E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e akademikut Bahri Beci, Kurti telegram ngushëllimi kryebashkiakut Beci

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka nisur një telegram ngushëllimi kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për ndarjen nga jeta të babait të tij, akademikut Bahri Beci.

“Shpresoj që ky telegram t’ju gjejë mirë bashkë me familjen tuaj. Me pikëllim e kam lexuar njoftimin për vdekjen e babait tuaj, Bahri Becit, të dielën e 20 gushtit. Më lejoni që nëpërmjet këtij telegrami t’ju përcjell ngushëllimet e mia më të ndjera për babain tuaj, Bahri Becin, shkencëtarin e shquar të studimeve gjuhësore dhe akademikun e nderuar të dy akademive tona,” shkruan Kurti.

Duke qenë se fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes, Kurti në telegramin e tij kujton se emrin e akademikut e ka hasur në vitet pas luftës në Kosovë.

Kurti shprehet se dallimet mes dialekteve të shqipes dhe nëndialekteve të gjuhës së Kosovës, akademiku Bahri Beci i ka trajtuar e studiuar me kompetencë profesionale në shumë vepra dhe punime shkencore.

“Atë kohë, në Kosovën e sapoçliruar dhe të hapur për diskutime të lira, flitej dhe debatohej ndër të tjera edhe për dallimet mes dialekteve të shqipes dhe nëndialekteve të gjuhës sonë, tema këto që akademiku Bahri Beci i ka trajtuar e studiuar seriozisht dhe me kompetencë profesionale në aq shumë vepra dhe punime shkencore.

Kurdo dhe sido që vdesin prindërit, cilado qoftë mosha e tyre dhe mosha jonë, gjithmonë është tronditje emocionale dhe goditje shpirtërore. Jam i sigurt që akademik Bahri Beci, siç na la gjithë ato vepra të shkruara, juve si familje e tij duhet të ju ketë lënë edhe shumë kujtime familjare me vetë shembullin e jetës së tij. Shpresoj që mes veprave të shkruara dhe kujtimeve të babait tuaj, ta gjeni forcën për ta përballuar këtë dhimbje, në të cilën nuk jeni vetëm”, përfundon Kurti në telegramin e tij.

Bahri Beci, akademik dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, u nda nga jeta më 20 gusht. Bahri Beci, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare për më shumë se gjashtë dekada, ishte autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, fonetikës, gramatikës, i rrugës së formimit të shqipes së njësuar, i historisë së gjuhës shqipe dhe i statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›