Pajtohet me fatin

Kosovare Asllani është pajtuar me fatin. Mesfushorja kosovare u la jashtë Kampionatit Botëror të fermave, i cili do të fillojë të dielën në Gjermani. Ajo ishte ndier e zhgënjyer kur u la jashtë ekipit suedez, por tash e ka marrë veten dhe po mendon për të ardhmen.
“Është e qartë se zhgënjimi ishte i madh në ditët e para. Por, më pas jam munduar të mendoj pozitivisht dhe ta menaxhoj situatën, ngase nuk kisha se çka të bëja tjetër. Kjo është e tëra. Tash kam filluar të ushtroj në fazën para-sezonale për sezonin që do të nisë në vjeshtë dhe të koncentrohem plotësisht te Linkopings”, deklaroi 21 vjeçarja për ueb faqen fotbollskanalen.se.
Asllani thotë se nuk do t’i shikojë të gjitha ndeshjet e kompeticionit, që do të fillojë në fundjavë, por disa po. Ajo planifikon të shkojë në Gjermani për ta përcjellë një ndeshje të suedezeve. Ajo e ka dhënë edhe mendimin e saj rreth gjasave të suedezeve në këtë eveniment dhe për favoritin e këtij turneu.
“Suedia ka kapacitet të madh, ka lojtare në nivelit botëror në të gjitha pozitat, kështu që ka mundësi të shkojë larg. Mendoj se Suedia së bashku me Brazilin e Gjermaninë do të kërkojnë finalen. Gjermanet i shoh favorite, sepse luajnë në shtëpi”, vazhdoi ish futbollistja e Chicago Red Stars.
Sa i përket lojtares më të mirë të Botërorit, futbollistja kosovare mendon se ky epitet do t’i takojë Christine Sinclair nga Kanadaja, pasi që e sheh si më të rëndësishmen për skuadrën.