N’ burg

Një tufë njerëzish, të lodhur nga jeta me fytyra të ngrysura, qëndrojnë të rreshtuar para një shtëpie disa katesh. Në të vlejnë rregulla dhe norma unikate në botë. Komunikimi në disa raste bëhet përmes një xhami, ku të flet një zë, fytyrën e të cilët duhet ta imagjinosh vetë. Pasi të merret termini, njerëzit i bashkohen turmës, e rrethuar nga zinxhirë, që ndajnë ata me burokratët. Në këtë rast zyrtarët u ngjajnë gardianëve të burgut - përkujdesen për të siguruar rend. Atyre që u mungojnë dokumentet, ndiqen në shtëpi. Pritja është e padurueshme.
Por, për shumë kënd ky është vetëm fillimi i një torture psikologjike që mund të vazhdojë me muaj. Të rrallë janë ata njerëz që dalin të buzëqeshur nga këto shtëpi. Shumicës iu refuzohet e drejta për lëvizje të lirë, që në Kosovë promovohet aq shumë nga shtetet e huaja. Këto nuk janë rregullat strikte të një burgu as një të strehimoreje. Këto janë kriteret për të hyrë në ambasadat e shteteve evropiane në Kosovë. Pra, një krah dokumente, shumë durim, dëgjueshmëri, për më tepër shumë fat. Po, nuk i solle këto me vete, shanset për të aplikuar për një vizë Shengen janë minimale. Ndërsa për marrjen e saj varet krejt nga vullneti i punonjësve të ambasadave.
Pra, ata që plotësojnë këto kushte nuk duhet të gëzohen para kohe. Brenda presin zyrtarë tjerë që në të shumtën e rasteve janë shqiptarë. Pas disa orëve pritjeje fillojnë pyetjet. Dhe këtu nuk ka kufizim të tyre. “Më shumë të vetin në ambasadë sesa në polici, sidomos për neve që jemi për bashkim familjar”, thotë Bakia i cili duhet të presë edhe disa muaj në përgjigje.
Por, këtë problem që nga e premtja nuk do ta kenë fqinjët e Bakisë, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ata janë të liruar nga procedurat burokratike për marrjen e një vize Shengen. Ndërsa liberalizimi i vizave për shqiptarët duke se do të varet shumë nga vullneti i Bashkimit Evropian dhe i Qeverisë së Kosovës, e cila para vetës ka një kerr kritere për të përmbushur.
Verena Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, thotë për Express se Kosova sot është vendi më i izoluar në botë, me mundësi udhëtimi pa viza në vetëm 5 vende. Sipas saj, procedurat për aplikim të vizave janë poshtëruese, por edhe të kushtueshme. Ajo thotë se Kosova ka probleme politike, por edhe ka ngecur në përmbushjen e standardeve të nevojshme për liberalizim të vizave. “Pyetja është, a duhet të mbetet Kosova kështu. Unë mendoj se nëse Qeveria e Kosovës e shndërron këtë në prioritet nacional, që të fillojë reformat dhe lobimin pozitivë në Evropë, që të jenë seriozë, që Evropa të sillet fer me Kosovën, atëherë kjo mund të bëhet”, shton ajo.
Sipas Knaus, procesi i liberalizimit të vizave për shtetet tjera ka filluar më herët, së pari me lehtësimin në marrjen e vizave dhe ka vazhduar me marrëveshje tjera. Ndërsa Kosova në këtë çështje ka mbetur shumë mbrapa. “Arsyeja pse Kosova nuk është ende pjesë e liberalizimit të vizave është se në kohën e fillimit të këtij procesi, Kosova nuk ka ekzistuar si shtet, dhe e dyta që Kosova ende nuk i përmbush kriteret e duhura për këtë liberalizim”, vlerëson Knuas.
Ajo tregon se kriteret nuk janë vetëm sigurimi i një pasaporte biometrike, por janë rreth 50 kërkesa që fillon nga kontrollimi i kufijve, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar etj. Ndërkohë, aktivistë të Lëvizjes Fol, Institutit Ballkanik të Politikave dhe Iniciativës për Progres organizuan të shtunën një performancë simbolike, duke mbuluar me një perde të kadifenjtë obeliskun “Newborn”, në shenjë proteste ndaj përjashtimit të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.
