E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidenti spektakolar, një shtetas rëndë, zhduket drejtuesi

09/03/2012  Përplasen 2 mjete, marrin para këmbësorin. Policia në kërkim të njërit prej drejtuesve

Elbasan- Një aksident i rëndë është regjistruar mesditën e djeshme në qytetin e Elbasanit. Ka qenë një përplasje spektakolare mes dy mjeteve duke marrë përpara edhe një kalimtar që ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ngjarja u regjistrua në qytetin e Elbasanit në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Spitaleve” në afërsi të Universitetit, një kthesë mjaft problematike sa i përket aksidenteve.

Aksidenti

Burime të policisë bëjnë të ditur se automjeti tip Suzuki me targë greke PIY 7357 është përplasur me një mjet tip Benz me targë EL1525B me drejtues A. Mullain dhe fill pas kësaj ka përplasur këmbësorin Nazmi Kanani 48 vjeç me banim në Elbasan. Drejtuesi i automjetit tip Suzuki është larguar nga vendi i ngjarjes duke e rënduar pozicionin e tij në këtë aksident. I lënduari është dërguar në spital dhe sipas mjekëve ndodhen në gjendje serioze për jetën. Sipas dëshmive të kalimtarëve që kanë parë ngjarjen mjeti me targa greke ka qenë me shpejtësi të madhe dhe pasi është përplasur me mjetin ka marrë përpara kalimtarin, i cili ka fluturuar disa metra më tej në asfalt. Probleme ka pasur edhe me dhënien e ndihmës së parë. Edhe pse spitali nuk është as 200 metra në vijë ajrore nga vendi i aksidentit aty nuk ka mbërritur asnjë ambulancë për t’i dhënë ndihmën e parë. Pasi kanë pritur disa minuta qytetarët kanë gjetur një mjet të rastit për ta dërguar në spital të aksidentuarin. Policia ka shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit Suzuki, i cili është edhe autori i këtij aksidenti. Ndaj tij janë ngritur dy akuza, ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe largim nga vendi i aksidentit. Ky është aksidenti i dytë brenda një muaji me pasoja të rënda që regjistrohet në rrugët e qytetit të Elbasanit dhe shkak është shpejtësia dhe mosrespektimi i precedencës në kryqëzime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›