Laç/ Në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal, arrestohet 42-vjeçari

Një 42-vjeçar është arrestuar në Laç këtë të enjte (24 gusht), i shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një grupi kriminal. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia bën me dije se 42-vjeçari me inicialet E. D., banues në Kurbin ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, për veprën penale “Grup kriminal në fushën e trafikimit të narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
42-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në një organizatë kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, që operonte kryesisht në Milano dhe synonte trafikun e kokainës në nivel ndërkombëtar.
Pjesëtarët e organizatës kishin në dispozicion disa banesa në Milano, që i përdornin për veprimtarinë e tyre kriminale.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.
/rtsh.al/