Zjarret në vend, ministri Balla: Do i ndjek personalisht çështjet penale për ndëshkimin e këtij krimi barbar

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka premtuar se do i ndjekë personalisht të gjitha çështjet penale për ndëshkimin e atyre që ndezin qëllimisht zjarre, duke e quajtur “krim barbar”.
Zoti Balla me një status në Facebook njoftoi se deri tani janë 23 të arrestuar për veprën penale të shkatërrimit të pronës përmes zjarrit.
Policia e Shtetit po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara ndaj mjedisit, pronës private e publike dhe rrezikut ndaj jetës së banorëve.
“Zjarret në vend…Me personin e arrestuar mbrëmë në Levan, shkon në 23 numri i arrestuarve për veprën penale të shkatërrimit të pronës përmes zjarrit. Policia e Shtetit po vijon punën për dokumentimin e dëmeve të shkaktuara mjedisore, pronës private dhe publike dhe rrezikimit të jetës së banorëve. Do t’i ndjek personalisht të gjitha këto çështje penale në procedurat gjyqësore për ndëshkimin e një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg” shkruan zoti Balla në rrjetet sociale.
Pak ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama u shpreh me ashpërsi ndaj zjarrvënieve të qëllimshme. Ai kujtoi se djegia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe u bëri thirrje prokurorëve dhe gjykatësve që të zbatojnë rreptësisht ligjin./ rtsh /