Aksion Plus apelon: SOS për narkomanët, shteti i ka lënë në rrugë të madhe
Aksion Plus është e vetmja qendër diagnostifikimi dhe kurimi për personat narkomanë. Por edhe pse i shërben me përkushtim prej një periudhe 12 vjeçare adoleshentëve dhe personave të tjerë të varur nga drogat e ndryshme, qendra e kësaj organizate është e vendosur në një ndërtesë të vjetër e cila më tepër se një godinë i ngjan një rrënoje të vërtetë.
Drejtori i Qendrës Aksion Plus Genci Muçollari ka rrëfyer ditën e djeshme për gazetën SOT kalvarin e gjatë të mundimit brenda mureve të kësaj qendre me të rinjtë e të rejat të cilët për fat të keq kanë zgjedhur rrugën e vuajtjes nga helmi i bardhë. Sipas Drejtorit Muçollari qendra që ai drejton është e vetmja e këtij lloji në vendin tonë që merret me trajtimin e personave që kanë varësi nga substancat narkotike e që i mundëson atyre një kurë me metadon e cila është një substancë që kundërvepron ndaj heroinës. Në vendin tonë numërohen deri në 30 mijë persona që janë nën efektin e drogave të ndryshme. Në qendrën Aksion Plus e cila është e vetmja në kryeqytet kurohen rreth 139 të rinj e të reja të cilët kanë qenë përdorues të substancave narkotike. Por një problem që ngre Drejtori i Qendrës Aksion Plus Muçollari është pakujdesia e instancave shtetërore ndaj këtyre personave që kërkojnë një kujdes të veçantë. Sipas tij shteti Shqiptar duket sikur i ka lënë në rrugë të madhe qindra djem e vajza, nëna me fëmijë të cilët për fat të keq kanë zgjedhur rrugën e mundimshme të drogës. Në kuadër të luftës kundër HIV / AIDS qendra Aksion Plus ka ngritur një rrjet të gjerë në rrethet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë për të ndihmuar personat që përdorin substanca narkotike nëpërmjet terapisë mbajtëse me metadon. Numri total i përdoruesve që kanë marrë shërbime në këto qendra që ndodhen në rrethet e mësipërme është 606 persona (cummulative), por mund të themi që numri i përdoruesve që kërkojnë të marrin shërbime është akoma edhe më i madh. Kjo konstatohet nga lista e pritjes që ndodhet në çdo qendër të MMT . Vetëm në Tiranë në listën e pritjes ka rreth 114 persona të cilët presin të hyjnë në terapi. Aktualisht në qendrën e Tiranës, që është një nga qendrat që ka më shumë klientë, marrin terapi 130 persona, kjo ka të bëjë me disa faktorë si demografike, socialë, ekonomik. Gjatë këtij viti janë kryer çdo ditë 12 seanca terapeutike këshillimi me klientët dhe me familjarët e tyre. Gjatë këshillimit është folur dhe janë trajtuar në lidhje me përdorimin e substancave, narkotike dhe efekti që ato kanë patur në jetën e përdoruesve, sidomos në marrëdhëniet ndërpersonale të klientëve. Është folur gjithashtu në lidhje me perceptimet dëshirat e tyre në mënyrë që të ketë një sjellje më të qëndrueshme dhe më pozitive. Gjatë këshillimit është folur gjithashtu edhe për HIV/AIDS mënyrat e mbrojtjes, mbidoza, parandalimi i i injektimit të përdoruesit të heroinës.
