Aksidentohet Sadrijaj duke ‘garuar’

Bajram Sadrijaj tash e një vit ka mbetur larg fushës së gjelbër. Por, ish sulmuesi i Borussia Dortmundit, edhe pse nuk ka luajtur fare, është në qendër të vëmendjes nga mediat gjermane.
Ai nuk është transferuar te ndonjë klubi i Bundesligës, por ka zgjuar vëmendjen për ‘garën’ që ka bërë me veturën e tij nëpër rrugët e qytetit në Dortmund.
Kjo garë ilegale i ka kushtuar 24 vjeçarit me aksident.
Sipas tabloidit gjerman, Sadrijaj me veturën e tij të tipit BMW-Cabrio 650i (407 PS) ka garuar me një Mercedes me një shpejtësi shumë të madhe. Si pasojë e kësaj, sulmuesi kosovar ka humbur kontrollin në një kthesë duke përfunduar në mur.
Por, e gjithë kjo nuk ka përfunduar me kaq, pasi makina e Sadriajt ka goditur edhe dy vetura që ishin të parkuara.
Sipas një zëdhënësi të policisë në Dortmund, vlera e dëmit të shkaktuar nga ish futbollisti i TSG Thannhausen është rreth 90 mijë euro, derisa makina është shkatërruar tërësisht.
Sadrijaj mbahet mend edhe për një gjë tjetër. Ai e mban rekordin në futbollin gjerman për ndëshkimin me të shpejtë (12 sekonda) me karton të kuq në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë ndërmjet Essenit dhe Borussias.
Sadrijaj kishte bërë bum në vitin 2008, kur ishte transferuar në Borussia Dortmund nga ekipi TSG Thannhausen. Ai me kampionin e ri të Gjermanisë ka zhvilluar tre ndeshje në Bundesliga dhe në Kupën UEFA.
Pas skadimit të kontratës me Dortmundin, sezonin i sapo përfunduar kosovarit i ka shkuar huq, pasi nuk ka mundur të gjejë angazhim shkaku i një lëndimi të pësuar. Gjatë kësaj vere ai pritet ta gjejë një klub të ri.