E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te perndjekurit bashkohen per nje ligj mbi hapjen e dosjeve

09/03/2012  Kreu i institutit të të përndjekurve, Simon Miraka, thotë se do të hartohet një tjetër ligj për lustracionin

“Nuk duhen demaskuar komunistët e thjeshtë, por ata që kanë bërë krime”

Kreu i Institutit të ish-të përndjekurve politikë, Simon Miraka, në një intervistë për “Metropol” thotë se kjo shtresë nuk është për hapjen e të gjitha dosjeve që kanë të bëjnë dhe me komunistët e thjeshtë, por për ata që kanë bashkëpunuar me Sigurimin famëkeq të Shtetit, por dhe që kanë kryer krime. Sipas tij, dosjet duhen hapur që njerëzit të dinë se nga kush janë dënuar dhe si janë dënuar. Miraka thotë se vazhdon të besojë se do të miratohet një tjetër ligj për lustracionin, duke hedhur poshtë dhe aludimet për një përçarje mes të përndjekurve. Duke iu referuar kreut tjetër të shoqatës, Besim Ndregjonit, Miraka thotë se nuk kanë kontradikta mes tyre, por pozicioni i tyre është thjesht çështje simpatish dhe Ndregjoni ka zgjedhur të përkrahë Presidentin.

- Si i komentoni debatet e fundit, ku të gjithë kërkojnë t’ju përfshijnë (kam parasysh ish-të përndjekurit) në radhët e tyre?

- Jemi në dijeni të këtyre debateve, në të cilat po kërkohet që të përfshijnë shtresën e ish-të përndjekurve politikë sa më afër vetes, dhe kjo sepse jemi një numër i konsiderueshëm votuesish. Shtresa e ish-të përndjekurve ka mbështetur që në fillimet e saj Partinë Demokratike dhe qeverinë që ka dalë nga kjo parti më ’92-shin. Unë, duke shprehur dhe mendimin e shumicës së kësaj shtrese, mendoj se PD-ja dhe qeveria e saj që nga ’92-shi dhe në vazhdim ka bërë më të mirën e mundshme për ne. Që në fillimet e saj, kur nuk mblidheshin as taksa dhe bankat nuk funksiononin, PD-ja bëri përpjekje të mëdha për integrimin e kësaj shtrese, duke i dhënë shtëpi, sepse njerëzit kishin dalë nga kampet dhe nga burgjet e diktaturës, ishin të pastrehë, sepse u ishte konfiskuar prona e tyre. Rreth 2000 familje u strehuan, u hapën dyert e shkollave për këta njerëz, u përfaqësuan nga një numër i konsiderueshëm deputetësh, si p.sh. ish-kryetari i Kuvendit Pjetër Arbnori, një ish-i burgosur politik dhe një figurë e ndritur e kësaj shtrese. Pra, ne ishim të përfaqësuar politikisht si në pushtetin vendor, ashtu dhe në atë qendror. Një pjesë e madhe e tyre, sipas aftësive dhe shkollimit që kishin, u implementuan edhe në dikasteret e shtetit. Ishte një numër i madh punonjësish që u futën në administratë. Me ardhjen e socialistëve, të cilët aludojnë se kjo shtresë mund t’i mbështesë ata (kam parasysh këtu tryezën e PS-së të zhvilluar kohët e fundit), sapo ka ardhur në pushtet pothuajse të gjithë të përndjekurit që kishim në administratë janë përzënë. Dhe ju besoj se jeni në dijeni që në vitin 1995 disa nga dhunuesit tanë ligji i së drejtës, shteti i së drejtës i dënoi me akuzën e gjenocidit, ku një ndër ta ishte dhe Aranit Çela. Me ardhjen në pushtet të socialistëve këta persona u liruan dhe u dëmshpërblyen për krimet që kishin bërë. Gjithashtu të gjitha ligjet që nga 2005-a e deri më sot Partia Socialiste i ka votuar kundër. Që nga hartimi i rezolutës për dënimin e krimit të komunizmit apo ligjin e dëmshpërblimit dhe ligjet të tjera.

