E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta po e fiton betejën kundër Prokurorisë

Në seancën e paradites, prokurorët kërkuan një ekspertizë tjetër nga ndërkombëtarët, por pasdite Gjykata e Lartë e hodhi poshtë kërkesën e Prokurorisë duke lënë në fuqi vendimin e tre ekspertëve shqiptarë, të cilët arritën në përfundimin se videoja nuk ishte autentike.

Prokurori i çështjes, Bujar Sheshi, e cilësoi akt- ekspertimin e videos si të dështuar, duke u shprehur se, ekspertiza  nuk ka arritur në konkluzione të qarta. "Përfundimet e arritura lënë vend për abuzime”, tha prokurori, duke kërkuar nga  Gjykata  një ekspertizë tjetër për  video-n, këtë herë me  ekspertë të huaj.  Tre ekspertët shqiptarë, të cilët realizuan ekspertizën e videos ndaj Metës,  arritën në konkluzionin se ajo nuk është origjinale, përkundër pretendimit të prokurorisë se,  video është e patjetërsueshme.

Seanca e radhës do të jetë më 21 nëntor ku pritet të pyeten dëshmitarët, midis tyre edhe Dritan Prifti. Ish-zv-kryeministri Ilir Meta është vënë nën akuzën e korrupsionit nga Prokuroria e Përgjithshme,  pas transmetimit në media të video-s, ku ai shfaqej me ish- ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti, në një bisedë për disa tendera të kësaj ministrie.  /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-11-14 16:22
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›