Eurimage pranon kinematografinë shqiptare
Kinematografia shqiptare që nga dita e djeshme është bërë pjesë e organizmit Europian mbi kinematografinë, Eurimage. Në një njoftim nga Qendra Kombëtare Kinematografike bëhet e ditur për mediat se pas proçedurave 18 mujore, delegacioni shqiptar ka marrë miratimin për anëtarësim nga asambleja e përgjithshme e Eurimage. Në datën 2 qershor, në Vilnus të Lituanisë përfaqësuesit e Shqipërisë Ferit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Roland Sejko, ekspert ndërkombëtar i fushës, kanë prezantuar zhvillimet dhe angazhimet e Kinematografisë shqiptare për t`u bërë pjesë e kësaj njësie. Përmbyllja e akteve formale për këtë anëtarësim do të bëhet brenda muajit qershor 2009.
Detyrimi financiar që do të ketë Shqipëria kundrejt Eurimage do të jetë këtë vit vetëm 50 mijë euro, ndërkohë që përfitimi për një projekt nga ky fond është 700 mijë euro. Eurimage është Fondi i krijuar dhe atashuar pranë Këshillit të Europës për zhvillimin dhe mbështetjen politike e financiare të prodhimit dhe shpërndarjes së kooproduksionit kinematografik europian. Në të marrin pjesë 33 vende anëtare të Këshillit të Europës. Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Xhevdet Ferri, kishte kohë që kishte theksuar se hyrja e Shqipërisë në Eurimage ishte shumë e rëndësishme,pro sipas tij kanë qenë një sërë faktorësh që e vononin këtë gjë. Ndërkohë që ai pohonte se do të ishte dhe një mundësi më shumë për producentët e kinemasë. Për vendin tonë, hyrja në këtë fondacion do të jetë një mundësi e madhe për të gjithë producentët e kinemasë. Gjithashtu ka programe të ndryshme për ndërtimin e kinemave, financime për të sjellë filmin evropian në Shqipëri, apo e anasjella. Gjithashtu nëse bëhesh partnerë me dy vende të tjera, me producentë, ti mund të përfitosh një fond prej deri 700 mijë eurosh. Pra, sikur një herë në vit një nga producentët tanë të fitojë një projekt të tillë kjo është një plus për ne. Ky do të jetë aksioni, le të themi që nuk e mbyllëm dot në 2008, por që do ta mbyllim këtë vit. Deri tani gjërat janë në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt dhe ne do të jemi pjesë e Euro Images, ka pohuar më parë në media drejtori Feri. Ndërkohë që vetëm disa kohë pas kësaj interviste Shqipëria dje u njoh me vendimin për pranimin në Eurimage. Disa nga premierat e vitit të kaluar kanë qenë: Filmi "Trishtimi i zonjës Shnajder", që është dhe kooproduksioni i parë shqiptaro-çek që u realizua nga regjisori Piro Milkani i cili është njëkohësisht bashkëproducent me Jana Tomsoven. Skenari është shkruar nga Radek Shofr dhe Piro Milkani, drejtorë fotografie janë Miro Gabor dhe Afrim Spahiu. Në rolet kryesore interpretojnë aktorja çeke Anna Geslerova dhe Kreshnik Xhelilaj, student i dramës në Akademinë e Arteve në Tiranë. Filmi Sekretet me regji nga Spratak Pecani Rikthimi i regjisorit në ekranin e madh pas 15 vitesh, nuk ishte i rastësishëm, pasi ai kishte rreth 2 vjet që punonte mbi filmin. Bashkëprodhimi shqiptaro -gjerman i vendos ngjarjet në Shqipërinë e pas viteve 90. Në qendër të minutave të filmit është Landi, i interpretuar nga Neritan Liçaj. Filmi Koha e Kometës i regjisorit Fatmir Koci, një bashkëprodhim shqiptaro-gjerman është realizuar mbi librin Viti i mbrapshtë të shkrimtarit Ismail Kadare. Në të interpreton një staf aktorësh si Masiela Lusha, Blerim Destani, Çun Lajçi, Thomas Heinz Ralf Moeller, Luan Jahja, Xhevdet Feri etj. Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e vitit 1914. Princ Vidi behet mbret i Shqipërisë. Ai merr një letër nga fanatikët muslimanë, të cilët i kërkojnë të bëhet synet, por ai refuzon. Shestani, një musliman dhe katër miqtë e tij nisen për luftë. Por rrugës Shestani takon Agnes, një vajzë katolike që po e çojnë në manastir për ta bërë murgeshë kundër dëshirës së saj. Ata bien në dashuri. Shestani dhe shokët e tij vazhdojnë të kërkojnë luftën pa e gjetur atë. Drejtori i fotografisë ishte Donald Gilian, i njohur për bashkëpunimet e tij me regjisorë të njohur të Hollivudit.