- Ligji për lustracionin u hartua nga një grup pune i PD-së dhe PS-së, ku një rol të rëndësishëm në hartimin e tij kishte ish-kryeministri socialist Pandeli Majko. Dhe më pas këtij ligji iu bënë përpunime nga ana e PD-së, që çuan në rrëzimin e ligjit si antikushtetues...

- Jo, ligji i lustracionit u shpall antikushtetues pasi Gjykatën Kushtetuese e zotëronte Fehmi Avdiu me shokë. Dhe kjo është e natyrshme, pasi Fehmi Avdiu kishte konflikt interesi dhe s’mund ta aprovonte një ligj që i dënonte vetë. Presidenti këto ditë është shprehur pro për hapjen e dosjeve. Ndërsa në fakt ai ishte kundër ligjit të dosjeve. Në atë kohë ne bëmë dhe protestë përpara Presidencës që ai të firmoste ligjin.

- Në fakt, ai zgjodhi miratimin e ligjit me anë të heshtjes. Ai nuk tha se ishte kundër ligjit, pasi veprimi apo mosveprimi i tij solli miratimin automatikisht të ligjit në fjalë.

- Pikërisht. Pra, të heshtësh do të thotë të jesh kundër. Sepse ai nuk e aprovoi atë. Ai është një ndër figurat kryesore të Partisë Demokratike dhe hapat kur është zgjedhur presidentë, si të gjithë të tjerët, kemi pasur sadisfaksion. Por sapo ai hyri në Presidencë filloi zhgënjimi me të. Dekoroi një persekutor të jashtëzakonshëm, që ka çuar në plumb disa njerëz, të mos flasim për ata që ka çuar nëpër burge. E kam fjalën për Skënder Brecën. Përveç kësaj ne kemi dërguar në Presidencë figura të shquara për në Gjykatën e Lartë, por asnjë nga këta, ndonëse janë me të vërtetë personalitete tashmë, të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, me një CV të pasur, të cilët përmenden për mirë, asnjë në Gjykatën e Lartë nuk është. Kështu që ka shumë që thonë se Topi do të krijojë një parti të djathtë. Nuk të ndryshon emri nëse ti del i djathtë apo i majtë. Njeriu gjykohet jo nga emri, por nga veprimet që ai bën. Dhe këto veprime të çojnë në këtë arsyetimin tim. Partia e mundshme e Bamir Topit mund të ketë anim të djathtë, por ne gjykojmë veprimet që ai ka bërë që kur ka hyrë në Presidencë e deri në ditën që po flasim, që vërtetojnë të kundërtën.

- Por Topi akuzoi kreun e Partisë Demokratike si anëtar të Byrosë Politike që nga viti 1968. Si e gjykoni çështjen e bashkëpunimit tuaj me qeverinë, që sipas Topit drejtohet nga një ish-anëtar i Byrosë së atëhershme?

- Për sa u përket akuzave, me sa di unë, gjatë këtyre 21 vjetve demokraci Sali Berisha nuk ka thënë ndonjëherë se “nuk kam qenë komunist”. Por unë nuk di që prej 21 vjetësh të ketë ndonjë njeri tjetër që ka luftuar dhe kontribuar më shumë se sa Sali Berisha për rrëzimin e komunizmit. Një meritë të veçantë kanë studentët, por çdo lëvizje ka nevojë për një udhëheqës, dhe ky është Berisha së bashku me të ndjerin Azem Hajdari, që kanë dhënë kontributin më të madh. Sali Berisha nuk ka qenë anëtar i Komitetit, ka qenë një doktor, që u ka shërbyer të gjithëve, duke filluar që nga një njeri i thjeshtë dhe deri te një tjetër që ka qenë në rangjet e larta të pushtetit të atëhershëm. Pra, mjeku është në shërbim të njerëzve pa dallim. Ne nuk kërkojmë dënim e komunistëve, absolutisht jo. Ne kërkojmë dënimin e njerëzve që kanë ushtruar dhunë në periudhën e komunistëve ndaj njerëzve të pafajshëm. Pra, nuk mund të dënosh një komunist të thjeshtë apo një doktor-komunist. Ne kërkojmë hapjen e dosjeve.

- Çfarë mendoni se do ndodhë me hapjen e dosjeve?

