E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti, përplasja fatale merr jetën e 6 personave



FUSHË KRUJË – Përplasja e një ambulance dhe një automjet ka shkaktuar një bilanc tragjik; të paktën gjashtë persona gjetën vdekjen në ngjarjen e ndodhur mbrëmë, rreth orës 20.35 minuta në aksin Fushë-Krujë – Laç. Në afërsi të fshatit Derven të rrethit të Krujës, ambulanca e spitalit të Laçit, me targa LA 69 04 A, drejtuar nga shtetasi Vlash Suti dhe makina tip benz me targë TR 15 79 A janë përplasur me njëra-tjetrën, duke sjellë vdekjen të gjithë udhëtarëve që ndodheshin në të dyja mjetet. Burimet në Spitalin Ushtarak në Tiranë bëjnë të ditur se të gjithë të aksidentuarit që mbërritën për ndihmë kishin ndërruar jetë. Një fakt i tillë është konfirmuar për mediat edhe nga drejtori i Spitalit, Bedri Mihaj. Sipas të dhënave të para, thuajse të gjithë personat e vdekur janë të moshës së re. Burimet bëjnë të ditur se emrat e viktimave janë: Vlash Suti, rreth 50 vjeç, drejtuesi i ambulancës së Spitalit të Laçit, Artan Alushi, 30 vjeç; Indrit Kaçi, 18 vjeç; Eri Murati 17 vjeç: Ilir Murati, 15 vjeç dhe Florian Muzhaqi. Thuajse të gjitha viktimat janë nga qyteti i Laçit.
Aksidenti
Disa të rinj që po udhëtonin nga Laçi në drejtim të kryeqytetit, me mjetin tip Benz Mercedes, me targa TR 15 79 A, kanë shtuar shpejtësinë, pa e kuptuar se çfarë do të ndodhte vetëm disa minuta më vonë. Kur janë afruar në afërsi të Dervenit kanë parë dhjetëra metra larg një mjet tjetër që po ecte me shpejtësi. Në krahun tjetër të rrugës me drejtim nga Tirana në drejtim të Laçit ishte Vlash Suti, i cili drejtonte ambulancën e Spitalit të Laçit. Distanca ka qenë aq e shkurtër sa nuk iu ka dhënë mundësi dy drejtuesve të mjeteve që të manovrojnë për shkak të shpejtësisë. Përplasja i ka nxjerrë dy mjetet jashtë rruge, ku benzi ka fluturuar mbi 100 metra, poshtë në kanal, duke rënë në një zonë të mbushur me ferra. Edhe ambulanca ka dalë jashtë rruge. Personat e pranishëm në vendngjarje kanë shkuar me urgjencë për të nxjerrë personat e aksidentuar nga mjetet. Por, operacioni më i vështirë ishte për të ndihmuar të rinjët që ndodheshin brenda benzit, i cili ishte dëmtuar tërësisht. Sipas të dhënave të para, katër persona kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërsa dy të tjerë kanë arritur të mbijetojnë vetëm disa minuta.
Në përfundim, thuajse të gjithë udhëtarët që ndodheshin në dy mjetet kanë humbur jetën.
Hetimi
Një patrullë policie shkoi menjëherë në vendngjarje, ndërsa të gjithë personat që u nisën me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë gjetën vdekjen. Burime zyrtare pohojnë se mjeti tip benz ku ndodheshin katër të rinjtë ka dalë nga korsia e tij, duke tentuar që të parakalojë me shpejtësi të madhe. Sipas dëshmive në vendngjarje, kjo shkaktoi edhe aksidentin me pasojë vdekjen e të gjithë pasagjerëve që ishin në dy mjete. Policia mori dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm në momentin e aksidentit.
Aksi me dy korsi, Fushë-Krujë – Laç ka qenë vazhdimisht burim aksidentesh. Madje, është konsideruar shpeshherë si aksi i vdekjes. Me fondet e buxhetit të shtetit ka nisur zgjerimi i saj, duke e bërë me katër korsi. Në këto momente në disa segmente të kësaj rruge po kryhen punime nga kompanitë që po merren me realizimin e këtij projekti.

VIKTIMAT
Vlash Suti, rreth 50 vjeç
Artan Alushi 30 vjeç
Indrit Kaçi, 18 vjeç
Eri Murati 17 vjeç
Ilir Murati, 15 vjeç
Florian Muzhaqi

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›