Del nga rruga makina e eskortës së Kryeministrit, rëndë shoferi
Makina devijoi për të shmangur një aksident që kishte ndodhur më parë. Eskorta shoqëroi kryeministrin në Rinas dhe po kthehej
Tiranë-Shoferi i njërës prej makinave të eskortës së kryeministrit Sali Berisha ndodhet në gjendje të rëndë një Spitalin Ushtarak, pasi makina e grupit të shoqërimit që ai drejtonte është aksidentuar pasditen e djeshme në Rinas, ndërsa kthehej për në Tiranë, pasi kishte përcjellë Kryeministrin. Burime nga policia thanë se makina e aksidentuar ka qenë e para në rreshtin e makinave të eskortës së Kryeministrit dhe ka devijuar nga rruga pranë aeroportit të Rinasit dhe ka rënë në kanal.
Policia tha se makina e eskortës ka tentuar të shmangë përplasjen me një makinë të ndaluar në rrugë për shkak të një aksidenti të mëparshëm. Sipas policisë, ajo ka qenë me shpejtësi dhe besohet se drejtuesi ka humbur kontrollin pas manovrës së devijimit dhe si pasojë e kësaj të fundit ka dalë nga rruga. Sipas policisë, makina ka “fluturuar” për 50 metra jashtë rruge dhe ka përfunduar në një nga kanalet anësore të saj, menjëherë është njoftuar policia dhe pjesa tjetër e eskortës ka ndaluar për t’i ardhur në ndihmë kolegut.
Policia thotë se si pasojë e përplasjes drejtuesi i automjetit, i identifikuar si Gj.B. ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë ndihmën e parë. Burime nga ky spital bëjnë me dije se ai vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, pasi ka pësuar dëmtime të shumta. Eskorta po kthehej në Tiranë pasi kishte shoqëruar kryeministrin Berisha në aeroportin e Rinasit, prej nga ky do të udhëtojë me avion për në Norvegji. Faqja zyrtare e Kryeministrit bën me dije se kreu i qeverisë u nis dje për një vizitë në Mbretërinë e Norvegjisë.