- Ne kërkojmë hapjen e tyre, pasi duam të dimë se cilët janë persekutorët tanë. Dhe këtë Europa e ka bërë këtë me kohë. Administrata duhet të pastrohet, sepse dhunë nuk ka ushtruar, supozojmë vetëm hetuesi, por dhe ai që i ka shërbyer hetuesit. Ne kërkojmë që të mos jenë në trupin gjykues ata që kanë gjykuar njerëz me të cilët kanë mbushur burgjet, apo operativë etj., etj. Këtë gjë e kanë bërë të gjitha vendet e rajonit dhe nuk është se e shpikëm ne. Por e mjaftueshme është që ta dimë cilët janë, pastaj le t’ia japë apo të mos t’ia japë votën, kjo është çështje individuale. Por për mua mjafton që ta di se cilët janë.

- Pas gjithë këtyre viteve demokraci sa gjasa ka që kjo të ndodhë realisht?

- Është një shprehje e urtë: “Kurrë mos thuaj kurrë”. Shpresa jonë vazhdon, dhe për këtë ne jemi duke hartuar një projektligj për lustracionin, që do t’ia paraqesim Komisionit të Ligjeve. Ky ligj është i mbështetur afërsisht në ligjin e 2008-s, me ndonjë ndryshim të vogël. Kohët e fundit zhvilluam një takim me Kryeministrin në lidhje me ligjin e dëmshpërblimit, ku i paraqitëm disa kontestime dhe ato u morën të gjitha në konsideratë dhe më vonë u hartua një projektligj i ri pas këtyre kontestimeve që ne bëmë dhe na u tha që do të kalojnë më 1 janar. Do t’i paraqitej Komisionit të Ligjeve dhe një ndër ato ishte dhe ligji i terrorizmit, që veprat terroriste të quheshin si vepra politike. Pasi shumë nga ata që ishin të akuzuar në akuzat e tyre figuronin sikur kishin kryer vepra terroriste. Dhe nga këto vepër terroriste quhej dhe kryengritja e Qafëbarit, në të cilën janë ekzekutuar njerëz. Dhe veprimet e tyre janë veprime të qarta politike kundër pushtetit të atëhershëm, kështu që mund të cilësoheshin si vepra terroriste. Kishte dhe disa pika të tjera, p.sh. për disa dosje që janë në Ministrinë e Drejtësisë dhe Komisionit të Ligjeve, të cilat ishin dorëzuar jashtë afatit kohor u pranuan, si dhe u shty afati për dorëzimin e dosjeve nga të ish-përndjekurit. Në rast se ka ngelur ndokush pa i dorëzuar akoma, për arsye të ndryshme nuk ka arritur të aplikojë, tani mund të aplikojë deri në fund të prillit. Kërkuam njëkohësisht që për mungesë të dokumentacionit që internimet e periudhës ’45-’54 të përfshihen, të njihen dënimet e komisionit trepalësh. Po në këto dënime duhet të njihen edhe pushkatimet pa gjyq, sepse i njëjti komision ka qenë. Të njëjtët njerëz kanë qenë që kanë njohur krimet. Dhe është absurde që ky komision të njihet për krimet dhe të mos njihet për pushkatimet pa gjyq. Sepse në takimin me Kryeministrin nuk i thamë për pushkatimet pa gjyq për komisionin trepalësh. Është absurde që të kërkohet nga Komisioni i Ligjeve që të konsiderohet si akt administrativ pushkatimi pa gjyq.

- A keni ndonjë informacion se kur mund të kalojë ky ligj në Kuvend, pasi kanë kaluar tre muaj nga hartimi i tij dhe ai nuk është pjesë e axhendës parlamentare?

- Neve na është thënë se ai do të kalojë në muajin janar, por nuk ka kaluar. Edhe muaji shkurt iku, kështu që presim të kalojë këtë muaj. Ne kemi bërë një kërkesë për t’u takuar me ministrin e Drejtësisë dhe na është pranuar ajo. Dhe ky takim ka të bëjë pikërisht me këtë çështje, pasi na është thënë që do kalojë, por kur?.

