Tri fjalë nga Lura e Dibrës
Nuk të lënë në Dibër të vesh kashtë mbi tjegulla.
Demir Vladi nga Lura e Dibres, 88 vjeç, që thotë, i vjetër je sa do vetë e jo sa vjet ke, i thotë ministrit Jemin Gjana që është kandidat për deputet në qarkun e Dibrës, si gjithë figurat kryesore të Partisë Demokratike që janë caktuar në krye të listave në shumë qarqe të vendit, mos i ve re o ministër ata që flasin sa dinë e jo sa duhet. Na jena të nderuar që Sali Berisha të ka pru deputet për Dibrën se ti ke ditë me qenë deputet i zoti, me qenë besnik në ditë të këqija për Partinë Demokratike dhe mos me i lujtë kurrë Sali Berishës.
Jemi në Lurë, në këtë perlë të bukurisë natyrore shqiptare, që ende nuk bukuron shpirtrat tonë sa duhet se rruga për atje është e lodhshme. Në qendër të Fushë-Lurës, ku ishin mbledhë mbi 300 banorë, burra e gra, po ndërtohej rruga e gjerë me trotuare të mëdha. Ndërsa ankohem për rrugën nga Rresheni për në Lurë, që më troshiti, më flet “dibrançe” inxhinier Hediti, nga i cili kuptova se punët bëhen me rend e radhë. Nuk mund të bëhej rruga për Lurë, pa u bërë rruga Durrës-Kukës që lidh kombin, rruga për Fier e Vlorë etj. Është rrugë që është e rendit të dytë rruga për Lurë, thotë ministri Gjana dhe tani pas korridoreve të mëdha që po përfundojnë, radhën e ka domosdo rruga për Lurë.
Artisti i njohur Arif Vladi këndon me grupin e tij për nder të gjashtë kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për qarkun Dibër, dhe u uron e siguron fitore (Jemin Gjana, ministër aktual i bujqësisë, një nga drejtuesit kryesorë të PD-së, ish nënkryetar i PD-së, ish-kryetar i grupit parlamentar të PD-së, drejtues i disa komisioneve të rëndësishme të parlamentit dhe reformave të mëdha të vendit, deputet që nga fillimi i pluralizmit në 5 zona të ndryshme të vendit që nga Mokra e Pogradeci, Fani, Kukësi, Hasi e tash në Dibër, Sherefedin Shehu, profesor, dy herë zevendës ministër i financave që ka menagjuar suksesshëm buxhetin e vendit, Bedri Hoxha, kryebashkiak i Klosit, i kudogjenduri për qytetarët, që ia ka ndërruar faqen Klosit, Selami Xhepa, professor i njohur i ekonomisë së vendit, këshilltar ekonomik i Kryeministrit Berisha, Dhurata Çupi, zyrtare e lartë për menaxhimin e pronave publike dhe transferimin e tyre në Ministrinë e Brendëshme, Marjana Bulku, aktiviste dhe drejtuese që nga fillimi në PD në Dibër dhe drejtuese arsimi), para rreth 300 lurjanëve, s’më hiqet mendja nga xha Demiri dhe urtia e tij, urti e hollë dibrane.
