E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banditët, hajdutët dhe ladrucët e politikës

>Nga Shpëtim LAME    
Në përputhje me semantikën, pra me kuptimësinë e mirëfilltë dhe praktike të fjalëve, nuk jam plotësisht i saktë. Kjo në veçanti sa i përket banditëve, që sipas fjalorëve të ndryshëm, në thelb përcaktohen si grupe keqbërësish, kriminelësh, grabitësish me armë.
Që të tillë janë një pjesë e madhe e banditëve të politikës këtu te ne, tashmë nuk duhet të ketë asnjë mëdyshje, por hutia ime dhe besoj se jo vetëm e imja, qëndron te armët. Duket sikur nuk kanë armë, por vrastarë janë. Nuk qëndrojnë si cuba të fshehur nëpër male, sepse nuk i përkasin cubërisë së kaluar, por qëndrojnë në mjedise seriozë dhe luksozë, kryesisht në zona të kufizuara të pëcaktuara të kryeqytetit dhe të qëndrave urbane, por mjaft rrallë në biblioteka apo librari. Kuptohet se as nuk vishen si ata, por me veshje të kohës, me kostum dhe kravatë firmato. Sosh prej tyre mbajnë lap-top edhe nëse nuk dinë ta përdorin. Shiten si  intelektualë duke na kumtuar pasazhe të ndonjë studimi, të ndonjë botimi, kuptohet pasazhe të parapërgatitura si ekstrate nga demkat e tyre. Rreken të na mbushin mëndjen se kanë nivel të lartë shkencor, edhe nëse bëhet fjalë për ca llogaritje të thjeshta aritmetike, natyrisht duke e mjegulluar këtë me përmendje emrash të studjuesve të huaj. Nga do që shkojnë, për të aktruar monologun e rrallës, shumicën e tyre e ndjek media e paralajmëruar, që më pas të na shërbejnë ushqimin nga menuja e saj e manipulimit të mëndjes, atrofizimit të saj, sepse ata bash mirë e dinë se mendja e askujt nuk është si stomaku, që mund të pajtohet edhe me ushqimet e një menuje të kufizuar. Menuja e mëndjes, ka kërkesë të përhershme, të përgjithshme, të përbotshme, të vërtetën dhe jo gënjeshtrën, lirinë e njëmendët dhe jo skllavërinë, mungesën e prangave dhe jo prangat e mbuluara me lule. Ashtu si për çdo realitet të papërceptueshëm edhe për këtë rast ne nuk mund të kundërshtojmë ekzistencën. Fizikisht për tingujt dhe dritën, për një spektër të caktuar të valëve përkatëse, pa aftësia e jonë është e gjithë pranuar. Kështu mund dhe duhet të jetë për të gjithë realitetet e tjera hapsinore të pa perceptueshëm nga ne, pra edhe për armët e tyre. Nëse jo, në fjalorët spjegues, duhen bërë ndryshimet përkatëse. Hajdutët dhe ladrucët e politikës, janë përbërësit e valëve me amplitudë të ndryshme dhe të ndryshueshme, me burim banditët, të valëve që përplasen dhe mbivendosen me njëra tjetrën, që dobësohen dhe  përforcohen vijimsisht. Megjithëse të ngjashë dhe të lidhur ngushtësisht, sa i përket veprimeve konkrete, motiveve, mjeteve, më pranë burimit janë hajdutët dhe më larg ladrucët, por jo të baraslarguar nga njëri tjetri. Hajdutët janë banditët në potencë, prandaj mbajnë lidhje me sa më shumë prej tyre, ndërsa për ladrucët kjo mbete veç një ëndërr. Hajduti, përveç të tjerash ka edhe funksionin dhe besueshmërinë e të qënit figurë i një njëshi, pra i një banditi të caktuar. Kjo më së shumti në biznes. Nëse njëshi, haptas nuk mund të merret me biznes, me të gjitha mjetet që ka, kuptohet duke i keqpërdorur, bëhet copë për të mbështetur biznesin e figurës së tij. Sidoqoftë kodi i tyre kërkon që figura për asnjë rrethanë të mos e dekonspirojë njëshin. Në gjithë ndërkohën e këtij tranzicioni të vështirë, janë pothuajse ata, pavarësisht nga përkëmbimet, që kanë ndodhur dhe ndodhin. Duke mos u mashtruar nga emërtimet, që skanë asnjë lidhje me përmbajtjen, organizimi i tyre është sipas një strukture të mirëfilltë të ngurtë piramidale, si copa të superpiramidës. Në çdo kulm është burimin kryesor i valëve shkatërruese goditëse, që gjeneron energji negative dhe urrejtje ndaj njeriut, ndaj të drejtave jetësore të tij, me ndikim të drejtëpërdrejtë përfitues për banditët, ndërsa për hajdutët dhe ladrucët me ndikim të tërthortë. Banditët sot e gjithë ditën kumtojnë mirëqënien dhe paqen, të nesërmen e lumtur dhe