E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentohet në aksion polici i rrugores

 

 

TIRANË- Aksidentohet polici, teksa ndiqte një qytetar. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme në rrugën "Ferit Xhajko" në Tiranë, kur polici i qarkullimit rrugor, Florian Bega, është aksidentuar gjatë një operacioni. Bega u transportua menjëherë në spitalin Ushtarak nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Kolegë të Begës thanë se me motorin e tij me targa "Policia 197" ishte vënë në ndjekje të një motoçiklete, drejtuesi i së cilës nuk i kishte ndaluar shërbimeve të policisë. Personi ishte urdhëruar nga shërbimet policore të ndalonte për verifikime, por ai nuk ka denjuar t'i përgjigjet urdhrit duke vazhduar me shpejtësi rrugën. Në këto kushte, Bega ka marrë menjëherë motorin e shërbimit të policisë dhe është vënë në ndjekje të personit që guxoi të sfidonte policinë. Mirëpo gjatë rrugës teksa po ndiqte motoçikletën, Bega është përplasur me një automjet në rrugën "Ferit Xhajko" parë shkollës "Harry Fultz". Menjëherë dëshmitarët i kanë dhënë ndihmën e parë policit të qarkullimit rrugor duke e transportuar në spital ku ai mori mjekimet e duhura. Ndërkohë që në vendin e aksidentit mbërriti policia e cila nisi hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›