Aksidentohen dy vëllezër në aksin Moglicë-Korçë, njëri vdes, tjetri rëndë
>Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik në një zonë të thellë malore në Korçë. Dy vëllezër janë bërë protagonistë të ngjarjes, ku njëri prej tyre ka vdekur në vend, ndërsa i plagosuri lehtë një punonjës policie ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së enjte, në aksin Moglicë-Korçë. Albert Metollari, 44 vjeç nga Korça drejtues i një mjet tip Ifa ka ngarkuar lëndë drusore dhe ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Korçës. Bashkë me të ndodhej në mjet dhe vëllai i tij, Bardhi Metollari, 46- vjeçar me detyrë punonjës policie. Burime të policisë së Korçës kanë bërë të ditur se errësira e natës dhe mosnjohja e mirë e terrenit tejet të thyer malor, mendohet të jenë shkaktarë të këtij aksidenti. Sipas të njëjtave burime mësohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin gjatë një kthese mjaft të vështirë dhe si rezultat i saj makina ka përfunduar në një humnerë 30 metra të thellë. Por duket se i mbijetuari i këtij aksidenti, në momentin që mjeti ka nisur të rrëzohet, i ka kërkuar vëllait të tij të hidhet nga makina ashtu si ka vepruar dhe vetë. Megjithatë, nuk ka qenë e thënë që drejtuesi të shpëtonte, pasi ai ka mbetur i vdekur në vend ndërsa vëllai i tij ka marrë disa dëmtime të lehta, jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet, kurse nga të dhënat paraprake dyshohet për një humbje të drejtimit të mjetit.