Islami: Përjashtimi im, Rama po rikthen PS në Parti Komuniste
“Jam i vendosur në qëndrimet e mia parimore dhe i bindur se vetëm në këtë rrugë PS mund të ketë shanse për të fituar zgjedhjet në 2013. Shqetësimet e mia të ngritura në formën e këshillave kanë shqetësuar dhe vendosur në panik Ramën deri në atë masë, sa të shkojë në propozimin e masës ekstreme të “çregjistrimit tim nga grupi”
Fakti se është vendosur në shënjestrën e kreut socialist Edi Rama për ta çregjistruar nga grupi parlamentar, jo vetëm që s’e ka stepur deputetin Kastriot Islami, por e ka bërë edhe më këmbëngulës në qëndrimet e tij mospajtuese me lidershipin socialist. Ndërsa ka shmangur komunikimin direkt më mediat, Islami ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të shprehur bindjen e tij se i gjithë sulmi për përjashtimin e tij nga grupi nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të goditur kundërshtarët dhe zërin ndryshe. “Shqetësimet e mia të ngritura në formën e këshillave kanë shqetësuar dhe vendosur në panik Ramën deri në atë masë, sa të shkojë në propozimin e masës ekstreme të çregjistrimit tim nga grupi parlamentar”. Kjo duket një masë për të goditur kundërshtarët politikë dhe mbyllur të gjitha shtigjet për të pasur mendim ndryshe, ashtu siç veprohej dikur në Partinë Komuniste, nga e cila ka lindur PSSH. Jam i vendosur në qëndrimet e mia parimore dhe i bindur se vetëm në këtë rrugë PS mund të ketë shanse për të fituar zgjedhjet në 2013”, - shprehet Islami në faqen e tij. Në komentin e tij në këtë faqe, Islami shprehet gjithashtu se për shkak të përçarjes PS rrezikon të humbasë edhe zgjedhjet e vitit 2013. “Për shkak të përçarjes dhe zbehjes të së majtës PS ndodhet në opozitë prej 8 vjetësh dhe gjasat janë që edhe në 2013, në rast se e majta mbetet e përçarë, të humbasë zgjedhjet”, - arsyeton deputeti i PS.
Meidani
Më tej ai replikon me Ramën për atë që ky i fundit kishte shprehur në komentin e tij të dy ditëve më parë, ku kritikonte ish-presidentin Meidani për sa i përket nevojës së bashkimit të së majtës për të fituar zgjedhjet. Duke dalë në krah të ish-kreut të shtetit, Islami e konsideron të pamoralshme qëndrimin e Ramës ndaj Meidanit, duke e konsideruar këtë të fundit një njeri me integritet të lartë moral.
“Nga përsiatjet javore (tanimë të çrregullta) që shoqërojnë tutimet (në shqip: cicërimet) e Ramës, lidhur me bashkimin e së majtës, por që në fakt përbëjnë kritika direkte ndaj Meidanit, pas sulmit banal të organizuar në Kongresin e fundit të PSSH do të shtroheshin këto pyetje:
1) Përse Rama nuk e mbajti premtimin “solemn” për bashkimin e së majtës, që e deklaroi në 2005, në zgjedhjet e vitit 2009? Kishte arsye morale, dhe cilat ishin këto ndërkohë që marrëdhëniet me Metën nuk ishin ato që janë sot? Cila është përgjegjësia e Ramës që nuk e mbajti këtë premtim, kur dihet që bashkimi do të sillte në pushtet të majtën e bashkuar? A e kishte të qartë Rama se një koalicion PS plus LSI në 2009-ën do të nxirrte PD në opozitë me jo më shumë se 68 deputetë? Apo edhe për këtë fajin e ka sistemi zgjedhor?
2) Përse për interesin e tij për t’u zgjedhur në bashki Rama bëri koalicion me Metën në 2007, gjë që s’e bëri në 2009? Këtë radhë kishte arsye morale dhe cilat ishin? Çfarë ndryshoi në 2009-ën që Rama pasi kishte bërë koalicion për interesin e tij personal, në 2007-ën nuk arriti të bashkonte të majtën siç kishte premtuar në zgjedhjet e përgjithshme?
3) Përse në librin e tij ‘Kurban’ (nuk e kam lexuar librin, por nga shtypi kam lexuar pjesën që flet për Metën) që e boton në 2011-ën dhe pasi e ka denigruar Metën për dy vjet me radhë i jep një mundësi të dytë “për t’u bashkuar”? Çfarë elementi moral do të mund të ndryshonte Meta që të bëhej i pranuar nga Rama dhe kështu të mund të fitonte “shansin e dytë për t’u bashkuar me Ramën”?
4) Nëse nga zgjedhjet e 2013-ës do të rezultojë një rezultat i tillë që me mandatet e fituara nga PS dhe me mandatet e fituara nga LSI do të mund të formohet mazhorancë qeverisëse, a do të pranojë PS të bëjë koalicion me LSI-në (sigurisht që kjo do të varej nga LSI, por pyetja shtrohet cili do të ishte pozicioni i PS-së) për të sjellë socialistët në pushtet? Apo thjesht për arsye morale do ta refuzojë dhe do t’i lërë socialistët edhe katër vjet në opozitë?
5) Po t’i referohemi rezultatit zgjedhor në 10 vitet e fundit dhe sidomos tri humbjeve të së majtës së përçarë në 2005, 2009 dhe 2011 dhe fitores në 2007-ën të së majtës së bashkuar, a do të pranonte PS thjesht për arsye morale të vazhdonte të qëndronte në opozitë duke paraqitur si arsyetim çështjen e mospërputhjes së moraleve të Ramës me atë të Metës?
6) Kur Rama flet për çështje morale me ish-presidentin Meidani ka parasysh koalicionin Rama-Meta apo PS-LSI? E thënë më thjesht, Rama konsideron të pamoralshëm Metën apo 120 mijë votuesit e LSI-së? Pra Rama nuk bashkohet për arsye morale dhe vazhdon të mbajë PS në opozitë se nuk mund të bashkohet me Metën apo me LSI?
Këto janë vetëm pak pyetje për të testuar “moralin” e përmendur në përsiatjen e së shtunës.
“Së fundmi një koment nga LMN: Është jo vetëm e pasaktë, por edhe e pamoralshme që Rama të pretendojë se na bëka analiza politike e morale, ndërkohë që Prof. Meidani që njihet e perceptohet publikisht për integritet dhe moral shumë të lartë, na bëka analiza aritmetike! Kjo nuk është e moralshme, që t’i shesësh moral personit që si pikën më të fortë ka integritetin dhe moralin dhe të tallesh duke i thënë se flet aritmetikisht ndërkohë që kapaciteti yt aritmetik është i ulët…”, - përfundon Islami komentin e tij për shkrimin e Ramës.