E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat vjedhin kazinonë, grabitësit ishin vetë punonjësit



KORÇË - Grabitet me armë një kazino në Korçë, ku dy prej autorëve të ngjarjes janë vetë punonjësit e kazinosë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e ditës së diel në Lagjen Nr. 15 në Korçë, kur tre persona, dy prej të cilëve ishin punonjës të pikës së lojërave të fatit “Admiral Club”, kanë grabitur, duke terrorizuar stafin e kazinosë me armë. Burime zyrtare nga Policia e Korçës bëjnë të ditur se autorët e dyshuar të kësaj grabitjeje janë dy vëllezërit, Leonard Bostanxhi, i moshës 40-vjeç, Endri Bostanxhi, 34 vjeç, si dhe Kostika Simaku. 34-vjeçari Bostanxhi ishte punonjës sigurie, ndërsa Kostika Simaku është punonjës në këtë pikë lojërash fati. Dyshohet se autorët e kishin planifikuar grabitjen qysh më parë dhe në bashkëpunim me vëllanë e njërit prej autorëve kanë vendosur të kryejnë vjedhjen. Ata kanë vendosur të sulmojnë mbrëmjen e 29 nëntorit duke e shikuar terrenin të favorshëm për të vepruar. Sipas punonjësve të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, tre persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e kazinosë dhe u kanë bërë shantazh me armë zjarri personave që ndodheshin brenda. Dyshohet se shtetasi Leonard Bostanxhi mbante armën e zjarrit në dorë dhe ka detyruar punonjësit t’ia jepnin shumën e lekëve që ndodhej në arkë. Ai ka mundur të vjedhë një sasi prej 230 000 lekësh. Pasi ka marrë shumën e parave, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Ky i fundit ishte ndihmuar dhe nga dy persona të tjerë, nga vëllai i tij dhe një punonjës tjetër i kazinosë, pikërisht nga Kostika Simaku. Pasi ndodhi ngjarja punonjësit e kazinosë lajmëruan menjëherë policinë. Forca e policisë së Korçës mbërritën pranë lokalit të lojërave të fatit për të bërë këqyrjen e provave, ndërsa morën në pyetje të dëmtuarit për të siguruar të dhënat e autorëve. Burime nga policia thanë se pas disa orësh hetimi për të identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar, është arritur të bëhet identifikimi i tyre. Dy prej tyre janë punonjës të lokalit të grabitur, të cilët dyshohet se janë dhe ideatorët e kësaj ngjarjeje, ndërsa ka qenë vëllai i njërit prej punonjësve, i cili i ka ndihmuar për të kryer vjedhjen. Burime policore pohuan se autorët janë shpallur në kërkim. Dy vëllezërit Bostanxhi dhe Kostika Simaku akuzohen për veprën penale të “vjedhjes me armë në bashkëpunim”.

Autorët
Endri Pëllumb Bostanxhi, lindur dhe banues në Korçë, punonjës sigurie te “Admiral Club”

Leonard Pëllumb Bostanxhi, lindur dhe banues në Korçë

Kostika Stavri Simaku, lindur dhe banues në Korçë, punonjës në pikën e lojërave të fatit “Admiral Club”

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›