E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaka: Dua gjykim të shkurtuar

 

Shtatë të arrestuarit për tenderin e rrugës Has-Qafë-Prush kërkojnë uljen e 1/3 së dënimin, në seancën e parë

 

Ish-zv.ministri i arrestuar për korrupsion mohon akuzën, por pranon aktet e prokurorisë

 

TIRANË- Ish-zv/ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i arrestuar këtu e shtatë muaj më parë së bashku me katër vartësit e tij për afera korruptive, gjatë seancës së parë gjyqësore kërkoi gjykim të shkurtuar. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, të shtatë të pandehurit e kësaj dosjeje, të ulur në bankën e të akuzuarve, me ndihmën e avokatëve mbrojtës kërkuan nga togat e zeza që gjykimi ndaj tyre të bëhet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, duke pranuar aktet që ndodhen në dosje, të mbledhura nga prokurori i çështjes Ardian Braho. Gjatë parashtrimit të kërkesave paraprake, avokatët dhe të pandehurit që ndodhen të arrestuar mohuan akuzat e ngritura ndaj tyre, duke u shprehur se janë të pafajshëm. "Kërkojmë nga gjykata që shqyrtimi gjyqësor ndaj klientëve që ne mbrojmë të bëhet në aplikim të gjykimit të shkurtuar, pasi pranojmë gjykimin e çështjes me aktet që ndodhen në fashikullin e gjykimit. Por akuzat e ngritura ndaj tyre nuk i pranojmë dhe janë të pabazuara në prova dhe ligj",-u tha njëzëri nga avokatët e shtatë të pandehurve.

***

Vetë të pandehurit që ndodheshin në sallën e gjyqit, të pyetur për këtë kërkesë nga gjykata u shprehën se: "jemi dakord me kërkesat e avokatëve dhe nuk pranojmë akuzat". Në lidhje me këtë kërkesë, kryesuesi i treshes gjykuese, gjyqtari Martin Deda i kërkoi prokurorit Braho të shprehet në lidhje me kërkesën për gjykim të shkurtuar. Sipas prokurorit të task-forcës kundër krimit ekonomik, Ardian Braho, kërkesa e avokatëve është e drejtë e tyre që ua jep ligji. "Nekërkojmë nga gjykata që para se të shprehet në lidhje me këtë kërkesë, të pranojë dosjen e administruar nga ne në lidhje me dëshmitë e rreth 20 personave, përveç shtatë të pandehurve që janë nën masën e sigurisë "arrest me burg"-tha Braho. Gjykata, pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore, që në seancën e radhës organi i akuzës të sjellë fashikullin e dosjes ku janë të administruara dëshmitë e rreth 20 dëshmitarëve dhe më pas gjykata të shprehet pro apo kundër pranimit të gjykimit të shkurtuar. Nëse togat e zeza pranojnë kërkesën e avokatëve dhe vetë të pandehurve që të gjykohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar, në rast shpallje fajësie atyre i ulet automatikisht 13 e dënimit përfundimtar.

***

Sipas prokurorisë, shtatë të pandehurit me në krye ish-zvministrin Jaka janë arrestuar në fillim të shtatorit të vitit që kaloi, pas hetimit dymujor të kryer në bazë të regjistrimit të procedimit penal me nr.2818 pranë prokurorisë së Tiranës. Hetimet dymujore të Njësisë Task-Forcë të filluara në muajin gusht 2007, kanë zbuluar pazare mes zyrtarëve dhe firmave të ndërtimit për tenderët e rrugës Has-Qafë-Prushi, me vlerë 4.7 milionë euro dhe supervizionin e rrugës Durrës-Kukës, me vlerë 7 milionë euro. Zyrtarët u arrestuan në shtator të vitit 2007 në kuadër të operacionit të koduar me emrin "Duar të Pastra".

TË AKUZUARIT:

1. Nikolin Jaka, me detyrë ish-zvministër i Transporteve

Akuzohet për "ushtrim të ndikimit të paligjshëm"

2. Ilirian Berzan, me detyrë ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve

Akuzohet për "shpërdorim detyre në bashkëpunim" dhe "korrupsion"

3. Bashkim Kamberi, me detyrë ish-shefi i sektorit Juridik në Drejtorinë e Rrugëve

Akuzohet për "shpërdorim detyre"

4. Xhevahir Muçogllava, me detyrë ish-kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave

Akuzohet për "shkelje të barazisë në tenderë, në bashkëpunim"

5. Arjan Sheti, me detyrë ish-drejtor Juridik i Ministrisë së Transporteve

Akuzohet për "shkelje të barazisë në tenderë, në bashkëpunim" dhe "korrupsion aktiv"

6. Skënder Bokçiu, me detyrë pronar i firmës "Arifaj" sh.p.k

Akuzohet për "korrupsion aktiv"

7. Isuf Ukperaj, me detyrë pronar i firmës "Vëllazëria" sh.p.k

Akuzohet për "korrupsion aktiv"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›