- Kjo zvarritja e çështjes suaj, kam parasysh dëmshpërblimin apo hapjen e dosjeve, mos ka lidhje me përçarjen e shtresës suaj në krijimin e fraksioneve?

- Jo, nuk ka lidhje me përçarje, si dhe as nuk ka përçarje. Dalin disa individë të veçantë që shprehin mendimet e tyre. Dëmshpërblimi ka hyrë në fuqi më 15 mars të 2009-s dhe tani jemi drejt fundit të dëmshpërblimit për të burgosurit. Ndërkohë ka filluar dëmshpërblimi për të pushkatuarit me gjyq. Kanë filluar të dalin emrat e të pushkatuarve pa gjyq dhe njëkohësisht do të dalin dhe emrat e të internuarve. Mos harroni se është një numër i konsiderueshëm. Janë 11500 persona që kanë marrë këstin e parë. Pra, në fund të marsit e në fillim të prillit fillon kësti i dytë i dëmshpërblimit. Kemi kërkuar që në fillimin e këstit të dytë të kenë përparësi të burgosurit që janë gjallë, sidomos ata që kanë probleme shëndetësore dhe ata që kanë probleme ekonomike, se janë pa kafshatën e gojës, se janë pa punë e më pas të vazhdojë shpërndarja e dëmshpërblimeve sipas radhës. Kjo nuk do të thotë se nuk do të marrin edhe të tjerët.

- Kjo shpërndarja juaj dikush bashkëpunon apo shfaqet publikisht në krah të Partisë Socialiste, ju që dilni në krah të Partisë Demokratike dhe kreu i shoqatës së rehabilitimit të të burgosurve politikë, Besim Ndregjoni, i cili ditët e fundit i ka sulmuar të dyja kampet. Mos ka ardhur koha që të bashkëpunoni për krijimin e force tuajën politike, se do të qëndroni të ndarë dhe të paqartë?

- Kjo është çështje preferencash dhe mund të komentoj veprimet e askujt. Por ajo që di të them është se pavarësisht kësaj në shumë pika dhe në shumë probleme ne kemi rënë dakord të bashkohemi me njëri-tjetrin gjërat kardinale, si ligjin e dëmshpërblimit, pensioneve. Ndërsa sa u përket ndarjeve unë besoj se nuk ekzistojnë mes nesh, por ato janë ndarje individësh. Që Besimi (Ndregjoni) ka simpati për Presidentin Topi dhe kjo dihet, pasi Topi e ka marrë edhe me delegacionet me vete, por kjo nuk do të thotë që të tjerët i shkojnë mbrapa Besimit. Pavarësisht individëve, të përndjekurit kanë idealet e veta dhe interesat e veta të lidhura me të djathtët që drejtohen nga Partia Demokratike. Sepse kjo parti u është gjetur në çastet më të vështira që ata kishin. Të mos harrojmë thirrjet që drejtoheshin nga liderët që ishin të krye të lëvizjeve të para për rrëzimin e komunizmit për daljen e tyre nga burgu. Pastaj hapjen e shkollave për këtë shtresë, pastaj me ardhjen në pushtet në 22 mars të vitit 1992 u futëm shumë nga të ish-burgosurit në radhët e administratës dhe qeverisë, bënë dhe ligjin e dëmshpërblimit. Sigurisht ishin fillesat e saj, por ish-të përndjekurve iu dhanë dhe letra me vlerë, iu dha dhe një pakicë lekësh në dorë e më vonë përsëri më 2005-n PD-ja hartoi ligjin e dëmshpërblimit dhe mjaft njerëz janë të punësuar në administratë. A ka vend për përmirësime? Sigurisht që ka. Gjithsesi, një gabim yni është që në vitin 1992 nuk krijuam një parti politike, ndërkohë që kishim 30 deputetë në Kuvend. Do të ishte më e lehtë të dëgjohej zëri ynë.

