën në spitalin e Elbasanit, aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve vetëm 4 prej tyre”. Sipas hetimeve të para të policisë rezulton se autobusi me aktivistë të Aleancës Kuq e Zi është aksidentuar në aksin kombëtar Tiranë-Elbasan, në vendin e quajtur “Qershitë”, për shkak të humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesi  të automjetit.

Si pasojë e humbjes së kontrollit, drejtuesi i autobusit ka devijuar drejtimin e lëvizjes duke dalë nga korsia e rrugës, me pasojë përmbysjen disa metra poshtë në shpatin e një kodre të pyllëzuar me qershi.  “Hetimet janë paraprake, ndërkohë që po vijon puna për ekspertimin e gjendjes teknike të mjetit të aksidentuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtuesi i autobusit, Mithat Biçaku ka pretenduar se automjeti i ishte nënshtruar kontrollit teknik, sikurse parashikohet në ligj. Gjithsesi, ekspertët më të mirë të fushës, janë duke punuar  për dokumentimin e provave që do çojnë në zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, fatmirësisht pa viktima. /Start/

                                                                                             2012-06-17 12:04
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›