Aksidentoi për vdekje policin, babai dorëzon djalin në polici
Një 17-vjeçar i ka marrë jetën, pasi ka përplasur me makinë një punonjës të rendit në Laç. Babai, ish-nënkryetar në bashkinë e Laçit e dorëzon në polici. Makinën e kishte marrë pa leje
Laç-Një punonjës i policisë së rendit është aksidentuar për vdekje, ndërsa po shkonte nga Laçi në Milot, ku do të merrte shërbimin. Gjovalin Tusha është përplasur nga një makinë, dje në mbrëmje rreth orës 18.00, ndërsa po kalonte rrugën në këmbë dhe ka vdekur një orë më vonë në Spitalin Ushtarak, për shkak të plagëve. Ndërkohë makina që e ka goditur, që mësohet se është në pronë të një ish-funksionari të bashkisë Laç, drejtohej, sipas informacioneve, nga i biri i tij 17-vjeç, që e kishte marrë pa leje mjetin. Policia tha se ka ndaluar 17-vjeçarin që i është dorëzuar policisë nga babai i tij.
Ngjarja
Burime nga policia thanë se Tusha, një punonjës i patrullës së përgjithshme, po udhëtonte në drejtim të Milotit ku edhe ishte me shërbim. Ai ka qenë në këmbë në momentin që është përplasur nga makina që ishte me shpejtësi dhe nuk e ka vënë re këmbësorin. Sipas dëshmisë që ka dhënë i riu që ndodhej në makinë, ai ka ndaluar dhe ka qenë ai që ka bërë transportimin për në Spitalin Ushtarak të të aksidentuarit. Ky i fundit është marrë menjëherë nën kujdesin e mjekëve, por megjithë ndërhyrjen e shpejtë ka qenë e pamundur që ai të mbahet në jetë. Burime nga Spitali Ushtarak thanë se punonjësi i policisë kishte humbur jetën 1 orë pasi ka mbërritur në spital.
Hetimi
Policia ndërkohë ka identifikuar pronarin e mjetit që ka kryer përplasjen, por nga verifikimet ka rezultuar se në timon nuk ishte ai, por i biri 17-vjeç. Sipas policisë, ka qenë makina e ish-nënkryetarit të bashkisë së Laçit, Esat Cakoni, me targa LA 7399 A, ajo që ka kryer përplasjen, ndërsa pronari ka thënë se mjetin e drejtonte i biri Xh.Cakoni, i cili, sipas tij, e kishte marrë pa leje. Vetë Cakoni ka dorëzuar në polici të birin që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, pasi ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe. Policia tha se ende po hetohej në lidhje me atë që kishte ndodhur gjatë dhe pas përplasjes, pasi veç versionit se 17-vjeçari e kishte shoqëruar policin për në spital, kishte dhe një version të dytë nga dëshmitarë të rastit, që Cakoni ishte larguar duke e braktisur në rrugë të aksidentuarin, ndërsa shoqërimin për në spital e kanë bërë kalimtarë të rastit.