Aksidenti, shtatë viktima në "Autostradën e Vdekjes"
Aksident i rëndë automobilistik në Derven të Krujës, shtatë persona humbin jetën. Janë përgjakur sërish rrugët në Qarkun e Durrësit, duke e kthyer në tragjik bilancin e viktimave përgjatë katër muajve të fundit. Aksidenti i radhës ndodhi në aksin rrugor kombëtar Fushë-Krujë - Laç, pikërisht në fshatin Derven, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së kaluar. Shpejtësia tej normave të lejuara nga të dy automjetet e përfshira në aksident deklarohet të ketë qenë shkaku i ngjarjes së rëndë rrugore me pasoja fatale për jetët e shtatë personave. Policia ka konfirmuar rreth një orë pas aksidentit numrin dhe emrin e viktimave, kryesisht persona në moshë të re. Automjetet e përfshira në aksident ishin një autoambulancë e Laçit me targa LA6904A dhe një "Mercedes Benz" me ngjyrë gri dhe targa TR1579A. Dy mjetet udhëtonin në drejtime të kundërta dhe si pasojë e shpejtësisë në lëvizje nuk kanë mundur të shmangin përplasjen, e cila ka qenë fatale për të gjithë personat që udhëtonin në to. Tre prej tyre humbën menjëherë jetën, ndërsa katër të tjerët u dërguan në spital për të marrë ndihmën mjekësore, e cila nuk ka qenë e nevojshme. Si pasojë e përplasjes, autoambulanca e drejtuar nga shtetasi Vlash Suti, 50 vjeç nga Laçi, ka dalë jashtë rruge, ndërsa të pestë të rinjtë që ndodheshin në "Benz" kanë pësuar dëmtime të rënda që u kanë shkaktuar vdekjen më pas, ndonëse janë dërguar të gjithë në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas burimeve të policisë lokale, drejtuesi i autoambulancës, 50-vjeçari Suti, ka qenë ndër të parët që ka humbur jetën. Vëllezërit Eri dhe Ili Murati, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç, Indrit Kaci 18 vjeç, Florian Muzhaqi, 26 vjeç dhe Artan Alushi, 30 vjeç, janë viktimat që udhëtonin me "Benzin" me targa të Tiranës. Të pestë të rinjtë janë banorë të fshatit Bushnesh të Krujës. Ndërkohë, në spital ka ndërruar jetë edhe një person i shtatë, i cili udhëtonte në autoambulancë, emri i të cilit nuk është mundur të mësohet deri në orët e vona të natës. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policore, ndërsa qarkullimi është bllokuar e më pas ka qenë i ngadaltë në këtë pjesë të aksit dhe përgjatë tij, për shkak të situatës së krijuar. Shkeljet e rregullave të qarkullimit vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, ndërsa kontrollet në rrugë nga inspektorët e qarkullimit rrugor vazhdojnë të jenë objekt aksionesh dhe jo të punës rutinore të kësaj strukture policore. Vera e kaluar solli një numër të lartë viktimash në superstradën Durrës-Tiranë dhe kryesisht në Maminas. Ngjarjet u shoqëruan me postblloqe dhe gjoba të shumta dhe më pas gjithçka u kthye në normalitet. Aksidenti i fundit e çon në 32 numrin e viktimave në rrugët e Qarkut të Durrësit, ndërsa mbi 150 të tjerë kanë mbetur të plagosur në to.