të sigurt, por në fakt bëjnë të kundërtën, luftën. Ndërsa ladrucët përfaqësojnë thjesht rrjeshtorët e ovacionistëve dhe të urra-ve, si e vetmja rrugë që të vetëprovojnë ekzistencën, të vetëtrimërohen, duke dëshmuar besnikërinë dhe përkushtimin, ndaj padronëve të tyre hajdutë. Kjo luftë përjetohet si e pa shpallur dhe do të vazhdojë si e tillë, me mbulesën e rreme të paqes, me nevojën dhe domosdoshmërinë e saj, për aq kohë sa nga ana e jonë nuk do të ketë dëshmorë dhe fitues, por do të ketë vetëm viktima të përgjumura që, deri më sot, kundërshtitë mos pajtimet ia kanë besuar dorëheqjes nga politika dhe braktisjes së zgjedhjeve. Sikur të mos ishin banditë, hajdutë dhe ladrucë, dorëheqja dhe braktisja, pa dyshim do të diktonte reflektimin e duhur dhe ndryshimin për mirë, por realiteti dëshmon se duhet ndjekur një rrugë krejt tjetër. E thënë ndryshe, organizimet e deritanishme politike të pushtohen tërësisht nga masa e të rinjve të mirëshkolluar, nga qytetarët e denjë të vetëdijshëm dhe idealistë, sepse gjymtyrët dhe çdo organ i tyre, janë jo vetëm mjaft të mbrojtur, por  gjithashtu janë të aftë të prodhojnë antitrupat më të fuqishëm për  rrebelimin demokratik dhe, gjithashtu, janë mjedisi më mbytës ndaj mëndësive dhe praktikave të banditëve, hajdutëve dhe ladrucëve të politikës. Në të kundërt viktimat e tranzicionit do të shtohen.  Në ecjen tonë, do të bëjmë hapa prapa, edhe më të kërrusur nga peshë e rëndë e grabitjes së lirisë, që vërtet nuk është e burgosur, por me siguri është në arrest shtëpiak. Nuk është e vështirë të dallosh të njohësh fytyrat e banditëve, por e vështirë dhe pothuajse e pa mundur, është të dish dhe të kuptosh të gjitha bëmat e tyre. Për këtë, makinë e së vërtetës janë vetë ata individualisht, por kjo nuk na e lëkund arsyetimin për atë analizuar se çfarë janë dhe sesa janë. Galeria e tyre, mund të përmbajë dyqint portrete, mbase katërqint, por mendoj se kurrsesi nuk e kalon pesëqintshin.  Nuk janë pak, sepse bëhet fjalë për banditë, aq të pasur dhe me aq pushtet të dukshëm ose të fshehtë, sa mund të blejnë varfërinë e shumkujt. Kjo blerje nuk është dosido, sepse realizon një kapital të tipit të veçantë, një antivlerë, që vetiu pasohet nga antivlera në rritje. Me ose pa pushtet, me ose pa imunitet, të votuar ose të pa votuar, ata përfaqësojnë perandorinë e antivlerave. Armët e tyre ndryshojnë vetëm sa i përket kalibrit, plagëve që çdo ditë na shkaktojnë. E drejta e shpërdoruar, për të nënshkruar, për të miratuar ligje, për të marrë vendime për interesat e tyre, e drejta për të nxjerrë helmin e fjalës dhe për ta shpërndarë kudo, kjo është arma e tyre. Për ne të tjerët edhe mundësia e realizimit praktik, për shprehjen e mendimit të lirë, të mendimit ndryshe, dita ditës po pakësohet, po dobësohet, madje po shndrrohet në farsë. Çdo ditë dhe më shumë, për të vendosur foltoren tonë, patjetër duhet të marrim vizë, pasi që hajdutët të studjojnë një për një me imtësi faktet e përkushtimit tonë, ndaj bashkësisë së bandave. Për rrjedhojë, foltorja e jonë po çvendoset vetëm në tavolinat ku të menduar dhe të shqetësuar pijmë kafen e përditëshme, derisa edhe ato të mbikqyren nga ladrucët, me mision të posaçëm. Pavarësisht vlerësimit të gjithsecilit për jetën, se si është kjo e sotmja dhe si do të jetë e nesërmja, ajo vazhdon me të gjithë emocionet e saj njerëzore. Edhe në familjet e banditëve lindin dhe rriten fëmijë, nipër e mbesa. U këndohen ninullat e zëshme, tradicionale apo më të kohës, por mbase edhe ninulla e pa zëshme, me refrenin: -Rritu shpirt, ti bandit xhunior. Ndërsa për anën tonë, që është mijëra herë më e madhe, përderisa do të vazhdojë të mos ketë pjesmarrje dhe rebelim demokratik, pra as dëshmorë dhe fitues, ninulla e pa zëshme do të kenë refrenin:-Rritu shpirt, ti mërgimtar i nesërm, mos mbetsh nën borë malesh, mos mbetsh nën ujra detesh.

Last Updated on Saturday, 31 January 2009 12:51

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›