Besim Ndregjoni shprehet se politizimi i ish-të përndjekurve firmos dështimin për integrimin

“Vota jonë u përdor keq nga politika në këta 21 vjet demokraci”

Debati politik i ditëve të fundit për luftën politike mes krerëve të politikës shqiptare për përfshirjen në radhë e tyre të ish-të përndjekurve për Besim Ndregjonin është një debat shterpë, i cili nuk i vjen aspak në ndihmë kësaj shtrese. Për kreun e Qendrës për Rehabilitimin e ish-të Përndjekurve qëllimi i këtij përdorimi politik nuk është marrja e votave të tyre, por ka të bëjë me dështimin e klasës politike përpara futjes së vendit në Europë. Në intervistën e tij për “Metropol” Ndregjoni thekson se klasa politike shqiptare nuk ka dështuar vetëm me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, por “këta kanë dështuar sepse kanë 21 vjet që nuk u kthejnë pronën pronarëve”, sepse “kanë 21 vjet që nuk e kanë dënuar akoma krimin komunist”.

- Cili është komenti juaj mbi debatin institucional të ditëve të fundit mes krerëve të poetikës shqiptare? Kam parasysh këtu debatin dhe akuzat mes Presidentit të Republikës Bamir Topi dhe kryetarit të mazhorancës Sali Berisha. Gjithashtu dhe shfaqja në publik e disa figurave të njohura të shtresës suaj në tryezën e Partisë Socialiste. Si e gjykoni gjithë këtë “luftë” për t’ju afruar rreth vetes?

- Ky është një debat shterpë. Një debat pa asnjë lloj motivi ligjor, institucional, që i vjen në shërbim të kësaj pjese që quhen “ish-të përndjekur politikë”. Këto janë deklarata politike që bëhen për të tërhequr vëmendjen publikut shqiptar në këtë 100-vjetor të krijimit të shtetit të parë shqiptar dhe për t’i thënë që “ne jemi tepër të dashuruar me të përndjekurit politikë dhe ne po punojmë për rehabilitimin e tyre, ne do të bëjmë për të përndjekurit politikë etj., etj.”. E di çfarë më kujton ky debat? Më kujton propagandën e shfrenuar komuniste, e cila, duke shfrytëzuar Luftën e Dytë Botërore, propagandonte me të madhe se “sa të marrim pushtetin ne komunistët ju do të hani me lugë floriri”. E njëjta gjë po ndodh pas 22 vjetësh me të përndjekurit politikë. Kush ua jep të drejtën këtyre politikanëve të drejtën të përdorin këtë pjesë të shoqërisë, këtë pjesë fisnike, këtë pjesë të nënvlerësuar të këtij kombi, të përdoret për interesa të forcave politike. Tani unë shtroj pyetjen: pse politizohemi ne? Pse politizohet krimi komunist? Pse politizohet e drejta dhe liria e të përndjekurve politikë? Të gjitha të drejtat tona ka të drejtë t’i vërë në jetë shteti i së drejtës, pra shteti shqiptar. Kurse politika, në qoftë se i shërben shtetit, le të kryejë detyrimet ligjore ndaj të përndjekurve politikë. Po nëse ajo u shërben politikave të rastit…

- Qëllimi është i thjesht: të kërkojnë votën tuaj.

- Jo, nuk do të thosha se qëllimi është për të marrë disa vota më shumë, por këtë do ta quaja dështimin e klasës politike përpara futjes së vendit në Europë. Kjo klasë politike ka dështuar, dhe a e dini pse ka dështuar? Ajo nuk ka dështuar vetëm me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, por këta kanë dështuar sepse kanë 21 vjet që nuk u kthejnë pronën pronarëve. Këto kanë dështuar sepse kanë 21 vjet që nuk e kanë dënuar akoma krimin komunist. Këta kanë dështuar se kanë 21 vjet që po rehabilitojnë ish-të përndjekurit politikë, por me politikat e tyre marrin përsipër politizimin e të përndjekurve politikë që në vitin 2013 të diskutojnë nga do të shkojnë të përndjekurit politikë. Çfarë po ndodh me këtë klasë politike? ǒmoral ka kjo klasë politike, që trumbeton çështjen e të përndjekurve? Në vend që prej tyre të thuhet se “ne kemi krijuar këto nene ligjore që këta të përndjekur politikë të marrin edhe stadin për t’u bërë të barabartë me qytetarët e tjerë, për t’u futur në ekonominë e tregut të barabartë”. Megjithëse jemi pjesa që kemi pronat, akoma sot trajtohemi si proletarë.

