E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenton këmbësorin, arrestohet drejtuesi

Automjeti me targa EL 37 29 B, që drejtohej nga Mustafa Kasa, 26 vjeç, ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit dhe ka përplasur në rrugë shtetasen me inicialet M.M 78 vjeçe nga lagja "Vullnetari", e cila ishte duke ecur në këmbë 

ELBASAN - Një shtetas nga fshati Bradashesh i komunës me të njëjtin emër në rrethin e Elbasanit është arrestuar mbrëmjen e të martës pasi me mjetin e tij tip Renauld me targa EL 37 29 B, aksidentoi një të moshuar. Sipas zëdhënëses së policisë së qarkut të Elbasanit, Valbona Begu, aksidenti ndodhi në aksin rrugor Elbasan -Metalurgji në vendin e quajtur "Tregu i shumicës". Në këtë vend automjeti me targa EL 37 29 B, që drejtohej nga Mustafa Kasa, 26 vjeç, pasi ka humbur kontrollin në drejtimin e mjetit ka përplasur në rrugë shtetasen me inicialet M.M 78 vjeçe nga lagja "Vullnetari" e cila ishte duke ecur në anë të rrugës kombëtare. E dëmtuara është transportuar në spitalin kirurgjik të Elbasanit ku ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Ndërkohë drejtuesi i mjetit është arrestuar dhe prokuroria e rrethit gjyqësor të Elbasanit ka filluar hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti. Ndërsa gjatë paradites së mërkurë në rrugët e qarkut të Elbasanit janë shënuar disa raste të daljes së automjeteve nga rruga si pasojë e motit me reshje të dendura por pa pasoja për jetën e njerëzve.
(O.Zh /BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›