E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti në Qafë-Kërrabë, AK: Policia të mos zvarrisë zbardhjen e ngjarjes

Gazeta Shqip

Aleanca Kuq e Zi ka reaguar sot lidhur me hetimet për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme në Qafë-Kërrabë, ku një autobus që transportonte aktivistë të saj doli nga rruga duke përfunduar më shumë se 10 metra poshtë saj. Në deklaratën e shpërndarë për mediat, Aleanca Kuq e Zi ka shprehur shqetësimin për zvarritje të hetimeve dhe ka  akuzuar policinë se po vonon zbardhjen e identitetit të drejtuesit të automjetit “Range Rover”, i cili sipas dëshmitarëve të ngjarjes, aktivistëve të Aleancës që ndodheshin në autobus, shkaktoi edhe aksidentin, nga i cili fatmirësisht nuk u shënuan viktima.

Aleanca Kuqe Zi vijon të jetë e shqetësuar për punën e ngadaltë të strukturave të policisë së shtetit shqiptar, të cilat gjatë 20 orëve të fundit kanë treguar se nuk janë në gjendje të lokalizojnë dhe identifikojnë e ndalojnë një automjet të tipit Range Rover i zi me targa Tirane, që sipas dëshmitarëve dhe delegatëve të Aleancës Kuq e Zi është shkaktar i aksidentit të ditës së djeshme, ku rrezikuan jetën 35 aktivistët e Aleancës Kuq e Zi, – thekson AK.

Në këtë kontekst, Aleanca Kuq e Zi ka hedhur edhe aludimet e mundshme për një përfshirje të strukturave shtetërore në aksidentin e djeshëm. Sipas deklaratës së AK, automjetet tip Range Rover me targa Tirane, janë të strukturave shtetërore, duke qenë se automjeti për të cilin flasin dëshmitarët ishte një makinë prodhim i viteve 2007-2008, ndërkohë që mbante një targë të vjetër të vitit 94, gjë që sipas njoftimit të AK bëhet zakonisht nga makinat e zyrtarëve.

Më tej Aleanca Kuq e Zi është treguar e gatshme të vihet në dispozicion të drejtësisë për hetime të mëtejshme lidhur me ngjarjen.

17 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Aksidenti në Qafë-Kërrabë, AK: Policia të mos zvarrisë zbardhjen e ngjarjes burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›