E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion kundër hajnisë

Se e drejta autoriale nuk respektohet aspak në Kosovë, edhe pse ligji tashmë për këtë ekziston, tregon më së miri rasti i kameramanit dhe fotografit të njohur kosovar Sylejman Kllokoqi. Ai ka shtatë vjet që bredh poshtë e lartë gjykatave të Kosovës në një kontest gjyqësor që ka me Postë Telekomin e Kosovës, e cila para shtatë vjetësh i kishte shfrytëzuar Kllokoqit një fotografi në kartelat e Vala 900.

Një fotografi e shkrepur nga Kllokoqi për burimin e Drinit të Bardh kishte joshur atë kohë së tepërmi menaxhmentin e PTK për ta shfrytëzuar në kartelat e saj. “Ka qenë një fotografi shumë artistike, ka qenë e regjistruar me të drejta të autorit. I kam shkruar letër PTK që të tërheqin, ata nuk kanë marrë vesh, ju kemi dërguar vërejtjen e dytë prapë njësoj kanë vepruar dhe kam qenë i obliguar t’i drejtohem gjykatave”, tregon Sylejman Kllokoqi.

Pas padisë për shfrytëzimin e fotografisë së tij dhe mosrespektimit të së drejtës autoriale, Kllokoqi kishte kërkuar dëmshpërblim nga PTK. Ekspertët gjatë seancave gjyqësore, sipas Kllokoqit, kanë vërtetuar gjatë ekspertizës së fotografia ishte autoriale dhe se gjatë seancës ishte konfirmuar se me fotografinë e tij VALA kishte shitur mbi 1 milion sim kartela. “Unë kërkoja një dëmshpërblim prej 200-250 mijë euro, ekspertiza llogarit 10 centë fotografinë si një panoramë, ndërkohë që gjyqi vërteton se janë shitur 1 milion kartela me fotografinë time. Posta ankohet”, rrëfen ai.

Pas shkallës së dytë, shkallës së tretë dhe Gjykatës Supreme, Sylejman Kllokoqit gjyqi vendos që t`i paguhet shuma prej 40 mijë eurosh nga PTK. “Pas gjithë kësaj, PTK bën ankesë dhe lënda ka mbetur në Gjykatën Supreme. Ishte vendosur që të më paguhen 40 mijë euro dëmshpërblim, por sot e kësaj dite nuk ka ndodhur një gjë e tillë”, thotë Kllokoqi.

Rasti i Sylejman Kllokoqit nuk është i vetëm. Artistët kosovarë dhe produksionet e shumta në vend edhe këtë fundvit janë duke u ballafaquar me shumë vjedhje të projekteve për Vitin e Ri nga piratët. Madje, sipas menaxherëve të produksionit Dea, projekti i tyre për festën e Vitit të Ri i realizuar në Ferizaj së voni ka dalë në treg, edhe pse ky produksion gëzon të drejtën e plotë autoriale për shitjen e CD dhe DVD të realizuara me këngëtarë dhe artistë kosovarë.

“E drejta autoriale nuk respektohet fare në Kosovë. Projektet që kemi realizuar tashmë veç janë në shtije shumë CD shope, që të gjitha të vjedhura apo të kopjuara”, thotë menaxheri i produksionit Dea, Avni Zejnullahu. Zejnullahu thotë për Express se disa herë policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë kanë marrë disa aksione për konfiskimin e mallit që shitet në treg pa autorizim , por që gjykata disa herë nuk është treguar efikase.

“MTI dhe policia na ka dhënë përkrahje gjithë , por gjykata jo. Ata thonë se këto raste të vjedhjeve dhe kopjimeve të paautorizuara janë vepra shumë të ulta dhe nuk merren me këto raste. Gjykatësi na ka thënë se Cd shopet po punojnë për idare”, tregon ai. Përveç mohimit të së drejtës autoriale, menaxherë të produksioneve, artistë kosovarë thonë se pirateria dëmton në masë të madhe buxhetin e konsoliduar të Kosovës. “Kjo është hajni klasike, sikur dikush që hyn në një bankë dhe vjedh paratë”, thonë ata. Por, viti 2010 nuk do të jetë aspak i mirë për vjedhësit e projekteve që bëjnë artistët kosovarë .

Inspektorati i tregut pranë MTI, në një njoftim publik, ka tërhequr vërejtjen duke njoftuar prodhuesit, shpërndarësit, shitësit se janë të obliguar në bazë të Ligjit “për Mbrojtjen e Konsumatorëve nr 2004/ 17 dhe Ligjit nr. 2004/45 “ për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat tjera të përafërta” të respektojnë dhe mbrojnë të drejtën e autorit nga pirateria si e drejtë ekskluzive e pronës intelektuale.

“Nëse këto të gjitha nuk respektohen, ky veprim konsiderohet vepër penale dhe do të ndërmerren masa konform ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit të tregut pranë MTI `së. Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i tregut, rrëfen për Express se dy ditë më parë ka dërguar një urdhër nëpër të gjitha inspektoratet e komunale, duke urdhëruar ata që të kryhen kontrolle nëpër të gjitha tregjet e Kosovës.

“Njoftimi ka të bëjë për të njoftuar gjithë prodhuesit, shitësit shpërndarësit. Aty ku hasen të gjitha të drejtat e shfrytëzuara pa autorizim të autorit do të jenë masa e konfiskimit të mallit dhe ndalim i shitjes në treg dhe procedura gjyqësore”, thotë Shehu. Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve. Kështu nis paragrafi i parë i këtij ligji të miratuar në vitin 2004, i cili nuk po zbatohet sa duhet. Veçanërisht kur për zbatimin e tij ekziston vetëm një zyrë për mbrojtjen e konsumatorëve dhe një organizatë joqeveritare.

Ligji parasheh në detaje obligimet e shitësve dhe masa tjera për mbrojtjen e konsumatorëve. Madje për çdo shkelje ata mund të dënohen prej 5 deri 10 mijë euro.Megjithatë, të drejtat e konsumatorëve ende i mbron vetëm një shoqatë, e cila nuk është e kënaqur me zbatimin e ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›