E Diel, 1 Nëntor 2026

Shisnin kokainë në Qytetin Studenti, në gjyq çifti i pleqve


TIRANË- Kushtet e këqija ekonomike dhe mospërballimi i jetesës me pensionin e tyre të vogël, i ka shtyrë dy të moshuarit Kadri e Fiqirete Kadriaj të hyjnë në "botën e krimit", duke shpërndarë doza kokaine nëpër ambiente të ndryshme të Qytetit Studentit në kryeqytet.

Ky lajm konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës, e cila pas përfundimit të fazës hetimore, ka vendosur dërgimin e dy të pandehurve para togave të zeza, ku pritet të fillojë procesi gjyqësor. Sipas prokurorisë, çifti Kadri e Fiqirete Kadriaj, respektivisht 67 vjeç dhe 62 vjeç, akuzohen për "prodhim dhe shitje të narkotikëve", "falsifikim të letërnjoftimeve pasaportave ose vizave", "mashtrim" dhe "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës".
Dy të pandehurit janë arrestuar më 28 prill 2009 në banesën e tyre, pas informacioneve se ata merreshin me shpërndarje të drogave të forta. Gjatë hetimeve është arritur të provohet se dy pensionistët me origjinë nga Kukësi, por me banim në rrugën "3 vëllezërit Kondi" në kryeqytet shpërndanin lëndë narkotike për studentët. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre, policia ka gjetur dhe sekuestruar 5,5 gramë kokainë të ndarë në gjashtë doza, një shumë parash prej 212 500 lekë të reja (që mendohet se është siguruar nga shitja drogës), si dhe një peshore që përdorej për peshimin e drogës në doza të vogla.

Gjatë marrjes në pyetje ka qenë plaku 67-vjeçar Kadri Kadriaj që ka pranuar krimin. Në banesën e tyre është gjetur edhe një pasaportë e falsifikuar me një vizë brenda. Për të plaku mendohet se i ka mashtruar oficerët, duke i marrë përsipër të gjitha akuzat, pa treguar bashkëpunëtorët. Për këtë fakt, ai akuzohet dhe për "falsifikim", "mashtrim" dhe "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës". Akuza e fundit është ngritur pasi asnjëri nga dy pensionistët nuk kanë pranuar të tregojnë emrin e furnizuesit të drogës, që dyshohet se është identifikuar dhe po vëzhgohet nga oficerët pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›