E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Kryeministri t‘i kërkojë takim PS-së

Politikani veteran shqiptar, kreu i Asamblesë së Partisë Republikane, ka propozuar dje që Kryeministri Sali Berisha duhet t‘i bëjë letër zyrtare liderit të opozitës, Edi Rama, që të takohen për të zgjidhur krizën aktuale në vend. Gjatë një interviste në televizionin "Alsat", politikani me influencë i së djathtës, ka deklaruar se është kërkesë emergjente që dy liderët kryesorë të vendit duhet të takohen sa më shpejt për ta zgjidhur situatën. Godo nuk ka kursyer asnjë nga palët, duke i thumbuar si nxitës së rritjes së tensionit, megjithëse ka mbështetur Berishën nga ana ligjore, por ka deklaruar se vendit i duhet një zgjidhje politike. "Sipas Kushtetutës, nëse deputeti nuk bën betimin dhe për 6 muaj nuk paraqitet në Kuvend, ai zëvendësohet. Për këtë, Kryeministri ka arsyetimin që mbështetet nga Kushtetuta, por ligji themelor i shtetit në shpirtin e tij këtë përcaktim e ka për individ dhe jo për gjysmën e Kuvendit", u shpreh Godo. Nga ana tjetër, ish-bashkëkryetari i hartimit të Kushtetutës të Republikës u bën thirrje edhe Berishës edhe Ramës që të lënë mënjanë fjalorin e sulmeve të ndërsjella dhe të nisin dialogun. Godo theksoi se "për t‘u treguar që janë liderë të kohës ata duhet të takohen, përndryshe nuk i përshtaten situatës dhe le të bëjnë mënjanë". Sipas kreut të Asamblesë së Republikanëve, nuk është koha për një aktivizim të kreut të shtetit, Bamir Topi, në negociata, ndaj do të ishte mirë që dy forcat kryesore politike, PS dhe PD, të takohen direkt e të gjejnë gjuhën siç e kanë gjetur edhe në të kaluarën. "Berisha t‘i bëjë një letër PS-së dhe t‘i thotë që në filan ditë, në filan orë e ftoj për çaj dhe të bisedojnë", u shpreh ai. Por Godo deklaroi se kreu i opozitës, Edi Rama, duhet të braktisë qëndrimin e tij për hapjen e kutive, pasi, sipas tij, është një kërkesë e papranueshme si ligjërisht ashtu edhe faktikisht, meqë përbën një ultimatum ndaj shtetit. Por, politikani veteran nuk kursen asnjë palë, pasi nuk ishte aspak e hijshme që në ditë feste të flitet një gjuhë urrejtjeje. "Në ditë feste duhet të ishin kursyer sulmet politike. Nuk jetojnë dot pa marrë dozën politike, kjo është patologji. Në ditët tona duhet t‘i shtrihet dora njëri-tjetrit. Kështu ecin punët në një vend normal. Njerëzit nuk e duan këtë lloj politike, ata kërkojnë vende pune", tha Godo.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›