E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Reformat pa opozitën, janë formale

 

Kreu i qeverisë ka deklaruar në grup nevojën për bashkëpunimin me PS-në për reformat

 

"Duhet të bëjmë reformat me PS-në, ndryshe janë formale. Nuk duhet të synojmë vetëm bërjen e votimeve"

Vizita në Rumani dhe dreka me Presidentin amerikan Xhorxh W.Bush në Kroaci, ka krijuar bindjen tek kryeministri Sali Berisha se bashkëpunimi me opozitën është e vetmja mënyrë për të arritur anëtarësimin e plotë Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha përgëzoi deputetët për përkushtimin dhe mbështetjen që i dhanë procesit të reformave, të cilat sipas tij bënë të mundur marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. "Ky vendim historik, nuk ka diskutim që ka në bazë transformimet dhe reformat e mëdha 16-vjeçare të këtij vendi, por në mënyrë absolute dua t'u them se përcaktuese kanë qenë reformat e ndërmarra nga kjo mazhorancë",- u shpreh Berisha në fjalën e tij në prani edhe të medias. Kryeministri ritheksoi edhe njëherë mbështetjen e qytetarëve shqiptarë, për të cilët, më shumë se për këdo tjetër, kjo ftesë garanton sigurinë e të ardhmes së tyre, ashtu siç e meritojnë vendet e lira dhe shoqëritë e lira. "Qytetarët shqiptarë kanë shumë të drejtë që gëzojnë, sepse tani e tutje, ata, fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre do të kenë një të ardhme krejtësisht tjetër. Nuk do të kenë më një të ardhme të nëpërkëmbur, siç e kanë pasur në të shkuarën, por do të kenë një të ardhme me dinjitet në liri, siç e meritojnë vendet e lira, shoqëritë e lira",- tha Kryeministri. Gjithashtu, kreu i qeverisë nuk ka harruar që të falënderojë edhe opozitën për rolin që ka luajtur në këtë proces. Duke besuar se bashkëpunimi i opozitës në vazhdimin e reformave të tjera të rëndësishme nuk do të mungojë, Kryeministri u shpreh se, qeverisë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë çdo përpjekje për të shkurtuar sa më shumë të jetë e mundur kohën e shndërrimit të ftesës, në anëtarësim të plotë në NATO. "Shpresoj që edhe opozita është e vendosur të kontribuojë që të ecim ne reformën elektorale, në reformën në drejtësi, në reformën ekonomiko-fiskale, reformën në ushtri dhe në tërësi",- u shpreh Berisha. Të njëjtës frymë i është mbajtur Kryeministri edhe gjatë diskutimeve me dyer të mbyllura. Burime pranë grupit kanë bërë të ditur se, lideri i mazhorancës ka bërë të qartë se për realizimin e reformave nuk mjafton vetëm bërja e votave, por marrja e pëlqimit të opozitës dhe PS-së kryesisht. Në këtë kundërt, mësohet të jetë shprehur ai, reformat do të ishin formale dhe pa asnjë ndikim pozitiv në procesin e anëtarësimit të plotë në NATO. "Duhet të bëjmë reformat me PS-në, ndryshe ato janë formale. Nuk duhet të synojmë vetëm bërjen e votave, pasi reformat e miratuara pa PS-në, janë formale. Duhet të punojmë edhe me aleatët tani, por duhet të kemi konsensusin e PS",- mësohet të ketë deklaruar Berisha. Ndërkohë që për të arritur qëllimin final, pra, atë të anëtarësimit të plotë, Kryeministri i kërkoi deputetëve të vet që ta konsiderojnë këtë moment si një stacion, për të arritur një stacion tjetër më të madh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›