E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv në shtëpinë e vjehrrit të nënkryetarit të KLD-së



Eljona Lata

DURRËS - Një shpërthim i fortë ka ndodhur mbrëmjen e ditës së diel në shtëpinë e vjehrrit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, lënda plasëse ishte vendosur në hyrje të banesës së shtetasit Ramazan Gjuzi, te dera e jashtme e shtëpisë, e cila ndodhet në Lagjen Nr. 12 në Durrës. Nga ky shpërthim nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme të mëdha materiale. Në momentin e shpërthimit nuk ndodhej asnjëri prej pjesëtarëve të familjes Gjuzi në apartament.
Ngjarja
Ka qenë ora 19:30 minuta e mbrëmjes së të dielës kur është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në katin e tretë të një pallati në Lagjen Nr. 12 në qytetin bregdetar. Menjëherë pas shpërthimit është lajmëruar policia, e cila mbërriti në vendngjarje dhe konstatoi se në derën e jashtme të apartamentit në pronësi të shtetasit Ramazan Gjuzi, ishte vendosur një sasi e konsiderueshme eksplozivi që ka shpërthyer më forcë derën, duke e shkatërruar atë pjesërisht. Sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në hyrje të apartamentit, ku jeton nëna si dhe dy vëllezërit e bashkëshortes së Kreshnik Spahiut. Por, fatmirësisht familjarët e objektivit të sulmit nuk ndodheshin në banesë në momentin e ngjarjes. Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, edhe te banesat e tjera në pallat, pasi tronditja ka qenë e shumtë, por nuk ka plagosur asnjë nga banorët e shkallës. Banorët kanë qenë të tmerruar sepse një pjesë e tyre kanë qenë në shtëpi dhe zhurma e fuqishme tronditi banesat e tyre.
Hetimi
Një grup hetimor ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, i cili ka sekuestruar një fitil zjarrpërcjellës dhe po shqyrton të gjitha detajet e mundshme mbi ngjarjen në fjalë, për të zbuluar shkaqet e saj. Nga ana e tyre, familjarët e dëmtuar kanë pohuar paraprakisht se nuk kanë konflikt me asnjë person. Nga hetimet paraprake policia pohon se lloji i eksplozivit i përdorur nga autorët ka qenë tritol, ndërsa nuk ka ende dijeni për autorët e ngjarjes. Policia konfirmon se nuk dihet shkaqet që kanë nxitur autorët të kryejnë një akt të tillë dhe nëse objektivi i tyre ishte për të vrarë ndonjë prej pjesëtarëve të familjes Gjuzi apo ndonjë tjetër që banon në të njëjtën shkallë të pallatit ku ndodhi shpërthimi. E njëjta gjë mund të thuhet nëse ngjarja ka apo jo lidhje me detyrën që mban nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, dhëndër në familjen Gjuzi.
Atentatit ndaj të afërmeve të nënkryetarit të KLD-së nuk është rasti parë i atentateve ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Ndër vite ka pasur sulme të shpeshta kundrejt zyrtarëve. Ardian Nuni, anëtar i Gjykatës së Lartë, është plagosur pak muaj më parë në krah dhe shpinë me armë zjarri. Pirro Sota, gjyqtar i Gjykatës së Faktit Fier, u sulmua më 30 korrik të vitit 2006, ku iu vu tritol në banesë dhe u dëmtua banesa dykatëshe në pronësi të tij. Po ashtu, Jak Ndokës iu vu një sasi lënde eksplozive në mjetin e tij, të parkuar para banesës në qytetin e Lezhës.
Hetimet që po bëhen nga ekspertët e Policisë së Durrësit, të ndihmuar edhe nga specialistë të Ministrisë së Brendshme, që do të nxjerrin detaje nëse kjo ngjarje ka lidhje me nënkryetarin e KLD-së dhe raportet për shkak të detyrës.

1 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›