E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedi në autostradë, 5 të vdekur e 3 të plagosur

Përgjaket sërish superstrada Tiranë-Durrës, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik kanë humbur jetën 5 persona, ndërsa tre të tjerë ndodhen në gjendje tejet kritike. Ngjarja e rëndë rrugore ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës dhe disa orë më pas policia bëri të mundur identifikimin e pesë viktimave, të cilët ktheheshin nga një dasmë e organizuar në një nga lokalet e Maminasit. Burimet e policisë bëjnë të ditur se viktimat janë Dolores Skënderaj, 27 vjeçe, e cila ka qenë edhe drejtuesja e automjetit tip "Volksvagen, nëna e saj, Haxhire Skënderaj, 60 vjeçe, Lindita Limani, 43 vjeçe, dhe bashkëshortët Eduart e Lumturie Lekdusha, përkatësisht 57 dhe 50 vjeç. Ndërsa tre të plagosurit janë të gjithë nga Tirana dhe janë: Ilir Bardhi 17 vjeç, Luel Papuli, 19 vjeç dhe 17-vjeçarja Elda Mallkutaj. Pesë personat që mbetën të vdekur në këtë aksident kanë humbur jetën menjëherë. Mësohet se burri dhe katër gratë që mbetën të vdekur si pasojë e përplasjes fatale, kishin qenë mysafirë në një dasmë dhe sapo kishin mbaruar, kishin vendosur të ktheheshin për në shtëpi. Fillimisht policia e ka pasur të vështirë identifikimin e tyre dhe vetëm pas disa orësh është bërë e mundur njohja me gjeneralitetet e viktimave. Mjeti me të cilin lëviznin, i drejtuar nga 27-vjeçarja Skënderaj, është futur në kah të kundërt të lëvizjes në superstradë, duke menduar një qarkullim më të shpejtë nga lëvizjet e pakta në atë orë të natës. Ndërkaq, në rrugë po lëviznin dy mjete të tjera, të cilat janë përfshirë në këtë aksident nga lëvizja jokorrekte e 27-vjeçares. Viktimat kanë qenë në automjetin tip "Volksvagen" me targë TR 0458 S, i cili për shkak të futjes së gabuar dhe përballjes me dy mjetet e tjera ka humbur kontrollin në drejtim dhe është përplasur me trafikndarësen. Përplasjes nuk i janë shmangur as dy mjetet e tjera "Mercedez Benz" me targa TR0988 C dhe TR 5184 L, të cilat lëviznin me shpejtësi. Bilanci ka qenë tragjik. Burime policore bënë të ditur se të rinjtë që mbetën të plagosur në aksident kanë qenë duke shijuar orët e natës në kënaqësinë e njëri-tjetrit, gjë që ka ndikuar edhe te vëmendja në drejtimin e drejtuesit të automjetit. Burimet policore thanë se drejtuesi i automjetit me të cilin udhëtonin tre të rinjtë nuk ka qenë i përqendruar në timon, edhe për shkak të situatës së krijuar brenda në mjet nga dy shokët që ishin çift. Ata janë gjetur gjysmë të zhveshur dhe në një gjendje të tillë u është dhënë ndihma e parë, duke u dërguar për në spital. Të tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa policia vazhdon të hetojë për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje fatale në rrugë. Si rezultat i përplasjes, automjeti "Volksvagen" me të cilin udhëtonin 5 viktimat, është shkatërruar krejtësisht dhe kur dita ka zbardhur dhe janë fiksuar të gjitha detajet e aksidentit në rrugë, ai është hequr prej andej me karrotrec së bashku me mjetet e tjera të përplasura. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga njërin prej drejtuesve të mjeteve, 17-vjeçarin Ilir Bardhi, i cili ishte edhe një prej të plagosurve që u transportua për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Aksidenti ka shkaktuar bllokim të rrugës deri në kryerjen e veprimeve të para hetimore, gjë që ka krijuar vështirësi edhe për qarkullimin e mjeteve të tjera që lëviznin drejt zonave bregdetare mëngjesin e së dielës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›