- Pse nuk ndiheni të barabartë me të tjerët?

- Jo vetëm që nuk ndihemi të barabartë, por po përçudnohemi politikisht, duke u përdorur sa nga një krah në krahun tjetër të politikës vetëm e vetëm që të bëjmë një show, duke krijuar një situatë kolapsi apo një ç’orientim ndaj atyre të burgosurve që kanë ngelur gjallë, ndaj atyre familjeje që janë masakruar që nga ’44-a e deri më sot, ndaj atyre trashëgimtarëve të përndjekurve politikë që janë arsimuar, të cilët janë jashtë administratës shtetërore, janë jashtë shtetit shqiptar. Dhe sot del ish-prokurori, ish-hetuesi, ish-operativi i shtetit, ish-drejtuesi ideologjik i diktaturës komuniste dhe flet për të drejtat e liritë e të përndjekurve politikë!

- Në këndvështrimin tuaj, si zgjidhet çështja e ish-të përndjekurve politikë shqiptarë?

- Në këndvështrimin tim, çështja është shumë e kollajshme, jo në kuptimin financiar, por në kuptimin moral të çështjes. Ne sot nuk kemi dëgjuar nga kjo klasë politike t’u kërkojë falje atyre të burgosurve politikë që mbas viteve ’90 vdiqën në mjerim të plotë, të cilët kjo klasë i kishte votues. Sot ata kanë ngelur jetimë nga politika, për arsye se ata kanë dalë nga burgjet, kanë krijuar familje, kanë bërë fëmijë dhe fëmijët e tyre sot kanë ngelur jetimë. Dhe këta fëmijë sot janë në kushte të tmerrshme sociale. Loja e dytë e kësaj klase politike është që këtë shtresë, që trashëgon prona, këtë shtresë që trashëgon mentalitetin intelektual të fisnikërisë nga vjen, përdoret si një shtresë sociale. Bile botëkuptimi i politikës për ta ka shkuar aq larg, sa këtë shtresë nuk e ka barazuar as me të verbrit apo me invalidët. Dhe kjo ndodh për arsye se nuk është bërë rehabilitimi ynë në fushën sociale. Kur flas për fushën sociale, kam parasysh fushën e pensioneve. Sot pensionet më qesharake i kanë pikërisht ish-luftëtarët e fjalës së lirë, që politika na quan sot të “përndjekur politikë”. Tjetra ka të bëjë me arsimimin. Megjithëse janë arsimuar të përndjekurit politikë, sot trumbetohet me të madhe se u janë dhënë të drejtat të përndjekurve politikë. Dhe unë habitem, se nga viti 1990 e këtej a ka ndonjë fëmijë komunisti që i është ndalur e drejta e arsimimit dhe e paska marrë ky i përndjekur politik! Ky i përndjekur politik është i barabartë mes atij të djeshmit, që kishte të drejta të shkonte në shkollë, madje fëmijët e komunistëve pas ’90-s kanë vajtur në shkolla jashtë shtetit të paguar nga shteti shqiptar. Dhe nuk ka nga shtresa e të përndjekurve politikë që të ketë dërguar shteti shqiptar fëmijë jashtë shtetit dhe që t’u ketë paguar shpenzimet për arsimimin e tyre. Sa i përket historisë, hapet një pavijon i gjenocidit komunist në Muzeun Kombëtar. Dhe a e dini kur fillon pavijoni në muze? Pavijoni në muze fillon që nga viti 1945. A ka tmerr më të madh se ky? Të fshish periudhën e Luftës së Dytë Botërore, periudhën kur njësitet guerile të Partisë Komuniste Shqiptare vritnin pas shpine të gjithë nacionalistët, të gjithë intelektualët shqiptarë që nuk përqafonin idetë e komunizmit. Po të jap një shembull: më 7 prill të 1939-s edhe Mujo Ulqinaku, që komunizmi e bëri hero të tijin, s’ka qenë komunist, pasi ka qenë kapter i Zogut. Ai u vra si kapter kufiri, është vrarë në luftë duke mbrojtur kufijtë, duke mbrojtur vendin e tij, i cili meriton respektin dhe homazhin më të madh. Por ajo që dua të them është se në këtë luftë s’kishte asnjë komunist. Dhe sot në vend që të respektohen ata të burgosur politikë, që thyen murin e parë të ambasadave më 20 qershor dhe i dhanë sinjal popullit shqiptar se duhen thyer muret si Europa, sot respektojmë me të madhe 2 korrikun ’90, në atë kohë që Ramiz Alia i hapi vetë ambasadat. Me pak fjalë, kjo është qëndresa që kanë bërë të përndjekurit politikë. Dhe tani le të kthemi sot. Çfarë vëmendjeje ka treguar kjo klasë politike për 21 vjet ndaj kësaj shtrese. Në qoftë se ne do të bazohemi në Kushtetutë dhe në konventat ndërkombëtare për të drejtat e liritë e njeriut, nuk do të vinim te politizimi i dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë, ku bërtasin me të madhe se “ne po u japim dëmshpërblimin, ne po bëjmë këtë apo atë”. Thjesht ne sot ndodhemi në një fushatë ideologjike politike, ku po theksohet se “ne po bëjmë shumë për të përndjekurit politikë”. Po hamendësohet se një pjesë e tyre janë me kryetarin e shtetit, jo një pjesë janë me Partinë Demokratike apo një pjesë po shkon me Partinë Socialiste. Jo, miku im, dhe u them të gjithë lexuesve shqiptarë sre të përndjekurit politikë duan rehabilitimin moral, politik, shoqëror, ekonomik bazuar në shtetin e së drejtës. Nuk kërkojmë nga asnjë forcë politike lëmoshë, nuk kërkojmë nga asnjë forcë politike përkrahje të jashtëligjshme. Ne kërkojmë vetëm të drejtat tona. Ne kërkojmë të na jepet ajo e drejtë për të cilën luftuam.