Seb Bytyqi nga Rrjeti Ballanik i Politikave, tha se ky vendim është rezultat i politikave neglizhuese të Bashkimit Evropian dhe se me këtë veprim është izoluar shteti i ri i Kosovës. “Sot Kosova është një Afrikë brenda Evropës. Sot qytetarët e Kosovës e humbin edhe jetën duke u munduar që të gjejnë lëvizje të lirë ashtu sikurse shumë vendas të shteteve afrikane që humbin jetën në Detin Mesdhe”, shtoi Bytyqi.
Ndërsa Albulena Sadiku nga Iniciativa për Progres, tha se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë qasjen në raport me Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave. Edhe Ramadan Ilazi nga Lëvizja Fol, ka adresuar kritika ndaj Bashkimit Evropian, duke thënë se blloku evropian nuk ka vullnet për të filluar procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Sot Bashkimi Evropian izolon Kosovën. Duke izoluar Kosovën, rrit trafikimin me qenien njerëzore. Rasti i Tisës, që ishte rast tragjik, do të duhet të ishte një mësim për Bashkimin Evropian”, shtoi ai.
Ndërkaq, të premten raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka thënë se pavarësisht hapave të rëndësishëm, heqja e regjimit të vizave për kosovarët nuk është çështje muajsh, por vitesh. “Jam shumë e lumtur që në mbledhjen e fundit të Komisionit Evropian është dhënë një dritë e gjelbër që të fillohet një dialog për viza në mes të autoriteteve kosovare, në mënyrë që të krijojë në udhëzues ku do të parashihen objektivat që duhet të përmbushen për futjen në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lunaçek.
Ku mund të shkojë një kosovarë pa vizë?
Shqipëri
Maqedoni
Mal të Zi
Turqi dhe
Haiti
Ato që duhet të bëni para se të aplikoni për një vizë Shengen:
Në kuadër të paraqitjes personale duhet të parashtrohen dokumentet vijuese:
- Dy formularë të plotësuar tërësisht me shkronja të shtypit apo makinë shkrimi në gjuhën gjermane apo atë angleze dhe të nënshkruara nga vetë aplikuesi
- Tri fotografi biometrike të pasaportës, jo më të vjetra se 6 muaj
- Pasaporta valide edhe për së paku 6 muaj dhe një kopje e faqes së parë ku ndodhet fotografia
- Kopje të vizave të mëparshme (nëse ekzistojnë)
- Fletëgarancion origjinal ose të parashtrohet dëshmia mbi të ardhura të mjaftueshme të vetë aplikuesit
- Sigurimi shëndetësor për kohën e aplikuar të vizitës me një shumë mbuluese prej së paku 30.000 EURO dhe kthim në rast sëmundjeje
- Kontrata e punës dhe vërtetimi i pushimit vjetor në origjinal me përkthim, vërtetim i tatimit mbi të ardhurat personale të lëshuar nga UNMIK-u; pasqyrat e kontove për 6 muajt e fundit; për pronarët e ndërmarrje private: regjistrimi i firmës, vërtetim nga organi tatimor mbi tatimin e paguar dhe të dhënat mbi bashkëpunëtorët; pasqyrat e kontove për 6 muajt e fundit; për nxënës dhe studentë: vërtetim i shkollës ose fakultetit me përkthim dhe Index; për të papunë dhe pensionistë: dëshmi mbi sigurimin financiar të jetesës në Kosovë për 6 muajt e fundit (p.sh. vendimi mbi pension, pasqyra e kontos) si dhe dëshmia e pasurisë së paluajtshme në Kosovë e cila merret në zyrën kadastrale
- Certifikata familjare (jo më të vjetra se 6 muaj)
- Certifikata martesore (jo më të vjetra se 6 muaj, vetëm për të martuarit)
- Fletë-informacionin
Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në origjinal dhe kopje bardh e zi.
Pranohen vetëm përkthimet nga përkthyes gjyqësorë. Kompletimi i dokumenteve nuk shpie automatikisht në dhënien e vizës.
Me rastin e refuzimit të dhënies së vizës – për çfarëdo arsyeje refuzimi - taksa e paguar nuk kthehet. Në raste të veçanta, dhënia e vizës mund të kushtëzohet edhe me sjelljen e dokumenteve të tjera shtesë.
Por, edhe pas këtyre, nuk jeni të sigurt për marrjen e vizës.