E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion i policisë, bllokohen 50 automjete


ELBASAN - Fundjava në Elbasan ka qenë aksion për policinë rrugore, e cila bashkë me task forcë ka zhvilluar kontrolle të befasishme në segmente kryesore rrugore të qytetit dhe në segmentin nacional. Nga verifikimet e kryera prej agjentëve të policisë janë konstatuar mangësi në dokumentacion, shkelje ligjore, mosrespektim i rregullave të qarkullimit deri edhe mungesë patente etj. Sipas të dhënave të grupit operativ, gjatë dy ditëve në Elbasan janë konstatuar shkelje të rënda nga 50 drejtues automjetesh, ndaj të cilëve është marrë masa e penalizimit me bllokim të automjetit.

Mësohet se ndër këto masa është bllokuar një mjet ku drejtuesja nuk kishte patentë, dhe janë në verifikim shumë mjete luksoze për dokumentacionin e tyre. Për rastet e tjera janë aplikuar gjoba dhe masa administrative. Aksioni do të vazhdojë në të gjitha qytetet e prefekturës dhe ka si synim disiplinimin e qarkullimit dhe zbatimin e rregullave në drejtimin e automjetit për të parandaluar aksidentet me pasoja për jetën. Rezultatet e plota të këtij operacioni pritet të bëhen publike në ditët në vazhdim nga ana e Drejtorisë së Policisë të Elbasanit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›