- Mos vallë kjo përçarja mesh jush ka shkaktuar këtë nënçmim tuajin?

- Ia ka arritur politika qëllimit të saj të ndarjes së të përndjekurve politikë. Ia kanë dalë për të penetruar brenda nesh. Gjejnë dy apo tre individë, i marrin me vete për qëllimin e tyre. Të gjitha shoqatat e të përndjekurve politikë janë shoqata antikomuniste. Pranë mazhorancës ndodhet një shoqatë antikomuniste demokrate, a thua se shoqatat e tjera nuk janë demokrate. Pra, grupet mes të përndjekurve politikë janë të shumtë, por penetrohet ndaj këtyre grupeve. Dhe penetrimi është që të gjitha grupet nuk kanë të ndarë asnjë ndarje mes njëri-tjetrit sa i përket realizimit të dënimit të krimit komunist apo përfaqësimit të shtresës sonë në administratë e kudo. Por asgjë nuk na ka dhënë klasa politike shqiptare nga viti 1992 e deri më sot, por ia kemi marrë me forcë, duke i kërkuar llogari për shtetin e së drejtës. Për shembull: pafajësinë e kemi marrë me grevë urie, e kemi detyruar Partinë e Punës me grevë urie ndërkombëtarisht që ajo të jepte pafajësinë. Më 1994 është bërë sërish grevë urie që të na jepen letrat me vlerë për punën e papaguar se vetëm në Shqipëri ka bërë vaki që i burgosuri politik të punojë.

- Po ju keni qenë pjesë e qeverisë të asaj kohe, pse kjo mosvëmendje?

- Ata ishin disa deputetë, që në vend që të mbronin interesat e të përndjekurve politikë, mbrojtën interesat e tyre personale me mandatin që ata kishin dhe ashtu siç u sollën. Kur i pa partia ku ata bënin pjesë, i largoi nga vetja e saj dhe sot nuk ke asnjë deputet të 1994-s.

- Duke qenë se jeni në këtë situatë, a shikohet ndonjë mundësi bashkimi i të gjitha këtyre grupimeve në një parti tuajën?

