Aksion ushtarak kundër Libisë?
Vendet Perëndimore thonë se po e shqyrtojnë çështjen nëse do të ndërmarrin aksion ushtarak, për të ndihmuar në largimin e liderit të Libisë, Muammar Gaddafi, nga pushteti dhe për mbrojtjen e libianëve, që e kundërshtojnë regjimin e Gadafit.
Kombet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtjen për emergjencën me refugjatë lidhur me këtë krizë, duke thënë se prej 20 shkurtit afro 75 mijë njerëz janë larguar nga Libia në Tunizi.
Raportohet se luftime të reja janë zhvilluar derisa forcat besnike të Gaddafit po synojnë rimarrjen e kontrollit në rajonet që mbahen nga protestuesit, në pjesën perëndimore të Libisë.
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates, ka konfirmuar mbrëmë se disa luftanije amerikane kanë lëvizur drejt Libisë.
Por ai tha se nuk ka marrëveshje brenda NATO-s për të ndërmarrë aksion ushtarak dhe se nuk ka vendim nga administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, lidhur me përdorimin e forcës.
Dy luftanije amerikane me 2,000 marinsa në bord kanë kaluar përmes Kanalit të Suezit drejt ujërave të Libisë, ndërsa kriza humanitare në vendin afrikan vazhdon të përshkallëzohet.
Në ndërkohë, Gaddafi është shfaqur në televizion në një tubim të mbështetësve të tij në Tripoli.
Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes pohojnë se aeroplanët luftarakë kanë sulmuar qytetin e Axhabijas në lindje të vendit, që kontrollohet nga forcat antiqeveritare.