Presidenti Obama në Francë pas vizitës në Gjermani

Presidenti Barak Obama arriti në Francë ku do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 65-vjetorit të zbarkimit të aleatëve në Francën e pushtuar nga nazistët gjatë Luftës së Parë Botërore.
Aeroplani i Presidentit u ul në Paris mbrëmë vonë pas një dite që zoti Obama e kaloi në Gjermani.
Gjatë vizitës në Gjermani, zoti Obama vizitoi ish kampin e përqendrimit të Buhenvaldit të cilin e quajti "përgjigja më e goditur"për ata që mohojnë Holokaustin.
Zoti Obama i bëri komentet pas një ecjeje solemne në këtë ish kamp ku nazistët vranë rreth 56 mijë hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti tha se kishte parë furrat e djegies dhe barakat ku të burgosurit mbaheshin në kushte të paimagjinueshme. Ai tha se skenat nuk e kanë humbur tmerrin megjithë kalimin e kohës dhe se zemërimi dhe keqardhja për atë që ka ndodhur nuk janë shuar.
Presidenti Obama e vizitoi ish kampin bashkë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe laureatin e çmimit Nobel, Eli Vizel. Zoti Vizel, i cili ka qënë i burgosur në Buhenvald foli për të atin e tij, i cili vdiq në kamp dhe tha se dita kur ai humbi të atin ishte më e errëta në jetën e tij.
Po të premten, në Dresden, zoti Obama foli për konfliktin izraelito-palestinez. Pas bisedimeve me kancelaren Merkel në Dresden, presidenti Obama tha se "tani është momenti i duhur"për të arritur një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme. Ai shtoi se këtë vit mund të bëhet përparim serioz për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Zoti Obama tha se Uashingtoni nuk mund t'u imponojë paqen izraelitëve dhe palestinezëve por mund të ndihmojë në sqarimin e disa "keqkuptimeve"për të filluar procesin. Si Presidenti Obama edhe Kancelarja Merkel u zotuan për krijimin e një shteti të qendrueshëm palestinez, që do të ekzistonte krah për krah Izraelit.
Kancelarja tha se vendi i saj do të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara për mbylljen e qendrës amerikane të paraburgimit në Guantanamo të Kubës. Zoti Obama tha se nuk i kishte kërkuar Gjermanisë të merrte ndonjë numër të caktuar të burgosurish nga baza Guantanamo dhe se zonja Merkel nuk kishte shprehur ndonjë "angazhim të fortë"për këtë çështje.
Presidenti Obama shkoi në Gjermani nga Kajroja, ku bëri thirrje për "një fillim të ri"në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe myslimanëve.
Kancelarja Merkel e përshëndeti fjalimin e presidentit Obama në Kajro duke e cilësuar atë si hapje e "dyerve për botën arabe”.
Të dy udhëheqësit u zotuan gjithashtu për të punuar së bashku lidhur me çështjen e programit bërthamor të Iranit, luftën kundër ngrohjes globale dhe rigjallërimit të ekonomisë botërore. //ze