E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ish-policëve, peng në Kryesinë e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë mban peng ligjin për pensionet suplementare të policisë. Një kërkesë e dërguar në adresë të tyre nga Gjykata Kushtetuese, ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare, duke vonuar kështu vendimin për ankimimin që është bërë për rrëzimin e ligjit të ri për pensionet suplementare.
Kërkesa e Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë procedurën sesi është vendosur miratimi i ligjit nr 10142, datë 15.05.2009 "për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të forcave të armatosura, të punonjësve të policisë...". Kjo kërkesë ka ardhur pas fakteve të nxjerra në dritë gjatë një seance plenare, ku avokati mbrojtës, Thimio Kondi, i cili përfaqëson Sindikatën e Policisë dhe organizatën e ish-policëve, ka publikuar, duke deklaruar se nuk ishte zbatuar rregullorja e personelit. Ankesa e tij u bë gjatë seancës së fundit plenare, ndërkohë që përfaqësuesja e Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka ditur si të reagojë përballë këtyre fakteve. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën për vendimin mbi këtë ligj, nëse do e lërë në fuqi apo do e hedhë poshtë, duke përpiluar me kërkesë për informacion. Në këtë kërkesë, Kushtetuesja i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë gjithë procedurën e ndjekur për miratimin e ligjit të lartpërmendur. Por, deri tani, pavarësisht se kanë kaluar dy javë nga kërkesa, Kryesia e Kuvendit nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Sipas të dhënave, kjo përgjigje mund të ndikojë në vendimin e lënë peng për pensionet suplementare të punonjësve të policisë, të cilët pa përjashtim kanë kundërshtuar këtë ligj njëzëri dhe janë shprehur se nuk është marrë mendimi i tyre në lidhje me projektin e realizuar në mënyrë të pavarur vetëm nga Sigurimet Shoqërore.

Shkaqet e kërkesës
Në lidhje me këtë, Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se ndikon në shkaqet e kërkesës për shfuqizimin e dispozitave të ligjit të atakuar për pjesën që cenojnë apo kufizojnë të drejta konike e sociale të punonjësve të Policisë së Shtetit në lirim dhe të drejtat e pritshme të punonjësve efektivë. Sipas pretendimeve të ngritura, ligji për pensionet suplementare është miratuar duke shkelur standardin kushtetues të një procesi të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42/1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pikërisht në këtë nen deklarohet se liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Siç dihet, Gjykata Kushtetuese ka pranuar në një sërë vendimesh të saj legjitimin e personave juridikë, privatë apo publikë për vënien në lëvizje të saj për mbrojtjen e interesave të tyre të shkelura prej ligjeve apo akteve të tjera normative me karakter antikushtetues. Ligji që kundërshtohet dëmton rëndë të drejtat dhe interesat e ligjshme pasurore të anëtarëve të sindikatës dhe respektivisht të shoqatës, të garantuara prej Kushtetutës. Gjithashtu, kërkesa e gjykatës bazohet edhe në nenin 75/2 të Kushtetutës, ku deklarohet se Kuvendi organizohet dhe funksionon sipas rregullores së miratuar nga shumica e të gjithë anëtarëve.

Ankesa e mbrojtjes
Ditën e seancës plenare në Gjykatën Kushtetuese, pala mbrojtëse e punonjësve të policisë paraqiti një material shtesë. Pala mbrojtëse deklaroi se ligji që atakohet përpara Gjykatës Kushtetuese është miratuar në shkelje të hapur të procedurës për miratimin e tij, të parashikuar në rregulloren e Kuvendit, që është akt normativ me fuqinë e ligjit dhe që bazohet në dispozitat kushtetuese të përmendura më lart. "Shkelja e hapur e procedurës parlamentare e bën këtë ligj antikushtetues, edhe në eventualitetin që përmbajtja dhe forma e tij të mos përmbanin elemente pakushtetutshmërie", deklaroi pala mbrojtëse. Më tej, u shpjegua se projektligji në fjalë është hartuar dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave me vendimin në 452, datë 15.04.2009. Regjistrimi në administratën e Kuvendit mban numrin 1478 dhe datën 13.50.2009. Në tekstin e tij është shënimi i Kryetares së Kuvendit, ku citohet "Drejtorisë Juridike për veprim", pa ndonjë shënim në rubrikën "Futja në Program" dhe në rubrikës "shqyrtimi në seancë". Nga disa verifikime të kryera në rrugë informale nga ana e palës mbrojtëse rezulton se projektligji nuk është diskutuar në grupet e interesit dhe opozita nuk ka marrë pjesë në diskutimin e tij dhe as në votim.
Dërgimi në komisione
Gjithashtu, projektligji është diskutuar vetëm në Komisionin për Ekonominë dhe Financat dhe ka kaluar pas asnjë vërejtje thelbësore. Por, ai nuk ka kaluar dhe nuk është diskutuar në komisionet e tjera të Kuvendit, siç janë; Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; Komisioni për Punën dhe Çështjet Sociale dhe Komisioni për Sigurinë Kombëtare, siç e parashikon neni 19 dhe 70 i Rregullores së Kuvendit. Diskutimi dhe miratimi i projektligjit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat është bërë me datën 13.05.2009 dhe diskutimi e miratimi në seancë plenare është bërë me datën 15.05.2009. Në këtë rast është vepruar në kundërshtim të hapur me nenin 69 të rregullores së Kuvendit. Sipas këtij neni, në pikën 3 deklarohet se projektligjet nuk mund të futen në kalendarin e punimeve të Kuvendit, pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore parashikohet ndryshe... Në këtë rast nuk kanë kaluar as dy ditë nga data e paraqitjes së projektligjit në Kuvend deri në datën e shqyrtimit e miratimit të tij në seancë plenare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›