O ministër, i drejtohet Gjanës, ia ktheve bujqësinë Dibrës. Dibra ka qenë hambar dhe hambar po bëhet. Kena mësue dhe kena pa vetë se e keni mbushë Dibren me pemtore të reja. Duhet me pritë me i vjelë e me i hangër ato pemë se s’bëjnë kokrra brenda vitit. Shumë kemi bërë në këto katër vjet, sa për 40 vjet, vijon bashkëbisedimin ministri Gjana, por kemi shumë për të bërë, i kemi punët përgjysmë. Vijmë në Lurë për me i thirrë vetëdijës së këtij populli që ta mbajë në pushtet Sali Berishën që të mos mbeten punët përgjysmë. Kemi përgjysmë Rrugën e Arbërit që e bën Dibrën një orë e gjysmë larg Tiranës, këtë rrugë që po e fëlliqin me emrat e tyre (që i kanë shkruar në muret mbajtëse të rrugës) ato që nuk kanë dashtë e nuk duan që të lidhet Dibra me Tiranën, që nuk duan që të lidhen shqiptarët e Maqedonisë me Tiranën dhe me detin. Kemi përgjysmë rrugën Peshkopi-Kukës që lidh 11 komuna dhe Dibrën e Madhe me Kukësin e Prizrenin. Kemi plot punë në mes, përgjysmë. Duhet vetëm Sali Berisha që t’i mbarojë këto punë të mëdha se burrat e mëdhenj bëjnë punë të mëdha e morrat bëjnë punë të vogla e të flliqin. Morrat i provuam tetë vjet në pushtet, ose më saktë 58 vjet dhe na lanë në izolim. Sali Berisha po i lidh trojet shqiptare me rrugë, po i bën shqiptarët me e njoftë e me e dashtë Shqipërinë, po i kthen njerzit në punë, po i kthen fermerët shqiptarë te toka e tyre, për të punuar tokat e tyre.
O ministër, e merr fjalën xha Demiri. Në Lurë e Dibër ju jeni të fituar se Lura e Dibra s’dinë me u koritë. Ja ka borxh Dibra votën Sali Berishës. Nuk merr më votë i paqenuni. Nuk marrin më votë mashtruesit. Nuk munden me marrë më vota ato që kanë thanë se i kam ble dibranët me nga nje kedh, ndërhyn një tjetër mesoburrë. Xha Demiri e sheh rreptë folësin. Dhe e merr sërish fjalën. Unë deshta me u çue selam shqiptarëve nga Lura.
Veç tri fjalë për ata që i thonë bukës bukë e ujit ujë - Ka njerëz që nuk e duan Sali Berishën. Na kanë thanë shpesh se bota nuk e do Sali Berishën. Por ai ma i madhi i botës, presidenti i Amerikës, Bushi, erdhi në Tiranë në zyrën e Sali Berishës dhe i tha të kam mik o Sal Berisha. I tha do të hyjë Shqipëria në NATO dhe do ta marrë pavarësinë Kosova. Të dyja u bënë o burra. Tash e priti në zyrën e tij presidenti i Francës, ajo gruaja ma e fortë e Gjermanisë, e priti Kina, i erdhi në zyrë kryeministri i Greçisë. O burra, nuk ka ma armiq Shqipëria falë Sali Berishës. Prandaj duhet me e votue Sali Berishën se ai e rrëzoi komunizmin, e mori rrezikun në sy si pak kush për me e rrëzue komunizmin dhe është në krye qysh nga fillimi, pa u tutë kurrë. Sali Berisha diti e mundi, që armiqtë e dikurshëm të Shqipërisë, me i bo miq të Shqipërisë. Kjo është NATO-ja për mua o djem, lini përrallat. Sali Berisha dashti dhe mundi me e lidhë kombin shqiptar duke e ndërtue udhën që na bashkon me Kosovën. Këto punë të mëdha duhet me i bo shteti se fëmijët e vet i ruan sejcili vetë pastaj.
Shumëkush mundet mos me e dashtë Sali Berishën, o djem, por duhet me ia dhanë hakun, është i zoti si asnjë tjetër për me punue për Shqipëri dhe këto tri fjalë që thashë, ua thoni shqiptarëve. Një pjese të budallenjve, unë e di se u dilet në ballë, por jo krejt budallenjëve, e mbyll fjalën e tij xha Demiri dhe e ul kapuçin mbi sy.
Dhe unë këtu po e mbyll. Shkurt. Se nuk vë dot kashtë mbi tjegulla. Nuk të lënë në Dibër të vesh kashtë mbi tjegulla.