E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Tiranës, nën shënjestër makinat luksoze



Policia e Tiranës ka nisur një aksion me qëllim identifikimin e makinave luksoze të vjedhura dhe ato me mungesë dokumentacioni të rregullt. Prej disa muajsh, drejtoritë e policive në vend kanë ndërmarrë masa, të cilat kanë pasur në thelb penalizmin e të gjithë shkelësve të rregullave të Kodit Rrugor, si edhe pagesat e vonuara të masave administrative të marra. Ndërkohë që në javën e fundit, shënjestër e Drejtorisë së Policisë së Tiranës janë makinat luksoze në vend edhe ato me targa të huaja. Tashmë me funksionimin e sistemeve të reja elektronike të aplikuara nga policia, mund të arrihet që të zbulohen që të gjitha makinat luksoze, të cilat janë vjedhur nga vendet e Evropës Perëndimore dhe nëpërmjet abuzimeve janë pajisur me dokumentacion të rregullt në Shqipëri. Gjithashtu, një kontroll i rreptë po ndërmerret edhe tek të gjitha automjetet me targa të huaja. Sipas burimeve nga policia, aksioni ka mbi një javë që ka nisur dhe janë grumbulluar një numër i madh automjetesh ku punonjësit e policisë kanë vërejtur abuzime në dokumentacion. Për të ndihmuar në rregullimin e trafikut, janë angazhuar edhe patrullat e përgjithshme të policisë së Tiranës dhe ato të Policisë Bashkiake. Patrullat e përgjithshme janë përqendruar në penalizimin e shkelësve të Kodit Rrugor, ndërsa Policia Bashkiake është përqendruar më shumë në abuzimet në parkimet e gabuara, të cilat krijojnë vështirësi, pasi bllokojnë në qytet trafikun. Që prej muajit korrik, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka nisur një fushatë me qëllim rregullimin e trafikut rrugor pas aksidenteve të shumta të ndodhura gjatë sezonit veror, duke vazhduar më pas edhe brenda kryeqytetit, i cili ka probleme të shumta në këtë aspekt. Tashmë me futjen e sistemeve të reja elektronike që mundësojnë zbulimin e të gjitha makinave të vjedhura, vëmendja është përqendruar tek makinat luksoze dhe ato me targa të huaja. Para disa ditësh u sekuestrua nga policia e Tiranës një fuoristradë, e cila ishte vjedhur në Itali, në pronësi të futbollistit të Milanit, Genaro Gattuso. Makina e llojit “Range Rover” prej disa kohësh qarkullonte në kryeqytet, me targat TR 0056 P, ndërsa në vendin fqinj ajo kishte targën CW 542 YG. Sipas burimeve zyrtare, makina është vjedhur në Itali në datën 2 tetor 2006. Automjeti ishte denoncuar i humbur në Itali, ndërsa Interpoli është vënë në ndjekje të çështjes. Bllokimi i makinës në Tiranë u bë në bazë të një hetimi disamujor të zhvilluar në rrugë operative nga uniformat blu.

Detaj

Skema për futjen e mjeteve të vjedhura është e thjeshtë. Grabitësit, pasi i vjedhin ato, falsifikojnë dokumentet për t’i kaluar në doganë, por më e përdorshmja është ajo e “marrëveshjes” me pronarin e mjetit. Makinat u dorëzoheshin grabitësve së bashku me dokumentet, ndërkohë që pronarët e tyre merrnin dhe një shumë parash për shitjen e kryer. Më pas, automjetit, pasi futej nëpërmjet mënyrave abuzive në Shqipëri nëpërmjet doganës, i falsifikoheshin dokumentet dhe bëhej me targa shqiptare. Makina denoncohej e vjedhur në vendin e saj të origjinës dhe më pas, vetë pronari i saj merrte dëmshpërblimin nga kompanitë e sigurimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›