E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC pranë nënave të reja, përmirësohet urgjenca tek Mbretëresha Geraldinë

>Përmirësimi i kushteve të të sëmurëve dhe lehtësimi i punës së personelit mjekësor në qendrat spitalore është një nga prioritetet e projekteve sociale të AMC-së. Në vitin 2007, në bashkëpunim me USAID, kompania realizoi ngritjen e urgjencës ditore të maternitetit "Mbretëresha Geraldinë" në kryeqytet. Tetë muaj më vonë, rezultati pozitiv i këtij projekti është i dukshëm jo vetëm për  mjekët dhe mamitë që punojnë aty çdo ditë dhe dinë të bëjnë dallimin mes të shkuarës dhe të tashmes, por, dhe sidomos për pacientet. Në urgjencë erdha me dhimbje dhe ngrohtësia e pastërtia e ambientit, me të cilat u përballa që në fillim, më qetësuan disi. Nuk kisha qenë më parë në maternitet dhe rrugës mendoja se do të më priste një sallë e ftohtë, ku do të më duhej të rrija në radhë e të vizitohesha  në kushte jo të përshtatshme. Kisha frikë për fëmijën dhe frikë nga ajo që më priste. Për fat, shqetësimi i parë, ai i kushteve të urgjencës, më iku sapo pashë se gjithçka ishte e mirë organizuar, e ngrohtë dhe e pastër. Infermieret më çuan në një dhomë të rehatshme, ku më bënë eko dhe vizitë dhe më lanë të qetësohesha, derisa menduan që e kisha kaluar rrezikun dhe mund të shkoja në shtëpi, është shprehur pacientja Ermira Çuçllari, në përfundim të kontrollit. Ndërkaq, një nga përparësitë e urgjencës së re është se falë shtimit dhe sistemimit të hapësirës mund të kurohen dhjetëra paciente më shumë. Ato marrin asistencën e duhur dhe mbi të gjitha kanë mundësi të qëndrojnë një ditë të plotë dhe të largohen vetëm kur gjendja e tyre të jetë normalizuar plotësisht. Urgjenca mundëson kryerjen e një numri të larmishëm diagnostikimesh dhe kontrollesh në një mjedis me higjienë të lartë, të ngrohtë dhe komod. Qendra e re është një nga pikat kyçe dhe më efikase të maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Ajo është një model dhe ndihmë e madhe për pacientet, mjekët, studentët dhe të gjithë ata që hyjnë në dyert e këtij institucioni,që i jep mirëseardhjen e parë brezave të rinj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›