Aksidentohet me makinë deputeti i Beratit, Mehmet Xheka

Është aksidentuar, ndërsa udhëtonte me makinë pas përfundimit të një takimi elektoral në rrethin e Skraparit deputeti i PD-së të Beratit, Mehmet Xheka. Burimet pranë shtabit elektoral bëjnë me dije se deputeti Xheka udhëtonte me mjetin e tip Benz nga qyteti i Çorovodës drejt Beratit, pas një takimi elektoral të zhvilluar paraditen e djeshme në qytetin e Çorovodës të rrethit të Skraparit. Mjeti me të cilin udhëtonte deputeti Xheka mësohet të ketë humbur drejtimin teksa udhëtonte në segmentin rrugor kthesa e Qamos në dalje të qytetit të Poliçanit dhe është përplasur me murin mbrojtës të rrugës në aksin rrugor Berat- Skrapar.
Pikërisht në vendin e quajtur karburanti Qamos në dalje të qytetit të Poliçanit, në kthesën e parë makina ka devijuar drejtim dhe është përplasur në murin e betontë. Si rezultat i goditjes mësohet se është aksidentuar deputeti i PD-së në Berat Mehmet Xheka, njëkohësisht dhe kandidat për deputet në këtë Qark. Ai mbërriti me urgjencë pranë Repartit të Urgjencës pranë spitalit rajonal në Berat ku dhe mori ndihmën e parë mjekësore në këtë rast nga kolegët e tij Beratas. Burime nga mjekët e urgjencës pohuan se nga konstatimi mjekësor Xheka kishte pësuar fraktura në shpatullën e majtë si dhe goditje të tjera në fytyrë dhe shembje të vogla në trup dhe në gjymtyrë. Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, mjekët vendosën transportimin e tij drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për të marrë një ndihmë më të specializuar mjekësore. Xheka u transportua për në spitalin e Tiranës më helikopterin e shëndetësisë i shoqëruar nga një grup mjekësh. Drejt vendit të ngjarjes, në dalje të qytetit të Poliçanit kanë mbërritur ekspertët e qarkullimit rrugor që nisën hetimet e para për të mësuar shkaqet e ndodhjes të këtij aksidenti. Mjeti, mësohet se drejtohej nga shoferi personal i deputetit Xheka, Shkëlqim Hoxha i cili ka marrë plagë të lehta. Burimet mjekësore thanë për gazetën se deputeti Xheka është jashtë rrezikut për jetën.