Qëlluan me armë 4 vetë, përfundojnë hetimet për kushërinjtë
TIRANË- Prishja e çasteve intime të dy të dashuruarve, ka sjellë më pas tentetativën e vrasjes së katër personave, të cilët, bashkë me "të dashuruarin" kishin shkuar për të kërkuar llogari tek prishësit e qetësisë. Burimet zyrtare pranë prokurorisë së Tiranës deklarojnë se është dërguar pranë togave të zeza dosja në ngarkim të dy kushërinjve Alban e Urim Allushi. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit Allushi akuzohen për "vrasje në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme, e mbetur në tentativë", 4 herë, "armëmbajtje pa leje" dhe "plagosje e lehtë me dashje". Ngjarja ka zanafillën e saj më 21 shkurt 2009. Saimir S. bashkë me të dashurën e tij kishin dalë me makinë në periferi të kryeqytetit.
Pasi kishin ngrënë drekë në një lokal në komunën e Dajtit, ishin ndalur anash rrugës në afërsi një lokali në Qesarak të kësaj komune, ku kishin filluar të shkëmbenin puthje dhe të bënin dashuri. Në atë kohë, makina është pikasur nga i pandehuri Alban Allushi, i cili i është ofruar duke i trokitur në xham e duke i kërkuar të largohen që aty. Mes tyre ka pasur një debat, që është mbyllur me fjalët "do të takohemi bashkë sërish" thënë nga Saimir S. Pasi është larguar, Saimir S. ka lënë të dashurën dhe ka marrë tre shokët e tij, duke u nisur për "t'u sqaruar" me Allushin. Ky i fundit është qëlluar nga katër të rinjtë dhe në ndihmë të tij ka shkuar kushëriri Urimi.
Sapo është afruar ky i fundit, Albani duke parë se po qëllohej mizorisht, ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar pesë herë në drejtim të të rinjve, ku një plumb ka goditur Saimir S., i cili ka mbetur i plagosur. Pas këtyre të shtënave, mësohet se katër të rinjtë kanë ikur me vrap, duke dërguar shokun e tyre në spital për mjekim, ndërkohë kanë lajmëruar efektivët e policisë të cilët kanë kryer arrestimin e Alban Allushit dhe një muaj më pas edhe të kushëririt të tij Urim Allushi.