Trajtimi & kujdesi mjekësor
Klientët referojnë se dëshirojnë që të qëndrojnë për një periudhë relativisht të gjatë në MMT në mënyrë që të shmangin përdorimin e heroinës, dhe të krijohet një stabilitet në përmbushjen e roleve dhe detyrimeve sociale. Gjatë ekzaminimeve rutinë janë hasur një sërë problemesh mjekësore për të cilat janë dhënë mjekimet e nevojshme ose janë bërë rekomandimet për në specialitetet e duhura. Ndër problemet më të hasura përmendim çrregullimet e personalitetit, depresionin, ankthin, disfunksionin psiko-seksual, dhe çrregullime të tjera psikotike, të cilat janë rekomanduar për tek psikiatri. Po kështu, janë hasur fascitis nekrotizant dhe abcese të ekstremiteteve, si dhe hepatite, probleme këto të lidhura me rrugën intravenoze të përdorimit të drogave, të cilat sipas rastit janë rekomanduar tek dermatologu apo hepatologu. Tek përdoruesit inhalatorë bien në sy problemet pulmonare të diagnostikuara qoftë përmes radiografisë dhe përmes auskultacionit.
Qendrat në Durrës, Korcë dhe Vlorë
Për sa i përket qendrave në Korçë dhe në Durrës është vënë re një numër në rritje për të hyrë dhe të marrë shërbimet e ofruara nga qendra. Aktualisht 58 është numri i personave që marrin shërbime e MMT në Korçë dhe 60 është numri i personave që marrin shërbime në Durrës. Ndërsa në Vlorë pasi është një qendër e hapur së fundmi numri personave që marrin trajtim është 35. Vizita monitoruese janë bërë gjatë çdo muaji në të tre qendrat. Ka ende shumë kërkesa nga klientë të këtyre qyteteve, por dhe nga qytetet fqinje për të filluar terapinë me metadon. Aktualisht drejtuesit e shoqatës Aksion Plus janë në bisedime me Bashkinë e Elbasanit për të hapur një qendër MMT pasi nga vëzhgimet dhe kërkesat e shumta rezulton se Elbasani është një qytet problematik, pasi dihet që është rruga e kalimit të hyrjes të heroinës.
Aksion Plus jep falas Metadonin, substanca që u shpëton jetën të droguarve
Terapia me metadon është një terapi shumë efikase e cila që prej viti 2005 e në vazhdim ka ndihmuar pacientë të ndryshëm prej të gjitha moshave në ambientet e qendrës Aksion Plus. Në shumë raste, me ndërmjetësinë e kësaj qendre janë pranuar në shtëpi pacientë që ishin përzënë nga shtëpia, dhe janë përmirësuar marrëdhëniet e prishura midis prindërve dhe fëmijëve. Metadoni realisht jepet nga një shoqatë homologe Maqedonase falas dhe në këtë mënyrë jepet edhe për pacientët e qendrës në kryeqytet. Gjatë kësaj periudhe gusht 2005-maj 2009 janë trajtuar gjithsej 606 pacientë në Tiranë e në rrethe, Durrës, Korçë edhe Vlorë prej këtyre, kanë përfunduar me sukses terapinë 296 vetë . Janë përjashtuar për shkelje të rënda dhe abuzime gjithsej 6 pacientë. Janë rifutur në terapi prej të larguarve dhe të përjashtuarve 15 pacientë. Janë larguar pa dhënë shpjegim dhe pa lajmëruar nga terapia 11 pacientë një pjesë e tyre është rikthyer dhe ripranuar sërish. Qendra e terapisë mbajtëse me metadon, është financuar në dy vitet e para (2005-2007) nga Fondacioni Soros (OSFA dhe IHRD), me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik. Tanimë projekti financohet nga GFATM (Fondi Global Kundër HIV/AIDS dhe Tuberkulozit). Duke u mbështetur në rezultatet periodike, rastet e para në veçanti, vlerësimet e supervizorëve te huaj si dhe të grupit monitorizues, raportimet e familjeve dhe familjareve te ndryshëm Aksion Plus ka arritur në konkluzionin se qendra e TMM-së e ka justifikuar besimin që donatorët dhe ekspertët e huaj patën tek projekti. Projekti filloi në gusht 2005 me pesë pacientet e parë, me një nivel të madh preokupacioni nga gjithë stafit të Aksion Plus për ecurinë e tyre. Në një hark kohor prej 25 ditësh u tejkalua numri limit prej 100 pacientësh me një dozë mesatare 60-80 mg në ditë.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Premte, 23 Prill 2010 08:50