E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksion për zbulimin e rrjetit të drogës kryesuar nga Dajti

10/08/2009  Prokuroria formulon akuzat për masakrën, në këkim i katërti, që shpëtoi i gjallë

TIRANË - Tri ditë pas masakrës më të tmerrshme këtë 10-vjeçar të ndërmarrë ndaj forcave të policisë, ku u vranë 4 oficerë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka formuluar akuzat për autorët. Sakaq janë zbardhur edhe disa detaje të kësaj ngjarjeje të rëndë, ku për të sqaruar deri në hollësinë më të vogël këtë masakër janë angazhuar rreth 50 oficerë e agjentë, të cilët po merren kryesisht me identifikimin e të gjithë anëtarëve të rrjetit që kryesohej nga kapoja Dritan Dajti. Duket se aktualisht objektivi kryesor i këtij operacioni është kapja e personit të katërt që ndodhej në “Tuareg” bashkë me Dajtin, Xhaxhin e Carën, i cili mundi të shpëtonte gjallë nga ajo përleshje. Ndërkaq një punë tepër të rëndësishme duket se ka marrë përsipër sektori i antidrogës në Policinë e Shtetit, i cili ka për detyrë të zbulojë të gjithë anëtarët e rrjetit që trafikonte drogë dhe që kryesohej nga Dritan Dajti.

Skica e vrasjes

Nga hetimet e deritanishme ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme kanë arritur në përfundimin se ndaj katër oficerëve të policisë – Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Kastriot Feska – ka qëlluar Dritan Dajti, i cili përdori një armë të tipit “Bereta”. Nga ekzaminimet laboratorike ka rezultuar se të gjithë plumbat që shkaktuan vdekjen e policëve janë zbrazur nga kjo pistoletë dhe të katër oficerët janë qëlluar në kokë e qafë dhe kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Ende nuk janë saktësuar disa aspekte që kanë të bëjnë me ndërmarrjen e parë të veprimin, nëse ka qenë Dajti që qëlloi i pari kundër policëve dhe u shkoi atje me makinë apo ishin oficerët që e kryen këtë veprim. I pasqaruar mbetet edhe nëse policët ishin veshur apo jo me jelekë antiplumb.

Akuzat e Prokurorisë

Ditën e djeshme prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Eugen Beci dhe Ardian Nezha kanë formuluar akuzat për autorët e kësaj masakre. Ndër akuzat që janë ngritur ndaj Dritan Dajtit dhe Ergest Xhaxhit përmendet ajo e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, vrasjes së katërfishtë me paramendim dhe falsifikim dokumentesh. Ndërkaq në ligj për këto vepra penale parashikohen masa që variojnë nga 20 vjet burg deri në burg përjetë. Sot pritet që gjykata të ndërmarrë veprimin e parë të saj për këtë ngjarje, pas paraqitjes së akuzave të prokurorisë, ku do të përcaktohen kësisoj edhe masat e sigurisë ndaj këtyre dy personave, që aktualisht mbahen në masa të rrepta sigurie në spitalin e burgut.

Reagimi i Policisë së Shtetit

Nuk kemi dekonspiruar aksionin për arrestimin

TIRANË - Policia e Shtetit mohon kategorikisht të gjitha hamendësimet e ditëve të fundit për rrjedhje të informacionit për operacionin e kapjes së Dajtit. Sipas krerëve më të lartë të Policisë së Shtetit, nuk ka pasur dekonspirim të këtij aksioni dhe askush nuk ishte në dijeni përveç skuadrës që kreu operacionin dhe eprorëve në Ministrinë e Brendshme. Ndërkaq pranohet se Dajti lëvizte i maskuar si oficer policie dhe kishte siguruar një dokument me gjeneralitetet Agron Zeneli, nënkomisar policie në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Në makinë u gjetën gjithashtu edhe dy radio dore policie, çka nënkupton se Dajti ishte në dijeni të një pjesë të operacioneve apo lëvizjeve të policisë. Policia e Shtetit sqaron se askush prej anëtarëve të saj nuk e ka informuar Dritan Dajtin për operacionin që po zhvillohej, çka konfirmuar edhe nga specialistë të SHKB-së, të cilët nuk kanë gjetur asnjë fakt dyshues te personat që kishin dijeni për aksionin.

Vrasja e 4 oficerëve në plazhin “Iliria”

Përplasja me armë e së premtes

së zezë, operacioni dhe viktimat

Masakra ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së premtes në sektorin “Iliria”, fare pranë pistës së quajtur “Breshka”. Katër efektivë të operacioneve speciale kanë mbetur të vrarë në vend, ndërsa Dritan Dajti është plagosur. Burime policore kanë bërë të ditur se gjatë këtij aksioni janë vrarë policët Fatos Xhani, 35 vjeç; Altin Dizdari, 33 vjeç; Sajmir Duçkollari, 32 vjeç; Kastriot Feska, 40 vjeç. Po sipas policisë, në shkëmbimin e zjarrit me policinë ka mbetur i vdekur edhe shtetasi Ledion Mara, ndërsa 6 të plagosur të tjerë kanë marrë plagë të lehta dhe pas mjekimit janë larguar. Burime informative shtetërore kishin sinjalizuar se Dajti prej disa ditësh ishte vendosur në një pallat 7-katësh në buzë të detit në Plazhin e Durrësit dhe shoqërohej nga persona me precedent penal. Në mëngjesin e së premtes agjentë civilë dhe efektiva të operacioneve speciale i janë drejtuar zonës “Iliria”, ku thuhet se ishte strehuar i kërkuari Dritan Dajti, i cili kishte mundur të largohej nga mjediset e gjykatës së Tiranës më datën 17 nëntor 2003. Agjentët civilë janë shoqëruar në distancë edhe nga efektiva të policisë së Durrësit, gjë që ka të ngjarë të ketë zbuluar edhe planin për kurthin ndaj Dajtit. Rreth orës 13:00 është bllokuar fillimisht një rrugicë, ku mendohet se do të kalonte i kërkuari, ndërkohë që në një nga lokalet e kësaj rrugice pranë pallatit 7-katësh është hapur zjarr. Situata më pas ka vijuar për disa minuta me shkrehje të armëve, çka ka bërë që në Plazh të përqendrohen shumë uniforma të policisë nga Durrësi dhe rreth 40 minuta më pas edhe nga Tirana. Përplasja mes grupit të Dritan Dajtit dhe forcave speciale operacionale ka qenë e fortë, pasi të dyja palët janë përgjigjur me zjarr. Dajti si dhe personat që e shoqëronin kanë qenë të gjithë të armatosur, duke zënë në befasi strukturat e këtij aksioni të rëndësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›