E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, Berisha ndërpret kontaktet me deputetët

10/08/2009  Ankth në PD para fillimit të negociatave, deputetët ndërpresin pushimet

Kreu i ekzekutivit pritet të luajë me kartën e minutës së fundit

Kryeministri Berisha do të mendojë për emërimet në postet e ministrive vetëm pasi të ketë përfunduar negociatat me partitë aleate. Burime nga PD-ja shprehen se deri tani, duke nxjerrë dhe si pretekst kohën e pushimeve, Kryeministri ka ndërprerë kontaktet me të gjithë deputetët e partisë së tij, duke i lënë të paqartë në lidhje me formimin e qeverisë së re. Në rast se në vitin 2005, përfliteshin emra për ministri të ndryshme, burime nga PD-ja shprehen se deri tani ato që qarkullojnë janë vendet që po negociohen me Metën. Sipas të njëjtave burime, Berisha po përdor strategjinë e minutës së fundit, jo vetëm për arsye se ka frikën e një shkrehjeje të mundshme të punës, por edhe shmangien e ndonjë qejfmbetjeje, që mund të sillte përplasje klanesh brenda PD-së. Në kushtet aktuale, por dhe për vetë numrin tejet të ngushtë të deputetëve që ka si parti. Nga ana tjetër, mësohet se shumë prej deputetëve kanë ndërprerë edhe pushimet, me qëllim që të jenë në Tiranë kur Kryeministri të vendosë të formojë qeverinë.

Klanet

Në Partinë Demokratike, që përpara zgjedhjeve ndoshta dhe më parë ishin konturuar 3 klane, që synonin impakin sa më të madh te kreu i partisë dhe kryeministri i Shqipërisë. Klani i Bamir Topit pas hipjes së këtij të fundit në postin e Presidentit u shkërmoq ngadalë, derisa në zgjedhjet e fundit shumica prej tyre mbeti jashtë listave dhe impakti i tij në PD tashmë mund të thuhet se është periferik. Në ekzekutivin e ardhshëm duket se Topit do t’i duhet të kënaqet vetëm me kompetencat e Presidentit. Në asgjësimin e këtij klani një rol jo të vogël luajti dhe Jozefina Topalli, Kryetarja e Kuvendit. Shumë prej deputetëve mbështetës të Topit mbetën jashtë listave pikërisht në saje të kontributit që ajo dha para zgjedhjeve te Berisha. Por rezultatet e dobëta që Topalli mori në zonat ku ajo u angazhua t’i mbulonte në fushatë duket se e kanë ulur goxha peshën dhe impaktin e klanit të saj te kryeministri Berisha. Natyrisht, Topalli dhe për vetë përfaqësimin e zonave në Kuvend nuk mund të vendosë më kushte, siç mund të ketë ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2005. Kujtojmë këtu rastin e zonjës Trashani, e cila u vendos në krye të Ministrisë së Integrimit pikërisht si pasojë e këmbënguljes së Topallit, apo dhe rasti i Rusmalit dhe ndonjë tjetri. Duket se më të paprekshëm brenda PD-së do të jenë ata që erdhën në vitin 2005, por që vërtet kanë rezultuar si politikanë jo pak të suksesshëm të së djathtës. Basha, Bregu apo dhe Bumçi e Bogdani, që kanë kapur majat e kësaj partie (disa prej tyre janë dhe në qeveri) duket se e kanë justifikuar dhe këtë herë besimin e Berishës. Fitorja e shtatë deputetëve në Elbasan, ku Basha kryesonte listën, do të jenë dhe një vlerësim më shumë nga ana e Berishës. Një fushatë dinjitoze për PD-në bënë edhe Bregu, Bumçi dhe Bogdani. Duket se disa prej këtyre emrave do të vazhdojnë të mbeten në qeveri.

