Salihi, xholi i çmuar i Rapidit, Pakult e lë jashtë supersfidës
Supersfida e kampionatit austriak mes Red Bull Salsburg dhe Rapidit të Vjenës është mbyllur në një barazim pa gola. Në fushë është zhvilluar një ndeshje e fortë dhe me raste në të dyja portat, por ku asnjëra prej tyre nuk ka mundur të përfitonte për të çuar të paktën një top drejt rrjetës. Por në fundin e ndeshjes, shtypi austriak ka filluar të bëjë llogaritë mbi mënyrat se si mund të transformohej më mirë kjo sfidë, të cilës i mungoi shumë goli. Një ndër hipotezat e hedhura në media, ishte edhe keqardhja për mosaktivizimin për as edhe një minutë të vetme në këtë duel gjigantësh e sulmuesit shqiptar, Hamdi Salihi. Nga shtypi austriak, bomberi shkodran konsiderohet një "xhol" i çmuar i Rapidit të Vjenës, i cili është edhe golashënuesi më i mirë i kësaj skuadre në këtë sezon me 10 gola (2 me Riedin dhe 8 me Rapidin). Pakul e la jashtë Salihin për shkak të zgjedhjes taktike në modulin 4-2-3-1. Gjithsesi, Rapidi ruajti vendin e parë falë golavarazhit.
A. M
A. M