E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvritet me armë efektivi i burgut të Peqinit

10/08/2009  Familjarët: Ishte depresiv

ELBASAN- Vetëvritet në shtëpi me armën e shërbimit efektivi i sigurisë së lartë në Peqin. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kur Elton Hamati 28 vjeç me banim në fshatin Katund i Ri është gjetur i vetëvrarë nga familjarët e tij në shtëpinë e të vëllait me një plumb në ballë. Burimet policore konfirmojnë se janë lajmëruar nga të afërmit e viktimës për atë që kishte ndodhur dhe kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga konstatimi i parë mësohet se 28-vjeçari i ka dhënë fund jetës me një plumb në ballë me pistoletën e tij tip TT. Në vendin e vetëvrasjes është gjetur një gëzhojë dhe në krehrin e armës edhe katër fishekë të tjerë. Sipas të dhënave nga policia bëhet e ditur se nga pyetja e familjarëve dhe nga dëshmi të tjera mësohet se i riu, i martuar, baba i një vajze të vogël po kalonte një gjendje depresive. Sipas po këtyre burimeve, punonjësi i policisë në burgun e sigurisë së lartë në Peqin është vetëvrarë në kushtet e depresionit nervor. Tronditja e madhe e familjarëve pas kësaj ngjarje të rëndë nuk ju ka dhënë shumë mundësi hetuesve të zbardhin shkakun që i ka sjellë depresionin të riut. Gardiani 28-vjeçar me arsim të mesëm nuk kishte shumë kohë që shërbente në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Kolegët e përcaktojnë mjaft korrekt në punë dhe mjaft të rregullt. L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›