Deputetët

Pavarësisht këtyre, thuajse të gjithë deputetët aspirojnë një vend në ekzekutiv. Natyrishtm pozicioni i deputetit nuk është fort komod, po të kemi parasysh qeverinë e kaluar, kur ministrat nuk denjonin as t’u hapnin telefonat deputetëve. Shumë probleme të elektoratit të tyre vetë deputetët ose i kanë zgjidhur duke komunikuar direkt me drejtorë të ndryshëm, ose ata që kanë pasur fat kanë komunikuar direkt me kryeministrin. Gjithsesi, mandati i deputetit u jep të drejtën të aspirojnë për një vend në ekzekutiv, vend i cili dihet se është një pasaportë e mirë drejt karrierës politike. Derisa Berisha të vendosë për emrat përzgjedhës këtyre s’u mbetet gjë tjetër veçse të presin.

Qejfmbetjet

Shpallja e qeverisë, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë duket se do shmangë në maksimum qejfmbetjet mes deputetëve të PD-së. Shembulli që u dha me “rebelët” në mandatin e kaluar, kur thuajse të gjithë ata që dolën kundër janë tashmë jo vetëm jashtë Kuvendit, por e kanë thuajse të pamundur të bëjnë karrierë brenda PD-së, është mësimi më i mirë për deputetët e rinj dhe të vjetër. Sistemi i siguron kryetarit të drejtën e hartimit të listave dhe lënia jashtë e tyre do të thotë ndërprerje e karrierës politike. Në ndryshim me herët e kaluara, kur sistemi impononte mbajtjen e individit pavarësisht sjelljes së tij, për shkak se kishte influencë në zonën e tij elektorale.

Burime nga të dyja partitë shprehen se po shkohet drejt zgjidhjes së problemit

Berisha–Meta, bisedimet ngecin te Ministria e Brendshme

Partitë e tjera aleate duhet të kënaqen me zëvendësministra dhe drejtorë

Bisedimet Berisha–Meta duket se kanë ngecur te Ministria e Brendshme. Gjatë qëndrimit në Dhërmi, por dhe në Tiranë, janë vendosur piketat se cilat ministri do të marrë LSI-ja pas pranimit të ftesës së bërë nga Berisha pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve. Deri tani burimet saktësojnë se Berisha ka rënë dakord në parim për t’i dhënë LSI-së Ministrinë e Shëndetësisë, postin e zëvendëskryeministrit ose Kryetarin e Kuvendit, ndërkohë që LSI-ja ka kërkuar dhe Ministrinë e Brendshme ose Ministrinë e Jashtme. Në këtë pikë duket se negociatat kanë ngecur. Gjithsesi, burime nga të dy partitë saktësojnë se edhe ky problem do të zgjidhet së shpejti dhe se negociatat nuk janë ndërprerë. Duket se pushimet në Dhërmi i të dy liderëve kryesore të koalicionit nuk kanë qenë rastësore. Larg syrit të medies, zhurmës dhe nxehtësisë politike të kryeqytetit, Dhërmiu duket se është vendi më i përshtatshëm për të kryer këto lloj bisedimesh. Nga ana e tyre të dy liderët kanë qenë tepër të kujdesshëm në deklaratat e tyre, duke mos preferuar të japin asnjë hollësi. Madje dhe vetë të besuarit e Metës e kanë shumë të vështirë t’i shkëputin ndonjë informacion këtij të fundit. Vetë situata politike dhe ekonomike e vendit u imponon të dy krerëve të këtyre partive këtë sjellje, e cila ka koston e ankthit tek ata që pretendojnë vende në ekzekutivin shqiptar. Duket se Meta do ketë tri vende kyçe në ekzekutivin shqiptar, por edhe një shpërndarje jo të vogël nëpër drejtori dhe zëvendësministra. Ndërsa për sa u përket partive të tjera aleate të PD-së, pjesa dërrmuese e tyre duket se do të kënaqen me poste drejtorësh apo zëvendësministrash në qeverinë “Berisha”. PDI-ja, partia e minoritetit çam në Shqipëri, ka hequr dorë me dëshirë nga përfaqësimi në ekzekutiv, duke u kënaqur me poste zëvendësministrash dhe drejtorësh, gjë që ia ka lehtësuar shumë barrën Kryeministrit, për shkak se dhe numri i ministrive është i kufizuar. Por kjo gjë s’mund të thuhet për Mediun, kryetarin e PR-së, edhe ky me një mandat deputeti, partia e të cilit ka shfaqur hapur pretendimet për një post ministri në qeverinë e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›