E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Aksidenti në Sarandë/ Pezullohet nënkomisari, në hetim zinxhiri komandues i Vlorës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka reaguar në lidhje me aksidentin e sotëm në aksin rrugor Sarandë–Ksamil, ku humbën jetën dy turistë italianë si pasojë e përplasjes me motomjetin e tyre.

Rrumbullaku urdhëroi ngritjen e një grupi të posaçëm pune për të hetuar shkaqet e aksidentit dhe menaxhimin e qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë së Sarandës.

Sakaq, në lidhje me këtë ngjarje është pezulluar nga detyra për shkelje të kompetencave të policisë, shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë.

Po ashtu ka nisur hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës dhe mosmarrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë sezonit turistik.

“Ndërkohë, është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar A. Sh. Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç,” thuhet në njoftim.

Mëngjesin e sotëm dy shtetas italianë humbën jetën si pasojë e aksidentit në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›