- Grupimi te ne është i vështirë, për arsye se terrori ndaj këtyre njerëzve ka vepruar në mënyrën më çnjerëzore. Ku me penetrimin edhe gjatë këtyre viteve demokraci të kësaj klase politike, që drejtohet nga komunistët, u ka lënë atyre trauma të rënda, ku ka krijuar dhe këtë përçarje. Pavarësisht kësaj unë sot shikoj një ringjallje të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Unë shikoj që shumë nga fëmijët e të burgosurve politikë, tashmë të arsimuar, po grumbullohen, po japin mesazhet e tyre që ka ardhur koha që ata të marrin fatet e kombit në dorë dhe jo t’ua lënë fatet e kombit në dorë të fëmijëve të komunistëve. Këtu nuk mund të diskutohet më tani se forcat politike do të arrijnë në atë konkluzion që të marrin votën e të përndjekurve politikë për interesa të tyre apo për promovimin e atyre 20-vjeçarëve që kanë qenë në politikë. Jo, tani ka ardhur koha që ka një tjetër ndërgjegjësim në familjet e të përndjekurve politikë, të cilët e shikojnë se fatet e veta do t’i marrë vetë në dorë, jo të kërkojnë lëmoshë nga partitë politike, ende me mentalitet komunist, që ndodhen në Shqipëri.

- ǒkeni parasysh kur thoni se të përndjekurit do të marrin fatet e vendit në dorë?

- Do të ketë shumë ndryshime në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar. Dhe ndryshimi i parë do të jetë ndryshimi i mentalitetit, ku shoqëria shqiptare nuk mund t’u besojë më vetëm dy forcave politike, të cilat kërkojnë me çdo kusht për të deformuar votat, duke e mbajtur votuesin peng të interesave politike të tyre. Jo, tani votuesi shqiptar, edhe pse është bërë një ligj për votat shumë i keq, ku humbet vota e votuesit, sërish votuesi shqiptar i ka lënë dy partitë kryesore në nivele shumë të rrezikshme të marrjes së pushtetit. Dhe unë mendoj se tani ka ardhur koha që secila pjesë e shoqërisë të mendojë për fatet e veta, të mendojë për të drejtat e veta. E njëjta gjë po ndodh edhe me ne të përndjekurit politikë. Tani është koha që tani të mendojmë vetë për fatet tona, se për 21 vjet nuk mendoi për ne asnjë forcë politike, përkundrazi, vota jonë u humb dhe u përdor për promovimin e nomeklaturës.

- Që do të thotë?

- Dhe kjo do të thotë se do të bashkohen të gjitha në një, edhe drejtuesit e shoqatave kanë një synim: të integrohen të përndjekurit politikë, dhe ky integrim do të vijë.

- Duke iu referuar zërave që qarkullojnë për krijimin e një partie politike që do drejtohet nga Presidenti aktual, a i përfaqëson interesat tuaja Bamir Topi?

- Në radhë të parë, ne nuk e dimë nëse Bamir Topi do të krijojë parti, pasi deri tani nuk kemi parë asgjë konkrete. Partia e Bamir Topit është krijuar në mendjen e mazhorancës, edhe në mendjen e opozitës, por dhe në mendjen e medieve. Gjatë kësaj kohe ende nuk kemi parë që të krijohet një forcë politike që e drejton Bamir Topi. Unë di që Bamir Topi duhet të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese deri më 25 korrik, kaq. Problemi për mua qëndron që kjo klasë politike të tregojë veten, të paktën moralisht, t’u përulet të përndjekurve politikë dhe të vendosin në këtë 100-vjetor një president të këtij vendi një person që vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë, i cili të mos ketë asnjë lidhje me komunizmin. A e bëjnë dot këtë? Unë besoj se nuk do ta bëjnë, se këta po luftojnë të vënë në krye të shtetit një kryeministër komunist, që është turp ta dëgjosh, që është kandidat për president një njeri si Fatos Nano. Interesat e mazhorancës akoma shiten sa në njërën anë në tjetrën. Pra, ka ardhur koha që institucionet e këtij shteti t’i marrin në dorë familjet fisnike, ato familje që për 100 vjet mbajtën gjallë emrin e shtetit shqiptar, pavarësisht se për 50 vjet u viktimizuan nga diktatura komuniste, që ishte terroriste në shkallë europiane dhe botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›