Misteri; Gjenden pa jetë binjakët gjashtëmuajsh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar të Durrësit dy net më parë. Dy foshnje gjashtëmuajsh janë gjetur të pajeta nga nëna e tyre, vetëm pak kohë pasi i kishte ushqyer me qumësht. E ëma, e shqetësuar se dy fëmijët, motër e vëlla, nuk po reagonin, ka shkuar në krevatet e tyre për t’i kontrolluar. Por ata nuk kanë dhënë shenja jete. Ndërkohë që ka tentuar për t’i bërë të reagonin, nëna ka konstatuar se nga goja e dy fëmijëve të saj dilte shkumë. Menjëherë janë dërguar për në urgjencë, por jetët e tyre ishin shuar në kohën që janë konstatuar nga nëna e tyre. Spitali ka njoftuar menjëherë policinë, ndërkohë që filluan të hetoheshin shkaqet që çuan në vdekjen e binjakëve. Ekspertët mjeko-ligjorë janë duke kryer ekspertizën e ushqimit me të cilin janë ushqyer foshnjat, ndërkohë që nëna e tyre deklaroi se ata ishin vaksinuar 5 ditë më parë. Ngjarja ndodhi në familjen e shtetasit G.V. në fshatin Fllakë të Komunës së Katundit të Ri, ku humbën jetën M.V. dhe B.V. vetëm gjashtë muajsh. Policia e Durrësit shkoi në vendngjarje, ku ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e vdekjes së dy fëmijëve të vegjël.
Ngjarja
E shqetësuar se nuk po dëgjonte si zakonisht darkave të qarat e fëmijëve të saj binjakë, nëna e re ka shkuar për të kontrolluar në krevatin që ata ishin lënë për të fjetur. Por, asnjë reagim tek foshnjat, motër e vëlla, të cilave iu gjet shkumë në gojë. Menjëherë e reja është alarmuar. Ajo ka nisur të lëvizë foshnjat, por sërish asnjë shenjë jetë nuk vinte nga ato. Familjarët janë përpjekur t’i dërgojnë ato në spital, por fëmijët kishin disa orë që kishin ndërruar jetë. Sipas deklaratave të familjarëve, dy foshnjat më datë 12 dhjetor ishin vaksinuar. Sipas prindërve, foshnjat kanë pasur simptoma të gjendjes gripale, por pa pasur temperaturë të lartë apo komplikacione të tjera. Ndërkohë që në mbrëmjen e së enjtes, e ëma i kishte ushqyer ata me qumësht e biskota dhe më pas i kishte vënë në gjumë. Por, në ndryshim nga sjelljet e tyre të përhershme, ku foshnjat vazhdimisht qanin, këtë radhë ata ishin shumë të qetë. Rreth orës 03:00 të mëngjesit të së premtes, fëmijët janë gjetur pa jetë nga nëna e tyre.
Hetimet
Policia e Durrësit ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e vdekjes së fëmijëve vetëm gjashtë muajsh. Dy foshnjat u dërguan pranë spitalit të qytetit të Durrësit, për t’iu nënshtruar autopsisë. Fëmijët janë gjetur me shkumë në gojë nga e ëma e tyre. Dyshohet se vdekja e tyre mund të ketë ardhur si pasojë e një helmimi të mundshëm. Foshnjat ishin ushqyer me qumësht dhe biskota para se të viheshin në gjumë dhe më pas të humbnin jetën. Por, dyshohet se vdekja e fëmijëve mund të ketë ardhur edhe si pasojë e efekteve anësore të vaksinës që ata kishin bërë. Para pesë ditësh, sipas deklarimeve të prindërve, të dy foshnjat ishin vaksinuar nga prindërit e tyre, për të mos u prekur nga virozat e shumta të gripit. Ndërkohë që do të jetë përfundimi i autopsisë, që do të përcaktojë shkakun e vdekjes së dy foshnjave gjashtëmuajshe.